web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ndryshimi i regjimit në Rusi nuk do të çojë në kaos apo kolaps

28 Shtator 2023, 18:56, Blog CNA

Ndryshimi i regjimit në Rusi nuk do të çojë në kaos

Kur të largohet nga detyra presidenti Vladimir Putin - cilado qoftë forma - ne do të hyjmë në epokën post-Putin. Shumë njerëz janë të pasigurt mbi atë mund të ndodhë, dhe kanë frikë mbi atë që mund të sjellë: ndoshta në skenë do të ngjitet një udhëheqës edhe më brutal, ose ndoshta Rusia do të shpërbëhet dhe do të zhytet në kaos.

Parashikime të tilla apokaliptike u duk sikur po konfirmoheshin në ngjarjet e kësaj vere, kur udhëheqësi i mercenarëve të grupit Vagner, Jevgeni Prigozhin nisi rebelimin e tij jetëshkurtër. Por ai episod nuk ishte dëshmi e kaosit. Përkundrazi, udhëheqësit e rebelimit u eleminuan dhe mbështetësit e tij ose ndryshuan anë ose u zhdukën në hapësirat e mëdha të Rusisë. Në kulmin e paranojës që nxiti rebelimi, elita ruse u detyrua të dyfishonte përpjekjet e saj për të treguar sa më shumë besnikëri ndaj Putinit.

Njëkohësisht shumica e rusëve mbetën si gjithmonë të interesuar vetëm të liheshin rehat që të vazhdonin jetën e tyre modeste. Unë mendoj se është e çuditshme përpjekja për ta trembur botën me skenarin e një lideri edhe më të tmerrshëm se Putini.

Çfarë mund të jetë më e keqe se një konflikti më i madh ushtarak në Evropë i shekullit XXI, dhe represioni më i madh në Rusi se sa në kohën e Bashkimit Sovjetik? Falë Kremlinit dhe një elite pa shtyllë kurrizore, ne rusët po jetojmë tashmë në një anti-utopi. E kush është ky përbindësh i ardhshëm që do ta pasonte Putinin?

Ndoshta kreu i Këshillit të Sigurimit dhe radikali famëkeq Nikolai Patrushev? Por a është ai më i keq se sa Putini? Ai është vetëm një zë i regjimit aktual; një zëdhënës i teorive konspirative dhe anti-amerikanizmit. A do të ishte ai më i keq se një komandant ushtarak, siç ishte i ndjeri Prigozhin?

Së pari, askush nuk do të kishte dëgjuar për Prigozhin nëse ai nuk do të ishte favorizuar nga sistemi Putin, dhe nuk do të kishte fituar miliarda nga tenderat shtetërorë. Së dyti, duhet që karizma e tij, burimet e biznesit dhe aftësia për të pasur qasje në paratë e shtetit, të jenë një kërcënim serioz për autoritetet. Fakti është se deri më sot nuk ka njerëz të tillë. A është i mundur një grusht shteti? Nuk është në kulturën politike të Rusisë. Të mendosh se konspiracioni është rezultati më i mundshëm, do të thotë të parashikosh me seriozitet protesta masive për shkak të rënies së standardeve të jetesës.

Por këtu duhet të kujtojmë se çdo protestë e madhe në rrugë kundër Putinit, do të shuhej brenda pak sekondash nga shteti policor aktual. Ka të ngjarë të përfundojë edhe më shpejt se sa ngjarjet e 25 janarit 1968, kur policia arrestoi 8 persona që protestonin në Sheshin e Kuq kundër pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë. Një nga oficerët e policisë që arrestoi atë ditë disidentin Pavel Litvinov, tha një fjali që do të hynte në histori: “Budalla, nëse do të kishe qëndruar në shtëpi, do të kishe pasur një jetë të qetë!”. Është pikërisht ky mesazhi që autoritetet ruse po i dërgojnë sot njerëzve.

Edhe pse gjendemi në një anti-utopi, struktura sociale e Rusisë nuk ka shenja se do të nisë të shpërbëhet. Me gjithë problemet, sistemi ekonomik i vendit ka mbetur relativisht i qëndrueshëm. Perëndimi e nënvlerësoi aftësinë e shoqërisë ruse për t’iu përshtatur rrethanave. Krahas indiferencës së shumicës së njerëzve ndaj ngjarjeve politike, lehtësia në përshtatje ndihmon në sigurimin e të paktën njëfarë mbështetjeje për autoritetet. Dhe indiferenca e shumë-përhapur në Rusi do të ndihmojë një tranzicion të rregullt drejt një regjimi të ri.

