web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Kursi i euros me lekun bie përsëri, po shkon drejt pragut të 95 lekëve

4 Qershor 2026, 15:46, Ekonomi CNA

Kursi i euros me lekun bie përsëri, po shkon drejt pragut të 95

Kursi i këmbimit të euros me lekun ka rënë më tej këtë javë dhe ka arritur një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye sot me 95.29 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Që nga fillimi i vitit, euro është zhvlerësuar me 1.5%, ndërsa me bazë vjetore rënia e monedhës europiane ka arritur afërsisht në nivelin 3%.

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, me hyrjen në sezonin veror është e pritshme që presionet nënçmuese mbi euron të forcohen, për shkak të rritjes së prurjeve valutore të lidhura me turizmin. Gjasat janë që një tendencë e lehtë në rënie e kursit euro-lek të vijojë, pavarësisht ndërhyrjeve të vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë.

Banka Qendrore po ndërhyn rregullisht në tregun valutor edhe gjatë këtij viti, për ta frenuar ritmin e zhvlerësimit të euros. Informacionet për ndërhyrjet në tregun valutor gjatë vitit 2026 ende nuk janë bërë publike, por duke parë shifrat e dy viteve të fundit mund të hipotizohet se Banka e Shqipërisë po vazhdon të tërheqë sasi të konsiderueshme valute nga tregu.

Sipas statistikave zyrtare, vitin e kaluar Banka Qendrore bleu 1 miliard e 27 milionë euro, për rritjen e rezervës valutore, por në pjesën më të madhe në funksion të qëllimit për të frenuar forcimin e kursit të këmbimit të lekut. Sasia e valutës së blerë u rrit me 10% krahasuar me një vit më parë. Gjithsej, në periudhën 2024-2025 Banka Qendrore ka blerë afërsisht dy miliardë euro në tregun valutor, blerje që vetëm sa e kanë ngadalësuar rënien e monedhës europiane.

Deri tani, as rritja e inflacionit të produkteve të importit, kryesisht e karburanteve, nuk duket se po jep ndonjë ndikim në rritjen e kërkesës për valutë dhe në frenimin e presioneve zhvlerësuese mbi euron.

Kjo dëshmon se flukset hyrëse të valutës në ekonominë shqiptare ngelen të larta. Ato lidhen kryesisht me turizmin, investimet e huaja në prona, përveçse me prurjet informale, që ngelen një faktor me peshë në perceptimin publik, pavarësisht se pesha reale e tyre nuk mund të matet.

Rënia e vazhdueshme e euros gjatë dekadës së fundit, e përshpejtuar sidomos në vitet pas pandemisë, ka sjellë ndryshime të rëndësishme strukturore në ekonominë shqiptare dhe ka goditur eksportet, sidomos në ata sektorë që shfrytëzojnë krahun e lirë të punës. Një rënie e mëtejshme e kursit do të shtojë presionin mbi konkurrueshmërinë e produkteve dhe shërbimeve të eksportuara, duke filluar nga sektori i turizmit.

Nga ana tjetër, rënia e euros vlerësohet se ka dhënë një efekt pozitiv mbi konsumin në vend të mallrave dhe shërbimeve të importuara. Megjithëse në shumicën e rasteve nuk mund të flitet për ulje çmimesh, forcimi i lekut ka lejuar një rritje më të kufizuar të tyre, sidomos në periudhën 2022-2023, por pjesërisht u ka lejuar importuesve të amortizojnë edhe kostot e rritura të punës dhe rritjen e pagave. /Monitor





Lajmet e fundit nga