LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Fuqia befasuese e memeve në internet

8 Tetor 2022, 09:20, Blog Helen Brown

Fuqia befasuese e memeve në internet

Për pjesën më të madhe të botës, ato janë thjesht foto zbavitëse të një lepurushi vizatimor të ulur pranë një tasi me oriz. Por në Kinë, ku këto imazhe kanë qarkulluar dendur nëpër rrjetet sociale, ato kanë një kuptim më të thellë dhe më serioz.

“Lepurushi i orizit” (??), siç njihet ky koleksion imazhesh dhe emoji, u shfaq në vitin 2018 si pjesë e lëvizjes globale #MeToo midis grave, për të denoncuar ngacmimet seksuale. Në Kinë, ku censura shtetërore reagoi shumë shpejt kundër fushatës, përdoruesit e internetit u detyruan të gjenin një alternativë për të koordinuar lëvizjen në vendin e tyre.

Atëherë u përdor lepuri i orizit. Si imazh ai duket mjaft i padëmshëm. Por kur fjalët për dy subjektet në dukje pa lidhje mes tyre thuhen me zë të lartë, atëherë bëhet i qartë kuptimi i vërtetë. Ato shqiptohen “Me Too” (Edhe unë).

Fuqia befasuese e memeve në internet

Nëpërmjet përdorimit të këtij homofoni transgjuhësor, gratë në Kinë mundën të ndajnë për një fare kohe historitë e tyre, dhe ta përhapin fjalën për lëvizjen #MeToo brenda një vendi që mund të jetë shumë dyshues ndaj lëvizjeve shoqërore të organizuara.

Në pamje të parë, memet e internetit janë një burim argëtues i kudondodhur. Ato janë një mënyrë, përmes së cilës njerëzit e shprehin veten përmes shablloneve të ri-përziera me zgjuarsi me tekste, imazhe dhe video. Ato janë padyshim pjesa më e klikuar e përmbajtjeve në mediave sociale, dhe shpesh na ofrojnë disa minuta zbavitje dhe humor.

Por sipas studiuesve që analizojnë format moderne të komunikimit, memet kanë edhe një anë serioze. Ato janë një gjuhë në vetvete, të pajisura me një kapacitet për të kapërcyer kulturat dhe për të ndërtuar identitete kolektive midis njerëzve. Këto shaka vizuale të ndashme me të tjerat, mund të jenë mjete të fuqishme për vetë-shprehje, lidhje, ndikim social dhe madje edhe përmbysje politike.

“Memet e internetit janë një nga treguesit më të qartë të faktit që ekziston kultura dixhitale”- thotë Paolo Gerbaudo, lektor në politikën dixhitale dhe drejtor i Qendrës për Kulturën Dixhitale në Kolegjin Mbretëror të Londrës. Ai i cilëson memet “një lloj gjuhe të gatshme me shumë lloje stereotipash, simbolesh, situatash, që njerëzit mund ta përdorin, ashtu si emoji-t, për të përcjellë një përmbajtje të caktuar”.

Sipas Instagram, të paktën 1 milion postime që përmendin “meme” u shpërndanë çdo ditë gjatë vitit 2020. Por çfarë është ajo që e bën meme-n kaq popullore, dhe pse është një mënyrë kaq efektive për të përcjellë ide? Natyrisht, memet kanë ekzistuar shumë kohë përpara popullaritetit të tyre aktual në epokën e mediave sociale.

Fuqia befasuese e memeve në internet

Termi ”meme” u shpik në vitin 1976 nga biologu evolucionar, Riçard Doukins, në librin e tij “Gjeni egoist”. Duke krahasuar pjesë të veçanta të kulturës njerëzore që përhapen midis njerëzve me gjenet, Doukins e shkurtoi fjalën e greqishtes së lashtë “mimeme” në meme.

Ai i cilësoi memet melodi, ide, fraza tërheqëse apo pjesë informacioni, që kapërcejnë nga truri në tru përmes imitimit, duke e përshpejtuar transmetimin e tyre. Ai e shpiku këtë term për të nënvizuar se si mund të përsëritet kultura njerëzore. Në këtë kuptim, memet kanë ekzistuar ndoshta që kur njerëzit kanë pasur kultura që kanë ndarë me njëri-tjetrin.

“Ne e shohim përsëritjen e realitetit të zakonshëm në shumë forma arti”- thotë Idil Galip, studiuese në Universitetin e Edinburgut, Skoci, dhe themeluese e Rrjetit Kërkimor të Studimeve mbi Meme-t.

“Ato kanë ekzistuar që në kohët e lashta. Por përdoruesit e internetit i nxitën ekspert t’i analizojnë memet më shkencërisht”- thotë Limor Shifman, profesor i komunikimit në Universitetin Hebraik të Jerusalemit.

Studiuesit e Facebook treguan në një studim vitit 2014, se sa mund të përhapen dhe evoluojnë memet e postuara në faqen e mediave sociale. Për shembull, ata gjetën 121.605 variante të ndryshme të një meme-je të veçantë të postuar në 1.14 milion përditësime të statusit. Përkufizimi i Shifman mbi memet, që tani përdoret gjerësisht në këtë fushë, i përshkruan

ato si “një grup tekstesh me karakteristika të përbashkëta, me një thelb të përbashkët të përmbajtjes, formës dhe qëndrimit”. Memet prekin vetëdijen kolektive në internet, dhe quhen ndryshe edhe folklor dixhital, ose “Netlore”.

