web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Betejat që e ndryshuan rrjedhën e historisë

1 Korrik 2023, 22:35, Blog CNA

Betejat që e ndryshuan rrjedhën e historisë

Përgjatë gjithë historisë, pak gjëra e kanë formësuar më shumë botën sesa luftërat. Nga përleshjet e përgjakshme të ushtrive të lashta që përdornin armë primitive të punuara me dorë, deri tek luftërat e sotme me dronë të drejtuar nga kompjuterët, dëshira e njeriut për të luftuar ka qenë prej kohësh pjesë e shoqërisë.

Shumë nga emrat më të mëdhenj në histori ia detyrojnë famën aftësisë së tyre për të udhëhequr ushtritë në luftë, dhe disa nga udhëheqësit më të mëdhenj të historisë kanë qenë gjithashtu disa nga luftëtarët më të mirë të saj. Edhe pse luftërat mund të vazhdojnë për vite, dekada, apo edhe shekuj në një kohë, janë gjithmonë betejat individuale ato që përcaktojnë se si do të përfundojnë gjërat, dhe ndonjëherë mund të kenë pasoja shkatërruese për qytetërimet. Ja cilat janë disa prej tyre:

Beteja e Gaugamelës

Betejat që e ndryshuan rrjedhën e historisë

Një nga mbretërit më të rëndësishëm dhe më të studiuar në histori është Aleksandri i Madh. Sundimi i tij si mbret i Maqedonisë zgjati pak më shumë se një dekadë, por ndikimi i tij zgjati për shumë kohë pas vdekjes së tij në vitin 323 para Krishtit. Dhe një nga betejat më të rëndësishme të karrierës së Aleksandrit, ndodhi në vitet e para të mbretërimit të tij, në vitin 331 para Krishtit.

Ajo ishte beteja e famshme e Gaugamelës kundër ushtrisë se Persisë. Duke pasur një ushtri 5 herë më të vogël, mbreti pers Dari u mund. Pas asaj beteje, maqedonasit vazhduan rrugëtimin e tyre në kontinentin aziatik deri në Indi, por gjithashtu shënuan fundin e Persianëve.

Betejat e Aktiumit dhe Pyllit Teutoburg

Betejat që e ndryshuan rrjedhën e historisë

Beteja e Aktiumit u nxit nga vdekja e Jul Cezarit 13 vjet më parë, që shkaktoi një luftë të egër për kontrollin e Romës. Edhe pse ekzistonte një triumvirat sundues i përbërë nga Mark Antoni, Oktaviani dhe Lepidusi, ata luftuan mes njëri-tjetrit, gjë që çoi në përballjen e ushtrive të Antonit dhe Oktavianit në Aktium në vitin 31 Para Krishtit.

Pas fitores, Oktaviani i dha fund republikës, u bë perandori i parë i Romës. Ai do të mbretëronte për disa dekada deri në vitin 14 Pas Krishtit, por pak para vdekjes së tij u zhvillua një tjetër betejë shumë e rëndësishme për Romën e lashtë: Beteja e Pyllit Teutoburg në vitin 9. Romakët luftuan ndaj fiseve gjermane të udhëhequra nga Armini, e cila përfundoi me një disfatë të rëndë të romakëve. Ajo humbje e kufizoi zgjerimin e Augustit në lindje, duke e mbajtur Gjermaninë të lirë nga zgjerimi i ndikimit romak.

Beteja e Jarmukut

Betejat që e ndryshuan rrjedhën e historisë

Ishte një nga ngjarjet më domethënëse në historinë e përhapjes së Islamit. Ajo përfundoi me një fitore të myslimanëve kundër bizantinëve, kryesisht falë udhëheqjes së Khalid ibn al-Valid. Pas vdekjes së profetit Muhamed në vitin 632, luftëtarët myslimanë vazhduan të përhapin trashëgiminë e tij.

Duke u zhvendosur në veri, myslimanët e Kalifatit Rashidun nën komandën e Khalid pushtuan Levantin, që në atë kohë ishte nën kontrollin e Perandorisë Bizantine Romake.

Ushtritë bizantine u takuan me myslimanët në lumin Jarmuk në Siri, me një forcë sa afro dyfishi i madhësisë së ushtrisë arabe.

Por arabët ishin në gjendje t’i mposhtnin për shkak të aftësive taktike superiore të Khalid dhe kalorësisë myslimane. Fitorja në Jarmuk në thelb u dha myslimanëve qasje të gjerë në Levantit, gjë që shpejt do të sillte dorëzimin e qytetit të shenjtë të Jeruzalemit.

