web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

“Mbretëresha e terrorizmit”, kush ishte komunistja japoneze që tronditi botën me organizimin e dhjetëra sulmeve

8 Korrik 2023, 22:30, Blog Lira Gjika

“Mbretëresha e terrorizmit”, kush ishte komunistja japoneze

Ata e quanin atë “perandoresha e terrorit” ose “mbretëresha e terrorizmit”. Por emri i saj i vërtetë ishte Fusako Shigenobu, një nga gratë më të rrezikshme në botë, udhëheqëse e njërit prej grupeve terroriste më të frikshme. Grupi u quajt “Ushtria e Kuqe Japoneze” (Nihon Sekigun në japonisht), dhe u themelua pikërisht nga Shigenobu në vitin 1971.

Pavarësisht moshës së tyre të re, anëtarët e saj kryen shumë sulme terroriste në mbarë botën, madje edhe në Italinë fqinje. Pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, amerikanët e shpërbënë ushtrinë japoneze dhe e ndryshuan kushtetutën e vendit, duke futur një sistem politik perëndimor të ndryshëm nga ai i përdorur deri atëherë.

Kjo solli shumë përfitime, si për shembull një liri më të madhe për qytetarët dhe mundësi arsimimi për të gjitha sferat e jetës. Në vitin 1948, nga Partia Komuniste Japoneze, lindi “Zengakuren”, federata e vetëqeverisjes studentore, e cila siç e sugjeron emri, ishte një union studentor që luante një rol të rëndësishëm në ato vite.

Përmes saj, studentët (por edhe të tjerët) mund të bënin të dëgjohej zëri i tyre duke organizuar demonstrata dhe protesta, si p.sh ajo kundër pranisë së bazave amerikane në territorin japonez, apo kundër luftës në Kore.

“Mbretëresha e terrorizmit”, kush ishte komunistja japoneze

Më e dhunshme ishte protesta kundër ndërtimit të aeroportit Narita pranë Tokios, e cila filloi në korrik 1966 dhe zgjati me vite. Zengakuren u rreshtua në krah të fshatarëve që banonin në zonën e ndërtimit. Këta të fundit nuk donin të dëboheshin nga shtëpitë e tyre dhe protesta për pak sa nuk degradoi në një luftë civile.

Pas gjithë këtyre demonstratave pak a shumë të dhunshme, e majta japoneze vendosi se kishte ardhur koha për t’u qetësuar dhe për të marrë një qasje më demokratike, duke i bazuar revolucionet tek dialogu dhe mirëkuptimi, dhe duke u shkëputur nga ato fraksionet më radikale që preferonin përplasjen fizike si një mjet bindjeje.

Nga kjo ndarje, lindi në vitin 1969 edhe një grup ekstremist i quajtur “Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe” (Sekigun-ha), udhëheqësi i të cilit ishte revolucionari Shiomi Takaya. Në vitin 1970, Shiomi organizoi një sulm të ri ndaj avionit 351 të kompanisë “Japan Air Lines”.

9 anëtarë të organizatës morën peng 129 pasagjerë dhe stafin, dhe i detyruan pilotët të ndiqnin udhëzimet e tyre. Pasi avioni u furnizua me karburant në Fukuoka dhe liruan pjesën më të madhe të pengjeve në kryeqytetin e Koresë së Jugut Seul, ata u drejtuan për në Korenë e Veriut. Por pasi shkuan atje, nuk dihet se çfarë ndodhi me rrëmbyesit: disa u shpërndanë, të tjerët thuhet se qëndruan apo edhe se vdiqën.

Shiomi u arrestua, por nga burgu vazhdoi të drejtonte grupin. Pak kohë më vonë grupi gati i shpërbërë ndoqi rrugën e vet duke u distancuar plotësisht nga parimet morale të ish-liderit të tij. Pak nga anëtarët e mbetur iu bashkuan një grupi tjetër rebelësh duke formuar “Ushtrinë e Kuqe të Bashkuar” (Rengo Sekigun), të drejtuar nga Tsuneo Mori.

Pjesëmarrësit në Ushtrinë e Kuqe nuk ishin të shumtë në numër dhe mbetën vetëm 14 kur midis viteve 1971-1972, pati një spastrim të brendshëm. Gjatë një stërvitjeje të vështirë në mesin e maleve në prefekturën Gunma, ata që nuk u treguan rebelë të vërtetë ose u shfaqën si të padenjë për të qenë pjesë e ushtrisë, u linçuan dhe u vranë nga shokët.

Disa që arritën të shpëtonin i treguan gjithçka policisë, e cila shkoi në kampin e stërvitjes për të ndaluar masakrën. Autoritetet arritën të arrestonin shumicën e atyre që ishin përgjegjës - duke përfshirë udhëheqësin Tsuneo Mori dhe zëvendësin e tij Hiroko Nagata. Vetëm 5 anëtarë arritën të arratisen duke marrë me vete pushkë dhe mitralozë.

Fusako lindi në Tokio më 20 shtator 1945. Babai i saj ishte mësues dhe një nacionalist i zjarrtë. Madje kishte shërbyer në ushtrinë perandorake. Ai ishte një njeri i së djathtës ekstreme, shumë aktiv në politikë dhe nga kjo mund të nxjerrim se, me siguri, vajza e tij Fusako ishte ndikuar nga i ati për interesat e politikës.

