LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse njerëzit kanë fobi të ndryshme?

8 Tetor 2022, 08:20, Blog Joe Phelan

Pse njerëzit kanë fobi të ndryshme?

Shumica e njerëzve mund të mendojnë për diçka që është veçanërisht e tmerrshme për ta. Ndoshta ata kanë frikë nga merimangat - deri në 15 për qind e amerikanëve - kanë frikë nga fluturimi me avion, fobi që sipas disa studimeve prek rreth 1 në 5 persona. Por pse ne njerëzit përjetojmë frikë dhe fobi?

Së pari, është e rëndësishme të theksohet ndryshimi midis një fobie, dhe një reagimi të arsyeshëm ndaj diçkaje, e cila është në thelb e rrezikshme ose e paparashikueshme.

“Një fobi është një frikë nga një situatë apo një objekt i caktuar që është jashtë proporcionit me realitetin objektiv dhe që ndërhyn në jetën e një personi, thotë Ron Rejp, profesor i psikologjisë dhe drejtor i Qendrës për Shëndetin Emocional në Universitetin Mekuari në Australi.

“Shumica e fobive tregojnë në thelb të njëjtat karakteristika, dhe ndryshojnë vetëm në fokusin e veçantë të frikës. Karakteristikat e zakonshme përfshijnë shmangien e situatës ose objektit ndaj të cilit ekziston një lloj frike; mendime negative; dhe simptomat fizike kur përballemi me frikën, si rritja e rrahjeve të zemrës, zgjerimi i bebëzave së syve dhe shpeshtimi i frymëmarrjes”- thotë Rejp.

Shumica e njerëzve janë shumë të kujdesshëm kur ndeshen me situata apo objekte të rrezikshme. Por ndonjëherë këto frika “realiste” mund të shkojnë përtej asaj që shumica e njerëzve do ta shihnin si një sjellje “në përputhje me realitetin e situatës”, thekson Rejp.

I tillë është rasti sa herë që reagimet e njerëzve ndaj skenarëve të tillë priren të etiketohen si të tepruara ose irracionale. Kujdesi ndaj ujit është sipas tij shembull i një “mase paraprake” të arsyeshme por që mund të shndërrohet, për një arsye apo tjetrën në një fobi. Dhe ka të ngjarë që që disa nga fobitë më të zakonshme të njerëzve, si frika nga lartësitë (akrofobia), të kenë lindur në fakt për shkak të presioneve evolucionare.

“Në shumicën e rasteve, fobitë gjenden në lidhje me objekte dhe situata realiste dhe të ndjeshme në aspektin evolucionar. Për shembull, është e rrallë që dikush të ketë fobi ndaj telave ose prizave elektrike (edhe pse ato mund të të marrin jetën), por është e zakonshme të shohësh fobi nga stuhitë, gjarpërinjtë apo merimangat.

Pra mjete që mund të na vrisnin që në kohët e lashta. Por mbetet ende e paqartë se përse frika apo kujdesi evoluon në një fobi tek disa, por jo tek të gjithë. “Një teori e zakonshme është se fobitë ‘mësohen’ në periudhat kyçe të zhvillimit. Kjo ndodh zakonisht në fillimet e jetës. Pra shumica e fobive shfaqen fillimisht në fëmijëri.

Një fobi e caktuar mund të krijohet nga një përvojë e keqe (p.sh të kafshuarit nga një qen). Por ky është ndoshta përjashtim, pasi shumica e njerëzve me fobi nuk raportojnë përvoja traumatike specifike”- thekson eksperti.

Teoria psikodinamike, e përmendur për herë të parë nga Sigmund Frojd, sugjeron se shumë sjellje dhe frikëra mund të lidhen me përvojat në fëmijëri. Sipas kësaj teorie në raste veçanërisht traumatike, kujtesa e këtyre ngjarjeve të hershme të jetës mund të shtypet, dhe mund të përfundojë duke u manifestuar në fobi më vonë gjatë jetës.

Por disa ekspertë, si dr.Xhoel Paris, profesor i psikiatrisë në Universitetin Mekgill në Kanada, mendojnë se mungesa e provave të forta dhe bindëse për teorinë, nënkupton se ndërsa kujtimet e shtypura mund të luajnë një rol në zhvillimin e fobive për disa njerëz, nuk ka gjasa  të jetë ky rasti për shumicën e tyre.

Në fakt, një person s’ka pse të ketë një përvojë negative për të zhvilluar një fobi. Ata mund të shohin dikë tjetër të përjetojë një përvojë të keqe, ose t’u thuhet ose tregohet vazhdimisht se diçka është e rrezikshme. Kështu, një prind që paralajmëron shpeshherë një fëmijë për detin e rrezikshëm, apo dikush që sheh filma si “Peshkaqeni” dhe “Titanic”, të cilët e shfaqin detin si kërcënues dhe vdekjeprurës, mund të nxisë zhvillimin e talasofobisë, pra frikës nga hapësirat e mëdha ujore.

“Me kalimin e kohës, ky leksion mund të bëjë që frika të grumbullohet kulturalisht rreth kafshëve, objekteve ose situatave të caktuara”- thotë Kris Eskju, pedagog në psikologji në Universitetin Sarrej në Britaninë e Madhe. Por është e mundur të mos mësohen të gjitha fobitë.

Disa psikologë mendojnë se disa frikëra mund të jenë të lindura, një koncept i quajtur “dëshmi jo-shoqëruese” sipas një studimi të vitit 1998 në revistën “Behavior Research and Therapy”. “Përkrahësit e kësaj llogarie argumentojnë që ne njerëzit jemi gjenetikisht të predispozuar për t’u frikësuar ndaj disa gjërave, ndaj nuk është e nevojshme një përvojë negative”-shprehet Eskju.

Teksa kjo ide është ende e debatueshme, duket se njerëzit me tipare të caktuara kanë më shumë gjasa të zhvillojnë fobi. Për shembull, njerëzit që janë “më të frikësuar dhe më emocionalë” priren të kenë më shumë gjasa të zhvillojnë fobi, thotë Rejpi.

Eskju shton se fobitë dhe ndjenjat e ankthit mund të shfaqen edhe në familje. “Mund të ndodhë që disa njerëz të jenë më të predispozuar gjenetikisht për të zhvilluar një fobi”-shprehet Eskju.

Në fakt, një studim i botuar në vitin 2017 në revistën mjekësore “Dialogues in Clinical Neuroscience” zbuloi se çrregullimi i ankthit të përgjithësuar është rreth 30 për qind i trashëguar.

Rejpi thotë se fobitë zgjasin për një kohë të gjatë sepse shumica e njerëzve me fobi, e shmangin atë që kanë frikë. “Ata bëjnë gjithçka që munden për të mos u përballur me objektin apo situatën, dhe në këtë mënyrë ruajnë frikën e tyre. Për ta kapërcyer një fobi, ju duhet të përballeni me frikën tuaj. Në terma profesionalë, kjo quhet terapi ekspozimi”- përfundon Rejpi.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

08:32 Blog “National Riview”

Kasapët e Iranit

Demonstruesit kanë dalë sërish në rrugë për të sfiduar reg...

Lajmet e fundit nga