Beteja e Tursit

Betejat që e ndryshuan rrjedhën e historisë

E zhvilluar në vitin 732 midis frankëve të udhëhequr nga Sharl Marteli dhe trupave myslimane të Kalifatir Umajad që nga Spanja synonin të përhapeshin në gjithë Evropën Perëndimore. Thuhet se ushtria myslimane mund të ketë qenë pak më e madhe në numër. Por për shkak të udhëheqjes së shkëlqyer të Martelit, frankët fituan atë ditë. Për shumë njerëz, ajo betejë e ndali pushtimin mysliman të Evropës Perëndimore, duke ruajtur dominimin e Krishterimit.

Rënia e Kostandinopojës (Stambollit)

Betejat që e ndryshuan rrjedhën e historisë

Bizantinët, ose Perandoria Romake Lindore, e bënë Kostandinopojën kryeqytetin e tyre. Ajo qëndroi si simbol i madhështisë së qytetërimit të tyre për më shumë se 1000 vjet deri në rënien e saj në vitin 1453. Perandoria Osmane e sulmoi qytetin për 60 vjet rresht, deri kur një ushtri prej 60-80.000 osmanësh mposhti qytetin e mbrojtur nga vetëm 5.000 ushtarë bizantinë.

Nën komandën e sulltan Mehmetit II dhe me topa me fuqi të lartë, myslimanët e bombarduan qytetin për gati dy muaj. Megjithëse bizantinët bënë gjithçka që mundën për të rezistuar, në fund qyteti ra pasi osmanët thyen muret e jashtme. Rënia e Konstandinopojës ndryshoi përgjithmonë peizazhin e Evropës pasi për një kohë të shkurtër ajo ra nën kontrollin e sundimtarëve myslimanë. Kjo deri në rrethimin e Vjenës në fund të shekullit XVII, kur osmanët u sprapsën njëherë e mirë.

Betejat e Valmisë dhe Vaterlosë

Betejat që e ndryshuan rrjedhën e historisë

Për shumë historianë, Revolucioni Francez është ngjarja më e rëndësishme në historinë moderne. Ai nisi në vitin 1789, dhe nga fillimi i viteve 1790 revolucionarët ishin gati të zgjeroheshin jashtë Francës, por hasën në kundërshtimin e fqinjëve të tyre.
Në Betejën e Valmisë në vitin 1792, francezët mundën prusianët dhe ndaluan sulmin e tyre. Pas ardhjes në pushtet Bonaparti vazhdoi ta zgjeronte perandorinë franceze në vende të tjera të Evropës. Por në fund u mposht në Betejën e Vaterlos në qershorin e vitit 1815. Pas disfatës, Napoleoni u internua nga britanikët në ishullin e Shën Helenës, ku vdiq 6 vite më vonë.

Beteja e parë e Marnës

Betejat që e ndryshuan rrjedhën e historisë

Nëse Beteja e Parë e Marnës do të kishte shkuar ndryshe, harta e Evropës ndoshta do të dukej shumë ndryshe. Pasi pushtimi gjerman i Belgjikës nisi Luftën e Parë Botërore në gusht 1914, përparimi i trupave gjermane nga Belgjika në Francën Veriore ishte i shpejtë.

Teksa përparimi i gjermanëve kërcënonte kryeqytetin francez Paris, Beteja e Parë e Marnës u bë një nga më të rëndësishmet e të gjithë luftës. Beteja epike nisi më 6 shtator 1914. Francezët zbuluan një dobësi në linjat gjermane, të cilën e shfrytëzuan me shumë sukses.

Me mbërritjen e përforcimeve, francezët ishin në gjendje të ndalonin sulmin gjerman dhe të shpëtonin Parisin nga pushtimi.

Beteja e Moskës

Betejat që e ndryshuan rrjedhën e historisë

Beteja e Moskës ishte pjesë e operacionit të madh gjerman Barbarossa, të cilin ata e nisën në verën e vitit 1941. Me atë sulm të befasishëm ndaj Bashkimit Sovjetik, gjermanët shkelën traktatin e paqes që kishin nënshkruar me sovjetikët vetëm 2 vjet më parë. Në fillim, përparimi i gjermanëve ishte i jashtëzakonshëm dhe deri në shtator ata arritën në afërsi të Moskës.

Por në momentin vendimtar rusët qëndruan të patundur dhe i detyruan gjermanët të tërhiqeshin nga Moska në janarin e vitit 1942. Pas atij dështimi, gjermanët nuk patën më një shans më të mirë për ta fituar luftën. Edhe ofensiva e tyre e radhës ndaj Stalingradit ishte një dështim po aq i madh.

Marrë me shkurtimePërkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga