LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Çfarë na thotë biologjia për pranimin e jetës dhe vdekjes

16 Shtator 2022, 13:41, Blog CNA
Çfarë na thotë biologjia për pranimin e jetës dhe
Foto ilustruese

Nga Marc Wittmann “Psychology Today”

Kur vdiq Mbretëresha britanik Elizabet II, mediat publikuan shumë foto dhe pamje filmike që përshkruanin fazat e jetës së saj - si fëmijë, adoleshente, si mbretëreshë e re, dhe si një zonjë e moshuar. Ne si publik i pamë fëmijët e saj të rriteshin, martoheshin dhe bëheshin me fëmijë.

Djali i saj, Çarlsi, të cilin e kemi ndjekur në faza të ndryshme të jetës - për shembull, si bashkëshorti i Princeshës Diana - është sot një burrë i moshuar, që është bërë Mbreti Çarls III. Kjo pamje panoramike e një jete të gjatë, 96-vjeçare, nxjerr në pah atë që jemi ne si njerëz jemi: në ndryshim dhe zhvillim të vazhdueshëm.

Po cilën e konsiderojmë ne si Elizabeta? Gruaja tërheqëse që u bë dikur mbretëresha e re apo zonjën e moshuar që qëndronte deri dje në ballkonin e Pallatit Bakingam dhe tundte dorën duke përshëndetur turmën? Qenia njerëzore së cilës po i referohem, ishte në një tranzicion të vazhdueshëm me kalimin e kohës - nga ngjizja në vdekje – pra jo një person statik siç mund ta kishim menduar kur ajo ishte ende gjallë.

Në një libër të botuar kohët e fundit mbi filozofinë e biologjisë, Xhon Dupre dhe Daniel J. Nikolson, argumentojnë se qeniet e gjalla janë në thelb më shumë procese sesa gjëra statike. Organizmat duken relativisht konstante me kalimin e kohës. Por në thelb, ato janë shumë dinamike.

Frymëmarrja nënkupton shkëmbimin e vazhdueshëm të gazit, të oksigjenit dhe dioksidit të karbonit, në një interval kohor prej disa sekondash. Po ashtu, mendoni për marrjen e ushqimit dhe ujit, përdorimin e tyre nga trupi dhe së fundi nxjerrjen jashtë të substancave që nuk duhen.

Këto procese fiziologjike përshkruhen si rrjedha e vazhdueshme dhe integrimi i materialit përbërës përmes dhe brenda një organizmi. Një përkufizim i jetës, i quajtur autopoesis, i formuluar fillimisht nga biologët kilianë Françisko Varela dhe Humberto Maturana, është

se një organizëm jo vetëm që formon një sistem dinamik që shkëmben energji dhe lëndë me mjedisin, por edhe nëpërmjet këtij ndryshimi të vazhdueshëm ka një proces vetëkrijimi dhe vetëruajtje. Kjo është ajo që shënon edhe ndryshimin midis organizmave të gjallë dhe makinave.

Makineritë janë të ndërtuara nga njerëzit, me synim hyrjen dhe daljen prej andej të materialeve apo sinjaleve. Gjithashtu, ato mund të fiken dhe ndizen. Por makinat nuk mund ta ndryshojnë strukturën e tyre siç ndodh me qeniet e gjalla, të cilat në aspektin metabolik janë të ngulitura brenda një sistemi ekologjik dinamik.

Qeniet e gjalla duhet të jenë vazhdimisht aktive për të qëndruar gjallë (të marrin frymë, të hanë dhe pinë), ato nuk mund të fiken përkohësisht; pasi kjo që do të thoshte vdekje. Në këtë proces vetëkrijimi, gjithçka rrjedh, por me ritme të ndryshme: qelizat në stomak jetojnë për ditë të tëra, qelizat e mëlçisë rigjenerohen çdo vit, ndërsa kockat zëvendësohen çdo 10 vjet. Meqë ra fjala, kjo nënkupton se çdo pjesë e trupit tonë fizik është më e re se mosha jonë aktuale.

