LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A do të çojë Lufta Rusi-Ukrainë drejt Luftës së Tretë Botërore?

26 Shtator 2023, 10:52, Blog CNA

A do të çojë Lufta Rusi-Ukrainë drejt Luftës së

Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksi Danilov, paralajmëroi kohët e fundit të pranishmit në Forumin e Sigurisë në Kiev, se “Lufta e Tretë Botërore tashmë është duke u zhvilluar” . Dhe në njëfarë kuptimi ai mund të ketë të drejtë.

Lufta në shkallë të plotë midis Rusisë dhe Ukrainës nisi më 24 shkurt 2022. Në javët e para, u duk sikur rusët do t’i dërrmonin ukrainasit me një ofensivë të stilit Blitzkrieg (Luftë e Rrufeshme). Por ai parashikim ishte tejet i pasaktë. Ushtria ruse ishte e keqpërgatitur për këtë mision, dhe pajisjet e saj ishin shumë më pak efektive sesa pritej. As morali i ushtarëve të saj nuk ishte i lartë. Por nga fundi i pranverës së vitit të kaluar, edhe ekspertët në Perëndim ishin disi jashtë realitetit. Ata parashikonin se Rusia do të kapitullonte si pasojë e sanksioneve perëndimore. Por ata që prisnin një kolaps të ekonomisë ruse, nuk kanë mësuar asgjë nga sanksionet perëndimore ndaj Koresë së Veriut dhe Iranit.

Dy vende shumë më të vogla se Rusia, që janë përballur për shumë vite me sanksione të rënda. Sigurisht, sanksionet i dëmtuan jo pak ekonomitë e tyre, por nuk e ndryshuan natyrën themelore të regjimeve. Sot, Rusia dhe Ukraina duken të bllokuara në një luftë llogoresh, të ngjashme me Luftën e Parë Botërore, ku të dyja palët kanë pësuar shumë viktima por pa përfitime të rëndësishme territoriale apo strategjike.

Duket gjithnjë e më shumë e mundur që ky ngërç të zgjasë me vite. Dhe ja cilat janë disa arsyet. Së pari, as Rusia dhe as Ukraina nuk duket se kanë aftësinë ushtarake për të mposhtur palën tjetër. Së dyti, as Vladimir Putin dhe as Volodimir Zelenski nuk mund të tërhiqen. Nëse Zelenski dorëzohet, vendi i tij nuk do të jetë më i lirë, dhe ai ka të ngjarë të rrëzohet nga pushteti. Nëse Putin tërhiqet nga Ukraina, kjo do të shkatërronte imazhin e tij si një udhëheqës i fortë i Rusisë, dhe do të përballej me shumë sfida ndaj sundimit të tij.

Disa gazetarë parashikuan se mungesa e popullaritetit të kësaj lufte, për shkak të numrit të lartë të viktimave, së bashku me numrin e madh të sanksioneve, mund ta kthente popullin rus kundër Putinit. Por edhe kjo është jashtë realitetit. Historia e Rusisë është e mbushur me udhëheqës që i imponuan popullatës humbje të mëdha, pa e paguar këtë me koston e rënies së
regjimit.

Llogaritjet strategjike të gabuara nga Josif Stalin dhe drejtuesit e tij të lartë sovjetikë, shkaktuan disfata ushtarake poshtëruese ndaj ushtrisë pushtuese naziste gjatë Operacionit Barbarosa në vitin 1941. Sovjetikët humbën një territor të gjerë dhe viktimat e tyre numëroheshin në miliona edhe para se të fillonte Beteja e përgjakshme e Stalingradit.

Siç mburren ende sot rusët, ishin pikërisht ato vështirësi që e forcuan vendosmërinë e ushtrisë dhe popullit rus, duke çuar në një fitore historike mbi pushtuesit gjermanë. Sigurisht, asnjëra nga këto nuk do të thotë se bota po marshon drejt një lufte totale. Por skenarët kryesorë mund të përshpejtohen ende në një kthesë drejt më të keqes.

Për shembull, një kolaps i vijës së frontit rus (nëse trupat ukrainase depërtojnë në Zaporizhia, Kherson dhe zonat përreth, dhe krijojnë një vendkalim drejt Gadishullit të Krimesë) mund ta nxitë Rusinë të përdorë armët bërthamore (taktike ose strategjike) për të rivendosur ekuilibrin.

Zëvendëskryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, Dimitri Medvedev ka paralajmëruar vazhdimisht, se nëse do të jetë e nevojshme Rusia nuk do të ngurrojë të përdorë armë të tilla. Po ashtu, një kolaps i papritur i ushtrisë së Ukrainës - që çon në rënien e Kievit - mund t’i detyrojë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s të dërgojnë armë të reja akoma më shkatërruese, apo edhe të dërgojnë trupat e tyre në front për të rivendosur
ekuilibrin.

Në secilin skenar, rruga drejt Luftës së Tretë Botërore nuk është vetëm një skenar filmash fantastiko-shkencorë. Në përgjithësi një llogaritje e gabuar nga secila palë, mund të ketë pasoja të padëshiruara. Për shembull, një bateri ruse kundërajrore mund të rrëzojë një avion luftarak të NATO-s që kalon nga hapësira ajrore polake në Ukrainë për shkak të një gabimi.