“Mbretëresha e terrorizmit”, kush ishte komunistja japoneze

Rebelja e re ndoqi kurset e mbrëmjes në Universitetin Meiji, ndërsa gjatë ditës punonte në “Kikkoman”, kompania e famshme që prodhon salcën e sojës. Vajza, e cila nuk ishte në gjendje të përshtatej as me sistemin universitar dhe as me shoqërinë japoneze, filloi të merrte pjesë në protesta dhe në vitin 1966, dhe iu bashkua grupit “E Majta e Re”, e cila nga ana tjetër ishte pjesë e Lidhjes Komuniste Japoneze, por që vepronte në mënyrë të dhunshme.

Në mesin e viteve 1970, ajo iu bashkua lëvizjes studentore Zengakuren dhe pasi Partia Komuniste u nda në demokratike dhe ekstremiste. Fusako u bashkua me ekstremistët që donin të përmbysnin imperializmin japonez. Ajo u bë pjesë e Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe dhe ra në dashuri me një nga anëtarët, Tamiya Takamaro.

Fusako mbërriti në Liban në vitin 1971 dhe ra në kontakt me Frontin Popullor për Çlirimin e Palestinës (PFLP), falë të cilit u pajis me armë në këmbim të mbështetjes për çështjen palestineze. Pikërisht gjatë asaj periudhe Fusako themeloi “Ushtrinë e Kuqe Japoneze”.

Një nga sulmet e para të grupit të saj ishte ai i 30 majit 1972 kundër një avioni të Air France që transportonte pelegrinët nga Puerto Riko në Tel Aviv. Përveç pelegrinëve, në avion ishte edhe një shtetas kanadez dhe tre anëtarë të Ushtrisë së Kuqe.

Terroristët arritën të hipnin falë pasaportave false dhe sapo u mbyll dera ata nisën të terrorizojnë pasagjerët me pushkë dhe granata. Policia ndërhyri, duke vrarë 2 nga terroristë dhe arrestuar të tretin. Ai u dënua me burgim të përjetshëm, por në vitin 1985, iu dorëzua palestinezëve gjatë një shkëmbimi të burgosurish.

Sulmi i Tel Avivit hyri në histori si “Masakra e Aeroportit Lod”, sulmi i parë vetëvrasës në Lindjes së Mesme. Ishte një ngjarje aq domethënëse sa që besohet se ishin japonezët e Ushtrisë së Kuqe ata që u mësuan kolegëve të tyre arabë teknikën “kamikaze”.

Në korrikun e vitit 1973, anëtarët e Ushtrisë së Kuqe rrëmbyen një avion që udhëtonte nga Holanda për në Libi, duke e hedhur në erë pasi zbritën pasagjerët. Në janar 1974, ata shënjestruan një rafineri të kompanisë Shell në Singapor, por arritën të shpëtonin duke liruar pengjet në këmbim të arratisjes.

Më 13 shtator 1974, Junzo Okudaira, së bashku me Haruo Uako dhe Jun Nishikaua, planifikuan një sulm ndaj ambasadës franceze në Hagë të Holandës. Ata kërkuan nga autoritetet lirimin e shoqes së tyre Jatsuka Furuja, e cila ishte arrestuar në sulmin me bombë ndaj Shell.

Gati në të njëjtën kohë në një bar në Paris, Iliç Ramirez Sançez shpërtheu një granatë, duke vrarë dy persona dhe duke plagosur 34 të tjerë. Sulmi ishte i organizuar nga Ushtria e Kuqe në Holandë dhe shërbeu për të ushtruar presion mbi qeverinë franceze.

Sulmi i dyfishtë pati sukses: terroristët japonezë arritën lirimin e një shoqes së tyre dhe një avion i Air France i çoi në Damask të Sirisë. Në gusht 1975, Ushtria e Kuqe Japoneze zaptoi një ndërtesë në Kuala Lampur, ku gjendeshin selitë e disa ambasadave duke marrë peng 50 persona dhe kërkuar lirimin e 5 anëtarëve.

Në shtator 1976, rrëmbyen një avion të Japan Air Lines duke marrë 6 milionë dollarë nga qeveria japoneze që askush të mos vritej. Një zgjidhje kjo shumë e kritikuar nga publiku.

Ushtria e Kuqe nuk kurseu as Italinë. Në Romë, më 9 qershor 1977, brenda një ore ndodhën dy sulme: një në ambasadën britanike dhe një në ambasadën amerikane, të dyja me raketa bazuka të ndërtuara në mënyrë artizanale.

Më vonë, falë gjurmëve të gishtave, u zbulua se autori i sulmit terrorist ishte Junzo Okudaira.

Pas sulmeve të ndryshme në mbarë botën në vitet 1972-1977, Ushtria e Kuqe u zhduk për 10 vjet nga skena dhe u kthye vetëm më 13 prill 1988, kur një makinë-bombë shpërtheu në Napoli para një lokali të frekuentuar kryesisht nga ushtarë amerikanë.

Pesë njerëz humbën jetën, dhe sërish autorë ishin Okudaira dhe persona të tjerë të paidentifikuar. Vetë Japonia nuk u kursye dhe pësoi 17 sulme terroriste. Në vitin 1989, anëtarët e Ushtrisë së Kuqe ishin kryesisht të vdekur, të zhdukur ose në burg. Fusako Shigenobu, organizatorja e të gjitha sulmeve, jetoi në arrati deri në vitin 2000, kur u arrestua më 8 nëntor të po atij viti, në një hotel në Osaka ku ishte regjistrua me një emër të rremë.

Në vitin 2001, ajo deklaroi nga burgu shpërbërjen zyrtare të Ushtrisë së Kuqe Japoneze dhe në vitin 2006 pas një gjyqi të gjatë u dënua me 20 vjet burg. Duhej të lirohej në vitin 2026, por u la e lirë majin e vitit të kaluar në moshën 76-vjeçare.Pershtatur nga CNA





Lajmet e fundit nga