LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Ç'thuhet në Gjermani për marrëveshjen Rama-Meloni?

10 Nëntor 2023, 08:56, Politikë CNA

Ç'thuhet në Gjermani për marrëveshjen Rama-Meloni?

Eksperti i migracionit, Ruud Koopmans, i cili ka vite që e ka propozuar zhvendosjen e qendrave pritëse jashtë BE-së, i tha DW, se marrëveshja Meloni-Rama do të ishte diçka historike. Koopmans tha se modeli i Shqipërisë mund të aplikohej edhe në vende të tjera të sigurta të treta, si për shembull në Maqedoninë e Veriut. Por ai vuri në dukje, se fakti që marrëveshja Rama-Meloni është një marrëveshje bilaterale, ekziston rreziku i një "migracioni dytësor", që do të thotë, se azilkërkuesit e refuzuar mund të përpiqen të kalojnë kufirin dhe të kërkojnë sërish azil në një vend tjetër të BE-së. Që kjo të mos ndodhë, Shqipëria dhe Italia duhet të kërkojnë mbështetje nga BE-ja që ta kthejnë këtë marrëveshje në marrëveshje multilaterale. 

Skup i Melonit

Në do të ketë BE vërtetë dëshirë t'i bashkohet marrëveshjes së Melonit me Ramën, siç e sugjeron Koopmans, kjo nuk dihet ende. Reagimet e para nga Brukseliishin të rezervuara. As Gjermania zyrtare nuk pranoi ta komentonte marrëveshjen. Pyetjes përkatëse të DW, një zëdhënëse e qeverisë iu përgjigj duke i kujtuar vendimin e marrë në takimin e kancelarit Olaf Scholz me shefat e 16 landeve federale për të sonduar mundësitë e kalimit të procedurave të azilit në vende jashtë BE-së. Për këtë po insistojnë sidomos politikanë të opozitës konservatore dhe të partisë liberale -  një nga tre partitë e koalicionit të qendrës së majtë në pushtet. Disa nga këta politikanë kishin përmendur edhe Shqipërinë si opsion, por preferencat ishin që azilkërkuesit ta parashtronin kërkesën e tyre për azil në vende afrikane. Sepse kështu do t'u kurseheshin azilkërkuesve të refuzuar peripecitë e rrugës së gjatë përmes Mesdheut.

Kancelari Olaf Scholz  gjatë vizitsë së tij të fundit në Ganë dhe Nigeri tha, se është e vështirë të gjesh vende që janë të gatshme të marrin përsipër qendra të tilla. BE kishte bërë para ca kohësh një marrëveshje të ngjashme me Tunizinë, por në verë kjo e fundit ia ktheu paratë e depozituara për ndërtimin e qendrave. Edhe një marrëveshje e ngjashme e Britanisë së Madhe me Ruandën u shpall si e paligjshme nga një gjyq në Londër ngaqë Ruanda nuk është vend i sigurtë. 

Skup i Melonit? 

Para këtij sfondi, në Gjermani ka shumë zëra që e shikojnë me njëfarë zilie marrëveshjen e Ramës me Melonin. Gazeta bavareze "Augsburger Allgemeine" shkruan se "kush e quan këtë skup të Melonit, një Guantanamo italiane, i bie tepër shkurt. Nëse BE dëshiron të pengojë hapa të tilla unilateralë si ai i Melonit, ajo duhet të kujdeset që pakoja e azilit e prezantuar prej asaj vetë prej shumë vitesh të realizohet më në fund. Sepse migracioni është një çështje fati për Evropën. Është në pyetje se sa izolim mund t'i lejojmë vetes pa i tradhëtuar vlerat tona. Dhe se sa izolim duhet t'i lejojmë vetes për të frenuar ngritjen - siç duket - të pandalshme të partive ekstremiste të djathta dhe të majta në Evropë". 