Gjendjet e deritanishme ishin të përcaktuara fiziologjikisht. Edhe në aspektin psikologjik, ne duhet të transformohemi dhe të mësojmë vazhdimisht. Njerëzit mund të qëndrojnë të hapur dhe fleksibël për përvoja të reja, dhe ta zhvillojnë personalitetin e tyre gjatë gjithë jetës.

Në një periudhë të shkurtër kohore prej disa minutash, reagimet tona afektive vijnë dhe shkojnë. Unë thjesht u zemërova me një situatë. Por minutën tjetër ndoshta kam harruar gjithçka. Eksitimi i vetes sime emocionale rritet dhe zbehet. Ky është kuptimi i “çdo gjë rrjedh”: Ne jemi më shumë procese, sesa një qenie e pandryshueshme.

Ne jemi të ndikuar nga një mori faktorësh nga e kaluara, dhe ndikojmë në të ardhmen në disa mënyra. Jeta ka të bëjë me kalimin nga lindja tek nevoja për të vdekur. Vdekja bën të mundur një jetë të re. Në aspektin funksional, mund të thuhet se që një brez i ri të lulëzojë, brezi i vjetër duhet të largohet dhe përfundimisht të vdesë.

Por a ka ndonjë mënyrë për ta përdorur këtë njohuri, për të pranuar natyrën kalimtare të vetes dhe të njerëzve tanë të dashur? Kam shkruar më herët se si ne përpiqemi ta përballojmë mundësinë e vdekjes. Fetë monoteiste kanë një përgjigje ngushëlluese me pretendimin se personi jeton në përjetësi në një jetë të përtejme, të mishëruar në një fazë primare të jetës së tij tokësore - jo shumë i ri, jo shumë i vjetër.

Por edhe njerëzit fetarë kanë dyshimet e tyre. Atëherë, çfarë mund të bëjmë për të mos u zhytur në një krizë ekzistenciale? Bashkëshortja, fëmijët, miqtë e ngushtë, kolegu, janë njerëzit më të vlefshëm që na rrethojnë, të cilët e bëjnë të vlefshme jetën tonë.

Ne i konsiderojmë ata si entitete individuale pak a shumë të qëndrueshme me personalitete unike. Ideja që ata do të vdesin një ditë, është sa terrorizuese aq edhe e pakëndshme, saqë zakonisht nuk duam që të mendojmë mbi këtë perspektivë.

Ose, imagjinojmë se si njerëzit e dashur mund të vdesin në moshën 96-vjeçare, ashtu si Mbretëresha Elizabet, pas një jete të shëndetshme dhe të plotë. Megjithatë, jo të gjithë vdesin në atë moshë. Sëmundjet e rënda godasin shumë më herët. Dhimbja për humbjen e një personi të dashur është shumë e natyrshme dhe madje e nevojshme për të përballuar situatën. Kur mendojmë për bashkëshorten/in, mund të jetë shumë e vështirë në fillim që ta pranojmë natyrën kalimtare të jetës së saj/tij. Pra që ai apo ajo duhet të vdesë. Po në lidhje me jetën dhe vdekjen tonë? A mund ta pranojmë këtë fat të pashmangshëm nëse e mendojmë veten si domosdoshmërisht në tranzicion të vazhdueshëm?

Pra, të pranoj që unë duhet të vdes, siç kanë vdekur njerëzit e të gjitha brezave para meje, dhe të gjithë brezat e ardhshëm? Në fakt, psikologjia budiste mëson një konceptim dinamik të vetvetes dhe të jetës, si një mjet për ta pranuar fatin njerëzor.

Ka shumë teori dhe praktika meditimi me origjinë të ndryshme, që synojnë të nxisin njeriun ta pranojë realitetin. Humbja kalimtare e ndjenjës së vetvetes dhe kohës nëpërmjet praktikave të tilla, i bën njerëzit më të lumtur. Ata mësojnë ta pranojnë vdekjen si diçka të natyrshme.

Shënim: Marc Wittmann, profesor dhe studiues në Institutin për Zonat Kufitare në Psikologji dhe Shëndetin Mendor në Frajburg, Gjermani.

/Pershtati ne shqip CNA.al

 

 

 

Lajmet e fundit nga