LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

A mund të lexohet mendja e njeriut? Inteligjenca artificiale duket se ia ka arritur

25 Shtator 2022, 15:46, Blog CNA
A mund të lexohet mendja e njeriut? Inteligjenca artificiale duket se ia ka
Foto ilustruese

Një ekip studiuesish nga Meta - kompania kaliforniane që zotëron "Facebook", "Instagram" dhe "WhatsApp" - ka zhvilluar një teknologji bazuar tek Inteligjenca artificiale, e cila mund të lexojë mendimet e njerëzve, dhe t’i përkthejë ato në fjalë të kuptueshme. Objektivi? Të sigurojë një mjet komunikimi për të gjithë ata pacientë që janë viktima të traumës së rëndë të trurit, dhe që nuk janë më në gjendje të flasin, të përdorin shkrimin apo gjuhën e shenjave.

Si funksionon gjuha

Në trurin e njeriut, zona përgjegjëse për formimin e fjalëve dhe të kuptuarit e gjuhës, është e ndarë nga ajo që menaxhon muskujt vullnetarë, përfshirë ato të gojës. Studiuesit e Meta-s, e shfrytëzuan këtë ndarje funksionale për të krijuar programin e tyre.

Më pas ata rekrutuan 169 vullnetarë, të cilët do t’i nënshtroheshin rezonancës magnetike dhe Elektroencefalogramës, ndërsa dëgjonin audio-libra në anglisht dhe holandisht. Rezultati ishte mbi 150 orë regjistrimi i atij aktiviteti të detajuar të trurit gjatë kuptimit të një teksti.

Por këto imazhe karakterizohen nga një zhurmë në sfond, e cila e bën të vështirë izolimin, brenda gjithë aktivitetit të trurit që shoqëron një individ në çdo kohë, të proceseve që lidhen me të kuptuarit e çdo fjale të veçantë të audio-librit.

Po etika?

A mund të lexohet mendja e njeriut? Inteligjenca artificiale duket se ia ka
Foto ilustruese

Për momentin algoritmi funksionon vetëm për audio-librat që përdoren për trajnime. Kur vullnetari në eksperiment dëgjon rrëfimin në kufje, ai është në gjendje të ekstrapolojë tekstin nga aktiviteti i trurit. Hapi tjetër është zgjerimi i kapacitetit të sistemit, që ai të mundet të funksionojë edhe pa një bazë të dhënash mbështetëse të paracaktuara.

Kjo teknologji do të jetë në gjendje të ndihmojë mijëra pacientë, të cilët pas një traume të pësuar, nuk janë më në gjendje të komunikojnë me botën e jashtme. Por ndërkohë ajo ngre shumë dilema të natyrës etike, pasi lejon në fakt depërtimin në trurin e njerëzve për të lexuar mendimet e tyre.

Anulimi i zhurmës

A mund të lexohet mendja e njeriut? Inteligjenca artificiale duket se ia ka
Foto ilustruese

Për të “pastruar” sinjalin e trurit të lidhur me identifikimin e tekstit, inxhinierët e Meta-s përdorën një algoritëm AI të zhvilluar në vitin 2020, për të nxjerrë një pjesë të qartë nga një skedar audio i regjistruar në një mjedis shumë të zhurmshëm. Ky sistem, i përshtatur dhe i përdorur në regjistrimet e aktivitetit të trurit të vullnetarëve, bëri të mundur izolimin e aktivitetit të trurit që kishte lidhje me kuptimin e një teksti.

Në këtë mënyrë, studiuesit ishin në gjendje të krijonin një grup të madh të dhënash, që e lidh kuptimin e fjalëve individuale, si për shembull “mace”, me aktivitetin e neuroneve që formojnë atë fjalë në tru. Sistemi është në gjendje të lexojë, nëpërmjet një skaneri MRI dhe një Elektroencefalograme, aktivitetin e krijimit të fjalëve në tru, dhe ta riprodhojë atë nga jashtë në formën e një skedari me tekst ose audio./Përshtati në shqip CNA.al

 

 

Lajmet e fundit nga