LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rendi botëror në kaos, ja çfarë mund të ndodhë

25 Shtator 2023, 17:24, Blog Richard Haass

Rendi botëror në kaos, ja çfarë mund të ndodhë

Në kohën e Bashkimit Sovjetik qarkullonte shpesh një anektodë. Një gazetar i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Komuniste të japë një vlerësim mbi ekonominë e vendit. “Situata është e mirë”- u përgjigj ai shkurt. Por gazetari iu lut udhëheqësit të shtjellojë pak më gjatë përgjigjen, në mënyrë që ai të kishte mundësi të shkruante artikullin e tij.

“Por në se e analizojmë situatën në detaje, atëherë them se punët nuk po shkojnë aspak mirë!”- i tha Sekretari i Përgjithshëm. E njëjta gjë mund të thuhet sot mbi gjendjen e botës. Ndërsa shumë liderë globalë u mblodhën në Nju Jork për sesionin e 78-të vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, me mungesën e dukshme të presidentit kinez Xi Jinping, presidentit rus Vladimir Putin, kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak, kryeministrit indian Narendra Modi dhe presidentit francez. Emanuel Makron, situata aktuale ofron shumë arsye për t’u shqetësuar.

Marrëdhëniet SHBA-Kinë, ndoshta më e rëndësishmja e kësaj epoke, janë në pikën e tyre më të ulët, pavarësisht shtimit kohët e fundit të ritmit të kontakteve diplomatike. Qëllimi i SHBA-së është që 2 fuqitë e mëdha, të krijojnë një bazë të qëndrueshme për lidhjet dypalëshe.

Por në rastin më të mirë, të dyja qeveritë do të jenë në gjendje të shmangin një krizë. Edhe kjo e fundit kjo është bërë më e vështirë për shkak të refuzimit të Kinës për të rifilluar dialogun në nivel ushtarak dhe për të krijuar një kanal komunikimi në rastin e krizave.

Edhe më optimistët nuk parashikojnë gjetjen e një rruge, ku të dyja vendet të bashkëpunojnë në mënyrë domethënëse mbi sfidat urgjente rajonale apo globale në të ardhmen e afërt. Ndërkohë, Kina po përballet me sfida të rëndësishme ekonomike, kryesisht për shkak të mangësive të politikës së saj.

Por edhe nëse problemet kanë lindur atje, kjo nuk do të thotë se pasojat do të mbeten të kufizuara vetëm në Kinë. Ajo që po ndodh atje, do të pengojë minimumi rritjen ekonomike globale. Në skenarin më të keq, ekziston mundësia që lidershipi i Kinës të joshet të veprojë në një mënyrë më agresive jashtë vendit, për ta zhvendosur vëmendjen nga problemet e saj ekonomike të brendshme.

Diku tjetër në rajonin e Indo-Paqësorit, Koreja e Veriut vazhdon të zgjerojë madhësinë dhe cilësinë e arsenalit të saj bërthamor. Po ashtu regjimi i Phenianit vazhdon të testojë raketa balistike gjithnjë e më të avancuara, dhe ka prezantuar së fundmi një nëndetëse të armatosur me armë bërthamore, e cila do të rritë mbijetesën e aftësive bërthamore të regjimit komunist.

Nuk ka shenja se Koreja e Veriut është e përgatitur të diskutojë, dhe aq më pak të arrijë një kompromis mbi programet e saj bërthamore ose raketore. Një shqetësim tjetër është fakti se kundërofensiva e Ukrainës, që nisi afro 3 muaj e gjysmë më parë, ka shënuar  një përparim të kufizuar.

Forcat ruse të mirë-fortifikuara, kontrollojnë ende pjesë të mëdha të lindjes dhe jugut të Ukrainës. Ky realitet, së bashku me aftësinë e Rusisë për të rritur prodhimin e armëve gjatë luftës - pavarësisht sanksioneve të udhëhequra nga SHBA - dhe importimin e armëve nga Irani dhe Koreja e Veriut, sugjeron se lufta, që tashmë ka hyrë në vitin e dytë, do të vazhdojë edhe për ca kohë.

Kuptohet se Ukraina nuk është e prirur të bëjë kompromis mbi qëllimin e saj për të çliruar të gjithë territorin e saj. Ajo vazhdon të besojë se balancat në fushën e betejës do të kthehen në favor të saj, teksa Perëndimi po i dërgon së fundmi armët e tij më të përparuara.

