web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pse lidhja midis testit të inteligjencës (IQ)  dhe gjenialitetit është një gënjeshtër

15 Korrik 2023, 21:25, Blog CNA

Pse lidhja midis testit të inteligjencës (IQ)  dhe gjenialitetit

Ndonjëherë ndodh që në rrjet të hasim reklama, në të cilat ekspertë dhe kompani nga sektorë të ndryshëm, për të promovuar kurse apo aplikacione për stërvitjet e mendjes, bazohen tek Koeficienti i Inteligjencës (IQ) së gjenive të së shkuarës.

Ata citojnë rezultate të bujshme të testeve nga shkencëtarë si Leonardo Da Vinçi, Isak Njuton dhe Albert Ajnshtajn, të lidhur zakonisht me një rezultat prej 160. Problemi është se këto rezultate janë të sajuara. Ato janë thjesht vlerësime, sepse asnjë nga ata shkencëtarë nuk i është nënshtruar ndonjëherë një testi IQ.

Në fakt ekzistojnë disa teste të IQ, por të gjitha ato burojnë nga një lloj vlerësimi psikologjik i krijuar në fillim XX, për të matur aftësitë njohëse të njerëzve në mënyrën më objektive të mundshme në raport me moshën e tyre. Në kontekstin anglo-sakson, testi përdoret gjerësisht në sektorët skolastikë, profesionalë, mjekësorë dhe shkencorë.

Suksesi i tij bazohet kryesisht tek praktika e tij:fakti që lejon të shprehet në mënyrë sintetike diçka aq komplekse, e pakapshme dhe e shumë-anshme sa inteligjenca e njeriut. Por besueshmëria e testit dhe dobia e IQ-së si një mjet anketimi, ka qenë prej vitesh objekt reflektimesh dhe studimesh, të cilat janë fokusuar tek kufijtë dhe rreziqet e matjes së inteligjencës në bazë të një testi të standardizuar.

Kufijtë janë të njohur edhe për shumicën e institucioneve dhe profesionistëve që e përdorin rregullisht këtë test, duke e cilësuar atë si një mjet të dobishëm, por të pamjaftueshëm, rezultati i të cilit kërkon një interpretim kritik dhe të kontekstualizuar si duhet në kuadrin e llojeve të tjera të vlerësimit.

Një nga kufizimet kryesore të njohura të testit IQ, është se ai bëhet i pabesueshëm pasi rezultatet largohen nga ato afër mesatares së popullsisë, dhe janë më të rrezikuara të ndikohen nga ndryshore mashtruese. Është arsyeja pse një pikavarash shumë i ulët, më pak se 70, nuk është një kriter i mjaftueshëm për diagnostikimin e aftësisë së kufizuar intelektuale.

Po ashtu, një rezultat më e lartë se 130 pikë, nuk është domosdoshmërisht një indeks i gjenialitetit. Versionet e para të testit të IQ-së u zhvilluan në Francë në vitin 1905 nga psikologët Alfred Bine dhe Teodor Simon, me synim identifikimin e hershëm të fëmijëve me vështirësi në të mësuar, dhe që do të kishin nevojë për ndihmë gjatë shkollimit të tyre.

Ishte psikologu amerikan i Universitetit të Stanfordit, Luis Terman, ai që e prezantoi atë test në Shtetet e Bashkuara në vitin 1916 dhe e zgjeroi përdorimin e tij. Pasi e përktheu nga frëngjishtja në anglisht, ai e standardizoi atë për një numër të caktuar fëmijësh, dhe krijoi një nga testet më të njohura dhe më të përhapura ende sot, Stanford-Binet, i bindur se testi mund të përdorej edhe për arsye të kundërta me atë të imagjinuar nga Bine dhe Simon:për të identifikuar fëmijët e shkëlqyer.

Testi u përball që në fillim me disa kritika, përfshirë atë të gazetarit amerikan Uollter Lipman, që shkroi në revistën New Republic :”E urrej paturpësinë që përmban pretendimi, se në 50 minuta është e mundur të gjykohet dhe klasifikohet përshtatshmëria e paracaktuar në jetë e një qenieje njerëzore”.

Pavarësisht kritikave, testi - që mat aftësitë në një shkallë relative dhe jo absolute, të përcaktuar nga mosha apo ndryshore të tjera - ishte shumë i suksesshëm dhe vazhdoi të përhapej. Në vitet 1930, fëmijët me IQ të lartë dërgoheshin në klasa më kërkuese për t’i trajnuar për në universitet dhe për punë me pagesë të lartë.

