web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kërcënimi nga Rusia mbetet aty, Evropa duhet të merret seriozisht me mbrojtjen e saj

15 Korrik 2023, 22:20, Blog Paul Taylor

Kërcënimi nga Rusia mbetet aty, Evropa duhet të merret seriozisht

Sido që të përfundojë lufta e Rusisë në Ukrainë, Evropa po sheh me shqetësim atë që rezervon e ardhmja. Një Rusi e plagosur dhe hakmarrëse, do të mbetet një kërcënim për sa kohë do të mbetet në pushtet Vladimir Putin apo pasardhës që kanë të njëjtën mendësi dhe ndajnë të njëjtat ide me të.

Dhe nuk ka asnjë mënyrë për t’u rikthyer në rendin e sigurisë së pas Luftës së Ftohtë, i cili nu godit fort që nga sulmi i Moskës ndaj Gjeorgjisë në vitin 2008, pësoi të çara serioze nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014, dhe u shkatërrua nga pushtimi rus në shkallë të plotë i Ukrainës më 24 shkurt të vitit të kaluar.

Fundi i epokës së neglizhencës në sektorin e mbrojtjes do të jetë i kushtueshëm për Evropën, dhe do të imponojë zgjedhje të dhimbshme midis “armëve dhe gjalpit”, të cilat do t’u duken veçanërisht të pakëndshme atyre në kampin e majtë.

Pas hezitimeve fillestare në Berlin dhe Paris, vendet evropiane i kanë shtuar dërgesat e armëve dhe municioneve në Ukrainë, dhe shumë prej tyre  - përfshirë Britaninë e Madhe - duhet të forcojnë ushtritë e tyre të dobësuara nga 3 dekada kursime të “dividendit të paqes”.

NATO, që këtë javë mban samitin e saj vjetor në Vilnius, e ka përforcuar krahun e saj lindor, por është nën presionin e shteteve baltike dhe Polonisë - të cilët ndjejnë një kërcënim ekzistencial nga Rusia - për të shkuar shumë më tej dhe për të forcuar më shumë kufijtë e tyre.

Është e kuptueshme që duke parë se çfarë ndodhi me Ukrainën, liderët e vendeve baltike nuk duan që të shohin mizori të ngjashme me ato në Buça në territorin e tyre, dhe po kërkojnë mbrojtje më të madhe të vijës së parë.

Megjithatë, siç më tha kryetari i komitetit ushtarak të NATO-s, admirali Rob Bauer, nëse do të stacionohej përherë një brigadë në kufirin e secilit prej 7 vendeve në krahun lindor të aleancës, 6 do të ishin në vendin e gabuar nëse do të ndodhte një sulm nga Rusia. 

Përforcimi i shpejtë nga baza qendrore në Poloni dhe Evropën Perëndimore, mbetet strategjia më e mirë, me kushtin që evropianët të kryejnë investime serioze në infrastrukturë, logjistikë dhe në mbrojtjen ajrore për ta bërë atë funksionale.

Anëtarësimi i Finlandës dhe së shpejti i Suedisë, do ta forcojë NATO-n në Baltik dhe Arktik. Por me rezervat e municioneve që janë jashtëzakonisht të vogla dhe me shumë pajisje që nuk janë gjendje pune, veçanërisht në Gjermani, do të duhet një program i madh investimi shumëvjeçar.

Forcat e armatosura evropiane janë të përshtatshme për këtë qëllim. Pasi ka parë 2 ish-ushtritë sovjetike të shekullit XX-të të zhvillojnë një luftë shkatërruese, kryesisht në stilin e shekullit XX-të në Ukrainë, NATO duhet të jetë e kujdesshme për ta përqendruar shumicën e investimeve të saj në mbrojtje, dhe në zhvillimin e luftës me platforma metalike të rënda si tanke, avionë luftarakë dhe aeroplanmbajtëse.

Për të qenë të besueshëm dhe për ta penguar agresionin, aleanca ka nevojë për më shumë tanke funksionale sesa ka sot. Por lufta ka treguar se aftësitë e shekullit XXI-të si vëzhgimi i hapësirës përmes dronëve në kohë reale, municionet që shënjestrojnë me saktësi, dronët e armatosur, inteligjenca e grumbulluar dhe armët anti-tank relativisht të lira, mund ta mposhtin armaturën dhe artilerinë ruse.

Mënyra më e arsyeshme për të shmangur humbjet, do të ishte që evropianët të blinin së bashku shumicën e armëve të tyre, sistemeve të komunikimit, kapaciteteve logjistike dhe municioneve, siç kanë filluar të bëjnë me furnizimin e Ukrainës me municione të standardeve të NATO-s.