Fuqia befasuese e memeve në internet

“Ne mund të shohim jo vetëm mënyrat e reja se si njerëzit i bëjnë gjërat apo se si ata shprehen në publik, por edhe disa nga temat, ankthet apo dëshirat që kanë ata. Që të gjitha këto çështje komplekse pasqyrohen në elementë të tillë si memet”-thotë Gerbaudo.

Por që një ide të bëhet meme, ajo duhet të ndahet me të tjerët. Shumica e memeve të suksesshme në internet ndajnë disa tipare kryesore. Zakonisht memet më virale dhe më të pëlqyera, janë ato që kanë të bëjnë me gjëra që janë shumë të reja në kujtesën publike thotë Galip.

Por shpesh ato janë edhe “diçka që ishte e rëndësishme për shumë njerëz”, shton ajo.

Zakonisht memet virale i bëjnë apel emëruesit më të zakonshëm të përbashkët. Kështu për të kuptuar se çfarë thotë një meme, nuk duhet domosdoshmërisht të përfshiheni në subkulturën e internetit.

Një studim zbuloi se memet që nxisin një reagim më të fortë emocional, kishin më shumë gjasa të ndaheshin me të tjerët në rrjetet sociale. Njerëzit kishin gjithashtu më shumë gjasa të shpërndanin video qesharake në vend të atyre të të neveritshme apo që nxisin zemërim.

Shumë nga ne filluan të kenë një vlerësim të ri për memet gjatë pandemisë së Covid-19, si një burim i mirëpritur i përmirësimit të humorit. Një studim i kryer gjatë bllokimit të vitit 2020 në Spanjë nga Luçia-Pilar Kancelas-Uvina, profesoreshë e didaktikës së gjuhës dhe letërsisë në Universitetin e Kadizit, zbuloi se humori ishte një tipar thelbësor i memeve të ndara në rrjetet sociale.

Fuqia befasuese e memeve në internet

Por që të tërheqin vëmendjen tonë, memet nuk duhet që të na bëjnë domosdoshmërisht për

të qeshur. “Humori është i rëndësishëm në popullarizimin e kësaj forme të të shprehurit, dhe njerëzve u pëlqen të përhapin përmbajtje gazmore. Por edhe nëse nuk përmban humor, pra nëse është shqetësuese, nëse i zemëron njerëzit, ata sërish do ta ndajnë atë me të tjerët”- shton Shifman.

Një shembull është shpërndarja e memeve për luftën në Ukrainë. Po ashtu, memet kanë gjithashtu një mënyrë të çuditshme për të kapur një ndjenjë, përvojë ose gjendje shpirtërore që rezonon me njerëzit. Një studim i kohëve të fundit zbuloi se njerëzit me depresion, i vlerësuan si më shumë humoristike memet e lidhura me depresionin. Studiuesit sugjerojnë se memet e portretizojnë në mënyrë elegante përvojën e depresionit, të cilën disa mund ta kenë të vështirë ta shprehin.

Galip thotë se memet e veçanta nuk synojnë të bëhen virale. Zakonisht ato synojnë të krijojnë gjëra të tilla si përkatësia brenda grupit, pra diçka që forcon një ndjenjë identitetare. Por memet mund të kenë një ndikim edhe mbi këndvështrimin tonë.

Xhoshua Nieuburt, që studion dukurinë e keqnformimit në Universitetin e Merilend në SHBA dhe në Universitetin e Okinauas në Japoni, thotë se memet mund të konsiderohen si një ekuivalenti dixhital modern i fletëpalosjeve propagandistike.

Sipas tij memet janë përdorur shpesh për të mbështetur ose minuar argumentet për kufizimet dhe vaksinimet ndaj Covid-19, duke përdorur humorin dhe sarkazëm për të delegjitimuar qëndrimet e njerëzve në të dyja anët e debatit. Ndërkohë memet politike janë një mënyrë efektive për të nxitur pjesëmarrjen politike.

Sipas një studimi, 30 meme politike video ose gif (kryesisht të krijuara nga qytetarët) grumbulluan më shumë se 45 milionë shikime gjatë zgjedhjeve parlamentare në Britani në vitin 2017. Kohët e fundit, qeveria ukrainase filloi të publikojë meme në llogarinë e saj zyrtare në Twitter në fillim të luftës me Rusinë, si një mënyrë për të mbledhur mbështetjen e popullit.

Memet mund të përdoren edhe si mjete për përcjelljen e zemërimin dhe pakënaqësisë politike Aktivizmi dixhital në formën e memeve, është një formë e rëndësishme shprehjeje për njerëzit që jetojnë brenda regjimeve shtypëse ku debati i hapur kundër estabilishmentit është i papranueshëm në mediat kryesore.

Por memet mund të kenë një anë edhe më të errët. Ato mund të ndihmojnë në përhapjen e keqinformimit dhe të teorive konspirative, të cilat mund të kenë ndikime në botën reale, siç u bë e dukshme gjatë pandemisë Covid-19.

Por ndërsa memet po përhapen dhe po e ndryshojnë formën me një shpejtësi rrufe, a mund të presim që ato të ekzistojnë si një formë shprehjeje në të ardhmen?  “Ky format komunikimi do të jetë këtu me ne për një kohë të gjatë, sepse është një mënyrë shumë e qëndrueshme për të shprehur individualitetin dhe komunitetin tuaj”- thotë Shifman. Por nëse memet janë një forcë për “mirë” apo “keq”, kjo varet kryesisht nga mënyra se si ne zgjedhim t’i përdorim ato.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

08:32 Blog “National Riview”

Kasapët e Iranit

Demonstruesit kanë dalë sërish në rrugë për të sfiduar reg...

Lajmet e fundit nga