LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Islanda, ishulli i akullit dhe zjarrit, ku 1 në 10 banorë ka shkruar një libër

25 Shtator 2022, 17:05, Blog CNA
Islanda, ishulli i akullit dhe zjarrit, ku 1 në 10 banorë ka shkruar
Foto ilustruese

Nga Sara Gandolfi “Corriere della Sera”

Bibliotekarja e vogël nga Egilstazir, qytezë me 3000 banorë që ndodhet në brigjet e lumit Lagarljot, në rajonin e Fjordeve Lindore, na mirëpret me buzëqeshje. Ajo është 24-vjeçe, me një fytyrë rrumbullake dhe me tipare të paqarta aziatike, me sytë ngjyrë smeraldi në jeshile dhe me flokët shumë të zeza, që do t’i kishte zili këngëtarja post-punk Bjork, bashk-atdhetarja e saj më e famshme në botë.

Në katin e dytë të godinës të lyer me ngjyrë të kuqe dhe të bardhëm, ndodhet mbretëria e saj. Mijëra libra të mbyllur në një sallë të vetme të madhe. Në pjesën qendrore, ndodhet një pemë metalike me shumë fletë të vogla shënimesh, të varura në formën e gjetheve, dhe që përmbajnë secila titullin e librit të lexuara dhe emrin e personit që i ka lexuar. 

Islanda, ishulli i akullit dhe zjarrit, ku 1 në 10 banorë ka shkruar
Foto ilustruese

“Ajo shërben për t’i nxitur fëmijët të lexojnë. Çdo javë ai që ka më shumë copa të vogla letre të varura në një pemë fiton një shpërblim në para. Midis realitetit dhe legjendës, BBC pretendon se 1 në 10 islandezë shkruan romane ose poezi. Në këtë ishull të madh vullkanik që duket si i humbur në mes të Atlantikut, askush nuk guxon që ta kundërshtojë këtë të dhënë, edhe pse nuk dihet burimi nga ku është marrë.

“Leximi ka qenë gjithmonë i rëndësishëm në jetën shoqërore të islandezëve”- thotë Rósa Bjorg Jonsdotir, librashitëse dhe menaxhere e katalogut të Bibliotekës Kombëtare Islandeze, si dhe konsulle nderi e Italisë në Rejkjavik. Në Islandë nuk kishte asnjë televizion deri në vitin 1966, kur u krijua kanali i parë shtetëror.

Ai transmetonte pak programe vetëm në mbrëmje. Kjo deri në vitin 1987, kur u themelua kanali i parë privat. “Ndaj lexojmë dhe shkruajmë vazhdimisht, sidomos zhanrin thriller. Nuk e di nëse ka të bëjë me izolimin gjeografik apo sepse këtu numri i vrasjeve është pothuajse zero”- thotë ajo.

Kjo që po vizitoj është një nga mini-bibliotekat që ofron librat falas nëpër Islandë. Në proporcion me numrin e vogël të popullsisë, numri i shkrimtarëve dhe i poetëve është ndër më të lartët në botë. Edhe përqindja e lexuesve është gjithashtu e lartë. Në vend, tradita e sagave norvegjeze ishte vendimtare, e “trashëguar” nga kolonizatorët norvegjezë dhe më pas e ripunuar nga vendasit.

Në këtë vend ditët e dimrit janë të gjata dhe të errëta, kur dielli të zhduket që në orën 3 pasdite, dhe nëse gjithçka shkon mirë mund të shfaqet në horizont rreth orës 11 të mëngjesit. Kjo rrethanë, izolimi i gjatë në shtëpi, por edhe fakti që në familjet dhe shkollat islandeze fëmijëve u mësohet se leximi nuk është detyrim, por argëtim.

Pra në Islandë lexohet shumë dhe shpesh njerëzit bëhen shkrimtarë. Kjo ka ndodhur edhe me Leonardo Piçionev, një italian nga Murge, që mbërriti një ditë në ishull, dhe nuk u largua kurrë prej andej. “Islanda është një sëmundje”, kështu nis librit të tij “Libri i vullkaneve të Islandës” (Iperborea), dhe kjo mjaftoi që ta bindte të vendosej me banim në Husavik, një fshat peshkatarësh dhe ku vëzhgohet balenat.

Madje aty ndodhet një muze kushtuar Eurovizionit, nga i cili duket se islandezët po çmenden. “Islandezët janë epikurianët e veriut. Ata janë kreativë dhe me një temperament që ndryshon nga çasti në çast. Tamam si moti këtu. Një fjalë e urtë islandeze thotë “Nëse nuk të pëlqen moti, prit 5 minuta”- thotë Piçione.

Islanda, ishulli i akullit dhe zjarrit, ku 1 në 10 banorë ka shkruar
Foto ilustruese

Një moment Dielli shkëlqen. Pak minuta më vonë mund të bjerë breshër. Pastaj janë 30 e ca vullkanet, që janë gjithmonë të gatshëm të shpërthejnë dhe të errësojnë tërësisht qiellin përmes hirit që lëshojnë në atmosferë. Sapo arrijnë moshën madhore të rinjtë largohen nga vendi, udhëtojnë nëpër botë dhe studiojnë jashtë.