Për të vërtetuar besueshmërinë e testit, Terman mendoi të testonte një grup mjaft të madh nxënësish në Kaliforni, duke zgjedhur ata me rezultatet më të larta dhe për të gjurmuar përparimin e tyre gjatë adoleshencës dhe në moshën madhore në një studim të madh e të gjatë në kohë.

Midis dhjetëra mijëra fëmijëve, u zgjodhën 1528 me pikët më të larta, 856 meshkuj dhe 672 femra, me një moshë mesatare 11 vjeç dhe një IQ mesatare 151, gati të gjithë të bardhë dhe nga familje të pasura apo të shtresës së mesme. Rezultatet e hulumtimit u botuan nën titullin “Studime gjenetike të gjenive”, me 5 vëllime midis viteve 1925- 1959.

Njerëzit që studionte Terman u bënë profesorë, doktorë, juristë, shkencëtarë, inxhinierë dhe profesionistë të tjerë, por asnjëri prej tyre nuk u bë kurrë ai që shumë njerëz do ta konsideronin një gjeni, shkroi në vitin 2018 në revistën “Nautilus” Din Simonton, profesor psikologjie në Universitetin e Kalifornisë.

Dy prej tyre, Robert Sirs dhe Li Kronbah, u bënë psikologë të famshëm në Universitetin e Stanfordit dhe morën përsipër studimin e vjeër pas vdekjes së Termanit. Sipas Simonton ata ishin psikologë të nderuar, por jo gjeni si Sigmund Frojd apo Zhan Pizhe.

Shumë pjesëmarrës në studimin e Termanit nuk arritën as të diplomoheshin apo të gjenin punë që kërkonin arsimin e lartë. Për të mos përmendur gratë, disa prej të cilave nuk ishin shumë të suksesshme pavarësisht IQ-së befasuese mbi 180. Por duhet të merret parasysh fakti se ato jetonin “në një kohë kur të gjitha gratë pritej të bëheshin shtëpiake, pavarësisht sesa të zgjuara mund të ishin”.

Gjithsesi në çdo rast, IQ-të e burrave të suksesshëm nuk ishin aq të ndryshme nga ajo e gjithë të tjerëve. Një tjetër fakt i jashtëzakonshëm, kontribuoi në dobësimin e mëtejshëm të hipotezës fillestare të Termanit. Nga rreth 168.000 fëmijë që ai vlerësoi në përgatitjen e studimit, një nga shumtët që nuk u zgjodh ishte Luis Alvarez, një djalë nga San Francisko i cili iu nënshtrua testit kur ishte 10 vjeç, në vitin 1921, dhe mori një rezultat shumë të ulët ndaj u skualifikua.

Gjithsesi ai fitoi një doktoraturë nga Universiteti i Çikagos dhe u bë një nga fizikantët më të rëndësishëm të shekullit XX-të. Për kontributin e tij në studimin e grimcave elementare ai mori çmimin Nobel në Fizikë në vitin 1968. Një fëmijë tjetër dështoi në testin e Terman:Uilliam Shoklej, i lindur në Palo Alto, 1 vit para Alvarez.

Ai u diplomua në Institutin e Teknologjisë në Kaliforni dhe u doktorua nga Institutin e Teknologjisë në Masaçusets. Së bashku me dy studiues të tjerë nga laboratori, ndërtoi prototipin e parë të një transistori të prodhuar në vitin 1947, dhe fitoi çmimin Nobel për fizikë në vitin 1956.

Fëmijë të tjerë që refuzoi Terman nuk e fituan Nobelin, por të paktën dy u bënë gjeni në fushën e tyre. Ata studiuan muzikë dhe tani konsiderohen njëzëri ndër violinistët më të mëdhenj të shekullit XX:Jehudi Menuhin dhe Isak Shtern. Në një intervistë të vitit 2004, astrofizikani Stefën Houking tha nuk e kishte idenë se cila ishte IQ-ja e tij, dhe i quajti “humbës” njerëzit që mburren me IQ e tyre.

Ajnshtajnit, që i atribuohet gabimisht një IQ 160, dështoi herën e parë në provimin e pranimit në Politeknikun e Zyrihut në vitin 1895. Ai doli shkëlqyer në seksionet e matematikës dhe fizikës, por jo në testin e përgjithshëm, në të cilën ai u penalizua nga njohja ende e dobët e frëngjishtes në atë kohë, gjuha e provimit dhe një gjuhë e dytë për të.

Hipoteza më realiste, siç sugjerohet së fundmi nga neuroshkencëtari amerikan Erik Hol, është se Ajnshtajni do të kishte marrë një rezultat jo të jashtëzakonshëm në një test IQ, të ngjashëm me atë të Fejnman (125), Uotson dhe gjenive të tjerë.

Marrë me shkurtimePershtatur nga CNA





Lajmet e fundit nga