Ndërsa Britania e Madhe ishte mbështetja më e shpejtë dhe më e zëshme e Ukrainës, Bashkimi Evropian ka pësuar transformimin e tij ndoshta më të madh, nga një organ rregullator ekonomik tejet civil, në një lojtar gjeopolitik. E kush mund ta imagjinonte që

BE-ja të shpenzonte miliarda euro fonde të përbashkëta për të furnizuar me armë një vend fqinj të përfshirë në luftë?

Gjithsesi, mbrojtja mbetet prerogativa kombëtare që mbrohet më me fanatizëm, dhe ministritë e mbrojtjes janë shumë ngurruese për të bashkuar dhe ndarë pajisjet edhe me aleatët e NATO-s, në një kohë që politikanët duan fabrika armësh në terrenin e tyre (mundësisht në zonat e tyre elektorale) në vend se t’u bashkohen partnerëve evropianë për të pasur më shumë efikasitet.

Betejat mbi kontrollin kombëtar të industrive të mbrojtjes, pronësinë e teknologjive dhe eksportet e armëve, po vështirësojnë si nismat e NATO-s për të racionalizuar investimet në mbrojtje, ashtu edhe përpjekjet e Komisionit Evropian për të shtuar prodhimin e municioneve.

Nëse skema e përbashkët e BE -së për ndihmën e Ukrainës, ia arrin qëllimit të saj për ta furnizuar me 1 milion predha artilerie këtë vit, ajo duhet të zgjerohet për të përmbushur nevojat e tjera të përbashkëta. Dhe BE-ja duhet të marrë në konsideratë huamarrjen e përbashkët për të financuar mundësitë e përbashkëta të mbrojtjes, siç është transporti ajror strategjik.

Rritja e taksave për të shtuar investimet në mbrojtje, do të jetë diçka e vështirë duke pasur parasysh kërkesat konkurruese të tranzicionit të energjisë së gjelbër, kujdesit shëndetësor publik pas pandemisë dhe përshtatjes së shoqërive me të ardhmen dixhitale.

Evropianët kanë qenë shumë me fat që kanë udhëheqjen konsensuale transatlantike të presidentit Xho Bajden. Mjafton vetëm të imagjinoni rrëmujën që do të ishte krijuar nëse kur tanket e Putinit hynë në Ukrainë në Shtëpinë e Bardhë do të kishte qenë Donald Trump, apo nëse ai do të kthehet pas zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm në SHBA.

Prandaj, udhëheqësit evropianë duhet të bëjnë më shumë për mbrojtjen e tyre, jo vetëm për shkak të kërcënimit rus, por edhe sepse nuk mund të llogarisin pafundësisht se do të jetë  SHBA-ja, ajo që do të vazhdojë të mbajë pjesën më të madhe të barrës së rëndë për mbrojtjen e Evropës.

Uashingtoni po synon të orientojë më shumë nga burimet në konkurrencën e tij strategjike me Kinën. Për këtë arsye, ne evropianët duhet të plotësojmë boshllëqet, nëse dhe kur forcat amerikane të zhvendosen kryesisht në Azi. Fshehja e kokës në rërë si struci në raport me çështjen e mbrojtjes ka qenë një sjellje e njëjtë nga të dyja kampet ideologjike.

Udhëheqësit konservatorë si Angela Merkel, nuk ishin më të etur sesa socialistët për të investuar tek aftësitë ushtarake. Megjithatë disa në të majtë - si për shembull në Gjermani - imagjinojnë se forcimi i mbrojtjes së Evropës përballë një botë më brutale dhe me një lider agresiv në Kremlin që është i etur të shfrytëzojë dobësitë perëndimore, është deri diku një komplot i të djathtës, dhe kryesisht i kompleksit ushtarako-industrial për të devijuar fondet që janë shumë të nevojshme për shkollat, spitalet dhe transportin publik.

Në fakt nuk është kështu. Mjafton të shihni se çfarë ka ndodhur me shkollat, spitalet dhe hekurudhat në Ukrainë, për të kuptuar se mbrojtja nuk është aspak një shpërqendrim nga forcimi i strukturës sonë shoqërore, por një mbrojtje thelbësore për të.

Shënim: Paul Taylor, anëtar i think-tankut “Friends of Europe”, dhe autor i raportit “Pas luftës:Si ta mbajmë të sigurt Evropën”./ “The Guardian” - Pershtatur nga CNA





Lajmet e fundit nga