Gjtihsesi marrëveshja me Melonin ka një përparësi, tha për DW Ruud Koopmans: Italia do të dërgojë në Shqipëri, vetëm persona që nuk e kanë shkelur territorin e Italisë, por që kapen në ujërat pranë brigjeve italiane. "Në këto raste, Italia është e detyruar vetëm t'i transferojë refugjatët në një port të sigurt", sqaron eksperti. "Nëse do të dërgoheshin njëherë në Itali  e më pas në Shqipëri, kjo do të binte ndesh me  rregullat për procedurat e azilit të BE-së, sipas të cilave azilkërkuesit mund të kthehen vetëm në ato vende të treta, me të cilat kanë pasur më parë një lidhje. Prandaj edhe migrantë që kanë hyrë në Itali nëpërmjet Saharasë, nuk mund të dërgohen në Shqipëri," thotë Koopmans.  

Demotivim për emigrim?

Koopmans vetë megjithatë kujton se ende është e paqartë se çfarë do të ndodhë  me refugjatët e refuzuar. Sipas marrëveshjes, ata do të riatdhesohen, por në praktikë kjo nuk është shumë e lehtë, sepse shumë vende të prejardhjes nuk kooperojnë dhe nuk i bëjnë gati dokumentet e nevojshme për riatdhesim. Eksperti i migracionit në Universitetin e Humboldtit në Berlin parashikon se kjo do të jetë sfida kryesore për Shqipërinë. Por Koopmans thotë se fakti që refugjatët do t'i presin dokumentat në Shqipëri dhe jo në Itali, do t'i demotivojë ata që të harxhojnë kaq shumë për kontrabandistët dhe të vënë jetën në rrezik e të kapërcejnë Mesdheun.

Por Koopmans është i vetmi nga ekspertët që mendon, se një kamp në Shqipëri do të ketë ndonjë efekt trembës ose demotivues për refugjatët. Në fakt, sipas marrëveshjes Italia duhet t'i marrë mprapsht pas një farë kohe edhe azilkërkuesit e refuzuar që nuk i riiatdheson dot, por ministri i brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, i tha DW se nuk dihet se sa mund të zgjasin këto procedura.

Në një intervistë për "Die ZEIT" eksperti i migracionit, Gerald Knaus, jep dy skenarë për  azilkërkuesit e refuzuar: "Shqipëria, një nga vendet më të varfra në Evropë, së shpejti do të përballet me dy skenarë. "Ose do të mbajë azilkërkuesit e refuzuar, e për rrjedhojë kampet shumë shpejt do të mbushen. Ose, dhe kjo është më e mundshmja, refugjatët do të marrin rrugën drejt veriut, nëpërmjet Itinerarit të Ballkanit."  Edhe Pëllumb Nako, i cili ka shërbyer për shumë vite si drejtor i Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shqipërisë, i tha DW, se Shqipëria është tepër afër BE-së, dhe vendeve veriore, për të trembur migrantët që të mos vijnë në Evropë. Ai i tha DW se marrëveshja nuk do të sjellë zgjidhje për refugjatët, por ajo ka vlerë politike, sepse tregon gatishmërinë e Shqipërisë për të ndihmuar Italinë për të kapërcyer këtë fazë të vështirë.

Rama bujar apo kalkulues? 

Gazeta e përditshme gjermane "tageszeitung" dyshon në këtë narrativë të përhapur nga qeveria shqiptare, të cilën Rama e ka përmbledhur me fjalinë tashmë shumë të cituar: "Kur Italia thërret, Shqipëria përgjigjet". "Kjo bujari nuk i shkon Ramës, i cili është një politikan mendjemprehtë. Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE është hapur që nga viti 2022, por rruga është ende e gjatë dhe jo pa pengesa. Italia ka premtuar mbështetje 100% për Tiranën. Muajt ??e ardhshëm do ta tregojnë nëse është vetëm ky favor, me të cilin po e shpërblen Italia këtë bujari të Shqipërisë."

Dhe tek e fundit, taz  dyshon se kjo marrëveshje do të realizohet: "Italia është padyshim e përgatitur politikisht t'i injorojë të drejtat e atyre që kërkojnë mbrojtje. Por ligji i BE-së përcakton saktësisht se ku dhe si duhet të akomodohen azilkërkuesit. Nuk ka plane për t'i çuar në ndonjë shtet tjetër dhe për t'i mbajtur atje të mbyllur. Prandaj mbetet me pikëpyetje, nëse marrëveshja e Melonit do të arrrijë të kapërcejë Strasburgun", përfundon "taz"./DW

Lajmet e fundit nga