LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Për çfarë na shërbejnë ritualet?

30 Shtator 2022, 19:00, Blog CNA
Për çfarë na shërbejnë ritualet?
Foto ilustruese

Ritualet supersticioze janë një praktikë shumë e përhapur në fusha të ndryshme, sidomos në sporte. Që në vitet e para të karrierës së tij, para çdo ndeshje, basketbollisti i famshëm amerikan LeBron Xhejms I spërkaste duart me shkumës dhe më pas e hidhte në ajër pluhurin e bardhë.

Para çdo ndeshje, ish-futbollisti dhe kapiteni i Francës Loren Blank puthte në kokën e tij tullace shokun e tij të skuadrës, portierin Fabien Bartez. Ndërsa tenisti spanjoll Rafael Nadal është i njohur ndër të tjera, për një sërë ritualesh komplekse, që ai i kryen para, gjatë dhe pas çdo ndeshje: nga vendosja e shisheve të ujit në një mënyrë të caktuar, deri tek mos shkelja në vijat kufizuese të fushës kur loja është ndërprerë.

Ndonëse shoqërohen shpesh me veprime supersticioze dhe irracionale, ritualet janë gjithashtu një pjesë thelbësore e shumë praktikave kolektive, ceremoniale dhe institucionale. Për shembull nga ngritja e një gote për një dolli, deri tek parakalimi me një zile në dorë i kryeministrit në largim para paraardhësit të tij në detyrë në Itali, gjatë ceremonisë së betimit të qeverisë të re.

Studimet antropologjike dhe etnografike, janë marrë shumë me analizimin e funksioneve të ritualeve. Ato kanë zbuluar se ato janë shumë të rëndësishme në të gjitha qytetërimet njerëzore për ruajtjen e rendit shoqëror.

Por kohët e fundit përdorimi më i gjerë dhe sistematik i disiplinave të tilla si psikologjia dhe i mjeteve të padisponueshme në të kaluarën, ka mundësuar matjen e efekteve fiziologjike të ritualeve tek njerëzit. Në të gjitha shoqëritë e njohura njerëzore, janë të pranishme tradita që përfshijnë sjellje të formalizuara dhe stereotipe, të kryera në momente të veçanta të jetës së njerëzve. Pra në  përgjithësi momente që i lidhim me konceptin e “pragut’, pra të kalimit nga një fazë në tjetrën.

Shumë studime antropologjike dhe etnografike, i kanë përshkruar ato momente si në rastin kur individi brenda komunitetit percepton një rrezik të madh, apo se diçka mund të shkojë keq. Siç shprehet etnologu, antropologu dhe filozofi italian Ernesto De Martino, një nga studiuesit më me ndikim të shekullit XX në kërkimet mbi ritualitetin dhe fenë popullore, pasiguria dhe paparashikueshmëria e qenësishme në ato situata të veçanta, përbën në fakt rrezikun e një “krize”, të një dështimi potencialisht të pakthyeshëm për individin.

Dhe rituali shihet si mënyra në të cilën, duke u përpjekur të familjarizojnë një ngjarje të rrezikshme me një rezultat jo plotësisht të parashikueshëm, kulturat tradicionale reduktojnë rrezikun e një krize dhe mbrojnë anëtarët e tyre.

Por shumë nga sjelljet që ne i quajmë rituale nuk kanë një synim të qartë. Dhe në përgjithësi, edhe aty ku qëllimi është i qartë, nuk ka asnjë lidhje të dukshme shkakësore midis atij qëllimi dhe veprimit të ndërmarrë për ta arritur atë. Për shembull s’ka asnjë lidhje shkakësore midis shiut dhe vallëzimit që kryhet për ta ndjellë atë. Dhe as midis një vajtimit specifik në një funeral dhe tejkalimit të zisë.

Mungesa e një funksioni të qartë dhe të menjëhershëm, është një nga tiparet që e dallojnë ritualin nga zakonet. Për shembull larja e dhëmbëve para gjumit, është pjesë e një rutine të kryer pa u menduar dhe jo në ndonjë model i përsëritur, siç janë ritualet.

Sociologu amerikan Xhorxhm Homans deklaroi në vitet 1940, se një nga arsyet pse ne i përkufizojmë disa veprime si rituale, është pikërisht se “ato nuk prodhojnë një rezultat praktik në botën e jashtme”. Në të kaluarën, kur ritualet praktikoheshin me një qëllim të qartë në mendje, në shumë komunitete fetare ato shiheshin shpesh si magji.

Kjo nuk do të thotë se ritualet nuk kanë asnjë funksion, shkroi Homans, duke vënë në dukje se sa efektive janë ato në “nxitjen e besimit tek anëtarët e shoqërisë, largimin e ankthit të tyre, dhe disiplinimin e organizatave të tyre shoqërore”.

Kjo është ndoshta arsyeja se përse, pavarësisht nga hendeku i madh  midis veprimeve të ndërmarra dhe objektivave të ndjekura, ritualet janë ende po aq të zakonshme sot sa ishin në kohët e lashta. Dhe pavarësisht se si ato praktikohen më pas, individualisht dhe kolektivisht, në kontekste fetare apo laike, në shoqëri më laike dhe më pak laike.

Në një studim të vitit 2011, kryer mbi grupe grash izraelite gjatë luftës së Libanit të vitit 2006, studiuesit zbuluan se recitimi i psalmeve, shoqërohej me nivele më të ulëta stresi dhe ankthit të raportuar nga njerëzit në zonat e luftës, krahasuar me ata që ishin zhvendosur në pjesë më të sigurta të vendit.

Sipas një studimi psikologjik të vitit 2010 mbi marrëdhëniet midis bestytnive dhe besimit në zotërimin e situatave të caktuara, njerëzit që përdorin hajmalitë fat-ndjellëse dhe që kryenin rituale të tilla si kryqëzimi i gishtave, nëse ndalohen që ta bëjnë këtë, priren të performojnë më dobët në aktivitete të ndryshme.

Studime të tjera kanë treguar se në basketboll dhe golf, rutinat personale të ndjekura nga çdo atlet përpara një gjuajtje, mund të përmirësojnë performancën, dhe se ndalimi i këtyre rutinave mund të dobësojë ndjeshëm formën e tyre sportive. Dhe arsyeja e këtyre efekteve në përgjithësi qëndron në aftësinë e këtyre ritualeve për të reduktuar ankthin, dhe për t’u dhënë atletëve përshtypjen e kontrollit mbi situatën./ Përshtatur nga CNA.al

Marrë me shkurtime

08:32 Blog “National Riview”

Kasapët e Iranit

Demonstruesit kanë dalë sërish në rrugë për të sfiduar reg...

Lajmet e fundit nga