Pastaj rikthehen këtu për të rritur fëmijët e tyre. Puna nuk mungon, pagat janë të larta, dhe shërbimet sociale shumë cilësore. Këtë e konfirmon vullkanologia italiane Sara Barsoti, koordinatore për rrezikun vullkanik në Qendrën Meteorologjike Islandeze. Ajo u shpërngul këtu në vitin 2012, bashkë me fëmijët e saj të vegjël, dhe nuk është penduar asnjëherë.

“Për fëmijët kjo është tani shtëpia e tyre. Jeta këtu është e lehtë. Ne e vizitojmë shpesh Italinë, por më pas rikthehemi me kënaqësi në Islandë”- thekson ajo.

Ndërkohë si popull, islandezët janë një paradoks i gjallë. Edhe pse të etur për Evropën, ata i thanë jo referendumit për pranimit në BE. Krenar për një gjuhë të vështirë që e flasin vetëm ata, 370.000 njerëz, sot kanë frikë nga zhdukja e saj, pasi është vënë poshtë nga anglishtja, të cilën të gjithë këtu e flasin në mënyrë të përsosur.

Të frikësuar nga fluksi i të huajve që e shpëtoi ekonominë nga falimentimi i vitit 2008, por që tani kanë pushtuan ishullin jo më të izoluar me mbi 2 milionë turistë në vit, islandezët dëshirojnë vetminë që u garanton zakonisht dimri. Kriza e 14 viteve më parë - kur falimentuan të gjitha bankat islandeze - ishte një tronditje e madhe.

Islanda, ishulli i akullit dhe zjarrit, ku 1 në 10 banorë ka shkruar
Foto ilustruese

“Në fillim pati mosbesim, pastaj pasoi zemërimi, dëshpërimi dhe në tej protestat. Si sociolog dhe kriminolog, unë isha shumë i shqetësuar. Kisha frikë nga dhuna, nga shtimi i krimit, nga krizat familjare, nga alkoolizmi...Në fakt, u krijua një solidaritet i ri, u forcua ndjenja e komunitetit dhe ra shkalla e kriminalitetit”- thotë Helgi Gunnlaugson, sociolog dhe profesor në Universitetin e Rejkjavikut.

Gradualisht, Islanda u kthye në rrugën e duhur, më e fortë se më parë. Edhe pse tani po përballet me pasojat e bllokimit për shkak të Covid-19. “Jemi bërë si lopët. Rrimë të mbyllur në shtëpi gjatë gjithë dimrit, dhe në pranverë kur kthehemi në livadhe, dukemi për disa ditë si të çmendur”- shton sociologu.

Ndërkohë, ekonomia po rritet për shkak të bumit të turizmit, dhe nga burime thuajse të pafundme energjetike, hidrike dhe gjeo-termale. Kërkesa për fuqi punëtore është e vazhdueshme. Në vitin 2000 vetëm 2 për qind e popullsisë ishte e huaj. Sot është gati 20 për qind.

Asnjë komb nuk ka përjetuar një fluks të tillë emigrantësh në vetëm njëzet vjet, dhe pa asnjë valë ksenofobie. “Emigrantët kanë ardhur kryesisht nga Evropa Lindore. Ata janë të ngjashëm me ne, të bardhë, të krishterë, që ndajnë vlerat tona. Ndaj nuk ka ndonjë lloje frike.

Të huajt janë integruar në një model shoqërie egalitare, në të cilin nuk ka ndarje të forta klasore dhe ka vend për të gjithë. Është i afërmi apo fqinji, ai që të ndalon nëse po bën diçka të gabuar. Shumë pak njerëz përfundojnë në burg”- shpjegon Gunlaugson.

Islanda mund të luajë një rol kyç gjeostrategjik, pasi akulli i Arktikut po shkrin për shkak të ndryshimeve klimatike. Edhe pse Kina nuk është një vend Arktik, ajo është afruar prej disa kohësh. Karl Blondal, zëvendës/kryeredaktor i “Morgunblaziz”, gazetës kryesore në Islandë, e di se rreziqet janë të mëdha.

“Pekini po punon në prapaskenë. Kinezët duan të ndërtojnë një port në lindje, nga ku duhet të mbërrijnë mallrat nga rrugët arktike. Transporti i mallrave dhe kërkimi për burime të reja energjie (nafta në det të hapur, do të rrisë rrezikun e aksidenteve, dhe një vend i vogël si i yni nuk ka kapacitetin e duhur ushtarak për të përballuar i vetëm sfidat e ardhshme ushtarake. Është mirë që SHBA-të kanë emëruar një ambasador për Arktikun, për të kundërpeshuar rolin e rusëve”- thotë ai./Pershtati ne shqip CNA.al

 

 

Lajmet e fundit nga