Rusët do t’i binden çdo sunduesi që duket sikur është legjitim. Putin sot i adhuruar, nuk do të jetë më i dashur sapo të ndodhë një tranzicion pushteti. Kështu ka qenë gjithmonë. Për më tepër, nëse flasim për precedentë historikë, ndryshimi i liderit në Rusi është shoqëruar pothuajse gjithmonë me liberalizim, dhe jo ??me një kaos të përgjakshëm (zbutja e regjimit nga Hrushovi pas vdekjes së Stalinit, Perestrojka e Gorbaçovit pas Brezhnjevit dhe reformat e Jelcinit pas shembjes të Bashkimit Sovjetik).

Edhe lufta për pushtet nuk ka pasur historikisht ndonjëprirje të çojë në kaos. As rënia e Bashkimit Sovjetik, nuk çoi në trazira vërtet serioze në Rusi. Shumica e njerëzve ishin të përqendruar tek mbijetesa, përshtatja dhe më e rëndësishmja tek përfitimi nga mundësitë e reja. Është e vërtetë që vendi përjetoi një betejë midis presidentit dhe parlamentit, e cila prodhoi një lufte civile të shkurtër në tetorin e vitit 1993. Por shumica e njerëzve nuk u përfshinë dhe e pranuan diktatin e palës që fitoi. Pra s’ka asnjë shenjë që të tregojë se tranzicioni i ardhshëm i pushtetit i Rusisë, i cili do të ndodhë herët a vonë, është i destinuar të çojë në një regjim më të ashpër ose në kaos.

Një tjetër hipotezë e promovuar nga disa analistë është shpërbërja e Rusisë. Por kjo është edhe më pak e mundshme se sa grindjet civile apo shfaqja e një lideri më të keq se Putini. Nxitimi i shumë republikave për të fituar pavarësinë në fillim të viteve 1990, ishte rezultat i rajoneve që përpiqeshin të mbijetonin, në mesin e sprovave të ndërtimit të një ekonomie të re dhe institucioneve të reja shtetërore.

Sot ka shumë arsye bindëse ekonomike, buxhetore dhe politike-menaxhimi se përse Rusia nuk do të shpërbëhet në epokën pas Putinit. Rusia nuk është një vend shumë i pasur, dhe pabarazia e pasurisë është e ndërlikuar nga pabarazia rajonale, duke i bërë shumë rajone të varura nga subvencionet federale. Pra ekonomitë rajonale nuk mund të mbijetojnë më vete, dhe largimi nga Federata Ruse do të shkaktonte probleme serioze. Në rast se ka një oreks midis liderëve rajonalë për pavarësi, ajo ekziston vetëm në republikat kombëtare të Rusisë.

Por sërish, shumica e tyre janë përfituese të subvencioneve, dhe marrin investime politike në këmbim të sigurimit të qetësisë sociale. Në këto kushte, një skenar relativisht optimist për një tranzicion pushteti, është ai në të cilin pasardhësi i Putinit është një teknokrat. Nuk është e sigurt nëse ai do të zëvendësohet nga një i tillë (nga djali i Patrushev, Ministri i Bujqësisë Dimitri Patrushev, tek lideri i partisë Rusia e Bashkuar Andrei Turçak, Kryetari i parlamentit, Duma, Vjaçesllav Volodin apo zëvendësshefi i kabinetit të Kremlinit Sergei Kirijenko).

Por mund të jetë kryeministri Mikail Mishustin (politikani i dytë më i besuar në Rusi sipas një sondazhi të krye nga Qendra Levada) apo kryebashkiaku i Moskës Sergei Sobjanin. Që të dy janë përpjekur të ruajnë reputacionin e tyre si menaxherë pragmatikë.

Dhe duke pasur parasysh shterimin gradual dhe të pashmangshëm të modelit të qeverisjes së Putinit - financiarisht, socialisht, ekonomikisht, psikologjikisht dhe politikisht - një udhëheqës teknokrat ose i përkohshëm, duhet të jetë në gjendje të sigurojë një tranzicion drejt normalizimit të situatës.Nga Andrei Kolesnikov “Carnegie Endowement”/ Pershtatur nga CNA





Lajmet e fundit nga