Kjo mund ta detyrojë aleancë t’i referohet Nenit 5 të mbrojtjes kolektive. Ngjashëm, nëse raketat ruse me rreze të gjatë veprimi godasin aksidentalisht një objektiv tek një nga fqinjët e Ukrainës që janë anetarë të NATO-ja duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme, nuk mund të mos evokohet Neni 5.

Nëse një tjetër shtet i bashkohet kësaj lufte, kjo mund të nxisë shpërthimin e një lufte më të gjerë. Gjatë 18 muajve të fundit, mijëra luftëtarë të huaj u janë bashkuar të dyja palëve.

Situata të kujton brigadat ndërkombëtare, të cilat luftuan për nacionalistët dhe republikanët në Luftën Civile Spanjolle (1936-1939). Por, ndërsa vazhdon ngërçi në vijat e frontit, ne mund të shohim ndërhyrjen e vendeve të tjera. Së pari të Bjellorusisë, ku presidenti Llukashenko ka mbajtur që në fillim anën e rusëve. Pastaj është Koreja e Veriut. Udhëheqësi i saj suprem Kim Jong Un, i ka rimbushur me arsenalet e tij rezervat ruse të armëve dhe municioneve.

Kim ka të ngjarë të mos ndiejë keqardhje nëse trupat e Koresë së Veriut vdesin në Ukrainë në krah të rusëve, pasi kjo do t’i jepte atij një rol më të rëndësishëm në skenën botërore. Në anën tjetër, duket e e pamundur që vendet perëndimore si Britania, Gjermania ose Franca të dërgojnë trupa në Ukrainë.

Po kush e di se çfarë mund të ndodhë, duke pasur parasysh armiqësinë dhe dyshimin e thellë historik që kanë ndaj Rusisë disa vende të Evropës Lindore si Polonia? Deri më tani, Kina është përpjekur të tregohet publikisht neutrale, edhe pse në prapaskenë Pekini po e ndihmon Moskën.

Kina e kupton se kriza e saj ekonomike aktuale, ka pjesërisht lidhje me përkeqësimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, konflikti mund të mos jetë një pengesë për Pekinin. Udhëheqja kineze po diskuton vazhdimisht mundësinë e një sulmi, pushtimit dhe ribashkimin me forcë të Tajvanit.

Në një moment presidenti Xi Jinping, mund t’u ofrojë rusëve një marrëveshje, përmes së cilës ata do të mbështesnin pushtimin e Tajvanit, në këmbim të mbështetjes kineze kundër Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Ndërsa disa mund ta hedhin poshtë këtë skenar, duhet të kujtojmë se Ushtria Çlirimtare Popullore (më e madhja në botë), është gati të hyjë në vitin e 5-të dhe të fundit të planit të saj madhor të modernizimit.

Nëse lufta midis Rusisë dhe Ukrainës do të vazhdojë ende në vitin 2025, një skenar i tillë mund të jetë më realist. Fatmirësisht, ka edhe skenarë të optimistë, që mund t’i japin fund konfliktit dhe për rrjedhojë të reduktojnë gjasat e një konflikti global. Në një farë kuptimi, Ukraina dhe Rusia kanë treguar aftësinë e tyre për të ruajtur një lloj armëpushimi, duke e shmangur luftën e plotë pas pushtimit rus të Krimesë në vitin 2014. Kjo qetësi relative zgjati deri në vitin 2022. Nuk ishte një armëpushim i plotë, sepse vazhduan rregullisht luftimet në rajonet Donetsk dhe Luhansk (ku shumica e popullsisë janë rusë etnikë).

Megjithatë, konflikti u mbajt pak a shumë nën kontroll. Ndaj të dyja palët mund të bien sërish dakord për një armëpushim nëse kjo nënkupton mospranimin e humbjes. Një faktor me rëndësi është ish-presidenti Donald Trump. Nëse rikthehet në Shtëpinë e Bardhë vitin e ardhshëm, ai ka të ngjarë të mbajë premtimin e tij duke e ndërpresë të gjithë ndihmën për
Ukrainën.

Madje mund të ushtrojë presion mbi aleatët e tij të NATO-s për të ndaluar mbështetjen e tyre. Në një skenar të tillë, ukrainasit mund të bien dakord pa dëshirë për një armëpushim në kushte të pafavorshme. Ndërsa shanset që lufta në Ukrainë të evoluojë në një konflikt global nuk janë të larta, ato nuk janë as zero.

Tensionet janë të larta dhe vendet evropiane po i rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen. Frika nga një agresioni më i gjerë i Rusisë, i ka vendosur akoma më shumë nën presion këto vende. Ato e kuptojnë se ndërsa lufta vazhdon, shtohen viktimat dhe rritet presioni i sanksioneve, “ariu i plagosur” mund të bëhet edhe më i rrezikshëm, dhe potencialisht më i prirur për të
bërë llogaritje të gabuara./ Përshtatur në shqip nga CNA

 

Lajmet e fundit nga