Nga ana e tij Putin beson se do të jetë në gjendje të përballojë kostot e luftës, dhe se reduktimi i mbështetjes amerikane dhe evropiane për Ukrainën është vetëm çështje kohe. Asnjë nga këto rrethana nuk u jep paqe-bërësve shumë hapësirë për të punuar.

Rendi botëror në kaos, ja çfarë mund të ndodhë

Në Afganistan po bëhet gjithnjë e më e qartë se talebanët e rinj, nuk janë aspak ndryshe nga të vjetrit. Në këto kushte, çështja është vetëm se në çfarë shkalle ata do ta lejojnë sërish që vendi i tyre të shndërrohet në bazën kryesore të terrorizmit. Pastaj është edhe pyetja se sa do të kontribuojnë talebanët në destabilitetin, që e ka thelluar më tej krizën e gjithanshme në Pakistan.

Numri i shteteve të brishta që vuajnë nga qeverisja e keqe, institucionet e dobëta dhe kapacitetet e kufizuara, po rritet ndjeshëm në Afrikë dhe Amerikën Latine. Nga një perspektivë globale, bota nuk po shkon shumë më mirë. Pas një pandemie që u shtri në mbarë botën dhe që i mori jetën rreth 15 milionë njerëzve, vera që sapo ka kaluar ishte më e nxehta e regjistruar ndonjëherë.

Kur kanë mbetur pak më shumë se 2 muaj të mbetur kur zyrtarët nga e gjithë bota do të mblidhen për Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP28) në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka shumë pak arsye të besohet se qeveritë janë të përgatitura t’i japin përparësi problemeve klimatike mbi prioritetet ekonomike afatshkurtra.

Së fundi, ndërsa teknologjitë e Inteligjencës Artificiale po evoluojnë me shpejtësi, nuk ka shenja të ndonjë konsensusi ndërkombëtar në zhvillim, se si të përfitohet nga dimensionet e tyre konstruktive dhe të frenohen zbatimet e tyre potencialisht shkatërruese.

Gjithsesi ka disa lajme të mira. Shembujt kryesorë janë përgjigja e fortë perëndimore ndaj agresionit rus dhe më gjerësisht vitaliteti i rinovuar i partneriteteve dhe aleancave të udhëhequra nga Amerika në Indo-Paqësorin, që synojnë frenimin e sjelljeve aventuriere të Kinës.

Në Lindjen e Mesme, Irani liroi pak ditë më parë 5 të burgosur amerikanë. Në këmbim Uashingtoni pranoi t’i japë qasje Teheranit në 6 miliardë dollarë asete të ngrira, me kushtin që këto fonde të përdoren vetëm për ushqime dhe ilaçe.

Po ashtu të dyja vendet duket se po punojnë mbi një marrëveshje - edhe pse jo një pakt formal - ku Irani do të pranonte disa kufizime në programin e tij bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare ndaj tij.

Por ashtu duket se po përparojnë dukshëm negociatat për një marrëveshje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, që do të normalizonte marrëdhëniet midis Izraelit dhe Arabisë Saudite. Nëse firmoset një pakt i tillë, ai mund të forcojë potencialisht mbrojtjen e Arabisë Saudite kundër agresionit iranian dhe do të japë më shumë shpresë për mundësinë e një zgjidhjeje diplomatike të konfliktit izraelito-palestinez.

Ndërkaq, nuk mund të shmanget realiteti se lajmi i keq peshon gjithnjë më shumë se ai i miri. Aktualisht nuk po përmbushen objektivat e zhvillimit ndërkombëtar. Samiti i fundit i G20 në Indi arriti shumë pak pozitive, ndërsa edhe takimi i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së duket se po ndjek hapat e tij.

Organi më i rëndësishëm i OKB-së, Këshilli i Sigurimit, është mënjanuar dhe do të mbetet i tillë, duke pasur parasysh se një nga anëtarët e tij me veto, po zhvillon ende një luftë që shkel parimin më themelor të Kartës themeltare të OKB-së. Në një kohë kur ka një kërkesë të madhe për një bashkëpunim efektiv ndërkombëtar, duket se ka një mungesë të tmerrshme të saj.

Shënim: Richard Haass, kreu i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë. Më herët ka qenë Drejtor i Planifikimit të Politikave për Departamentin e Shtetit të SHBA (2001-2003), i dërguari special i presidentit Xhorxh Ë.Bush në Irlandën e Veriut dhe Koordinator për të Ardhmen e Afganistanit./ “Project Syndicate” - Përkthyer dhe përshtatur nga CNA

Lajmet e fundit nga