web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"N'Konak Guest House"/ Puka hap dyert për vizitorët

3 Prill 2025, 15:33, Qyteti im CNA

"N'Konak Guest House"/ Puka hap dyert për vizitorët

Vullnet Kuçi nga qyteti i Pukës, 5 vite më parë vendosi që së bashku me vëllanë e tij të çelë dyert e biznesit familjar. Vendosi ta quajë "N"Konak Guest House" duke ruajtur kështu historinë e vjetër të konakut, por e gërshetuar me modernizimin.

"N'Konak Guest House"/ Puka hap dyert për vizitorët

"Prej 5 vitesh së bashku me familjen time kemi hapur një bujtinë në qytetin e Pukës. Bujtina quhet 'N'Konak Guest House', dhe është një bujtinë e cila ndodhet në periferi të qytetit të Pukës, rreth 500 metër larg nga qendra e saj. Aktualisht ne ofrojmë shërbimin e akomodimit dhe mëngjesit dhe presim turistë nga e gjithë bota. Zgjodhëm t’i vendosim emrin 'N'Konak Guest House' si një emër i cili vite më parë dhe në histori konakët përfaqësonin odat e burrave, të cilat mblidhnin gjithë historinë, traditën dhe ishin pjesë e pandarë e jetës sociale vite më parë. Ajo që donim ne ishte që të rikthenim këtë traditë ndoshta në një mënyrë të moderuar dhe si një hapësirë, e cila i përket çdo vizitori dhe turisti që zgjedh të vijë në Pukë dhe me të vërtetë emri na ka ndihmuar shumë në thithjen e vizitorëve për shkak se është edhe një emër i thjeshtë.

Bujtina jonë është hapur në pandemi në vitin 2020, një histori ndoshta jo e mirë e jetës sonë sociale, por në një periudhë që të gjithë ishim të detyruar të mbylleshim në shtëpi, ne vendosëm të hapnim një bujtinë. Ka qenë pak sfiduese për ne në atë kohë, por ne kishim besim. Dhe arritëm të krijojmë një hapësirë që priti shumë vizitorë. Ne e hapëm me vëllanë në një hapësirë që nuk shfytëzohej nga prindërit. Më herët unë shoqëroja vizitorë si guidë në qytetin e Pukës dhe pashë që kishte mungesë të theksuar të këtij shërbimi”, është shprehur Vullnet Kuçi.

"N'Konak Guest House"/ Puka hap dyert për vizitorët

Puka ka njohur një zhvillim të madh turistik përgjatë dekadës së fundit. Gjë e cila ka surprizuar edhe të riun pukjan. Duke parë hovin e vizitorëve ai synon të zgjerojë biznesin e tij ku krahas akomodimit dhe fjetjes synon edhe kuzhinën tradicionale pukjane. 

 

"Sot jemi shumë të kënaqur e të surprizuar nga numri i vizitorëve vit pas viti. Jemi të vlerësuar edhe në faqet online dhe kjo na bën që të punojmë më shumë në sezonin që po vjen. Aktualisht ne kemi 5 dhoma, të cilat kanë të gjitha kushtet dhe presim deri në 15 vizitorë në natë. Synimi është që të zgjerohemi dhe synim është hapja e restorantit, i cili do të jetë një mundësi e mirë edhe për ne si biznes, por edhe për qytetin pasi ofron një shërbim të ri. Vizitorët që vijnë tek ne janë nga e gjithë bota ku fluksi më i madh është maj deri në shtator ku ne presim vizitorë nga Europa, SHBA, Kanada etj. Të gjithë janë eksplorues të natyrës dhe duan të njohin territorin. Ajo çka personalisht më motivon që të jetoj këtu është puna në këtë bujtinë pasi kam pasur mundësi të njoh njerëz nga e gjithë bota dhe të marr eksperiencat e tyre.

Të marr edhe ide nga ata se si të punoj në të ardhmen. Dëshira ime është që në të ardhmen të ketë sa më shumë njerëz në Pukë që të punojnë në fushën e turizmit. Ne duhet të jemi sa më të larmishëm në shërbimet që ofrojmë. Jam i sigurtë se si Puka dhe Fushë-Arrëzi do të jenë surprizë për turistët pasi janë zona të pazbuluara dhe mbartin mbi vete pasuri natyrore e resurse fantastike si për aventurierët po ashtu edhe për sportet e aventurës. Kam rreth 8 vite që punoj me turizëm dhe e njoh zonën. Një tjetër resurs është hapja e zip line, i cili ndodhet pranë qytetit dhe është ndër zip linet më të mëdhenj në Europë me 1.2 km dhe mendoj se është një arsye e mirë për të vizituar Pukën", tha pronari i “N'Konak Guest House".

 

Teksa e pyesim për sfidat më të mëdha, Vullneti liston atë të mungesës së fuqisë punëtore si dhe promovimin e zonës në nivele më të mëdha.

 

"Sfidat janë të mëdha e një ndër to është gjetja e punonjësve të kualifikuar që ne të punojmë me ta, për shkak se pjesa e shërbimit duhet të jetë në nivel të mirë. Po ashtu sfidë mbetet promovimi i zonës në nivel më të mirë. Sepse duhet të thithim atë grup që ka çfarë gjen në Pukë. Por me angazhimin e të rinjve mendoj që do jemi më konkurrues dhe Puka e Fushë-Arrëzi të jenë zona model në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Ajo çfarë mund të them është se Puka ka avantazh klimën që e ka shumë të mirë. Është qytet i vogël, por është befasues si për arkitekturë edhe për pamje për pyjet dhe burimet ujore. Është vend ideal për shumë turistë dhe atraksion që përmbledh shumë elementë së bashku”, ka deklaruar Vullnet Kuçi.

 

"N'Konak Guest House"/ Puka hap dyert për vizitorët

Krahas përmirësimit të infrastrukturës, krijimit të sporteve të aventurës dhe ndërtimit të zip line më të madh në Ballkan, Puka së bashku me “N’Konak Guest House", ka hapur dyert e mikpritjes./ CNA





14:54 Qyteti im

Nga Edison Ypi/ Korça

Korça është një zonjë e madhe me motra e vëllezër shumë. M...

Lajmet e fundit nga