LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse po i shmangemi luftës?/ Dëshmitë e rusëve që po arratisen nga Rusia duke refuzuar mobilizimin e Putinit

29 Shtator 2022, 09:04, Blog “Worldcrunch”

Pse po i shmangemi luftës?/ Dëshmitë e rusëve që po

Shpallja nga presidenti rus Vladimir Putin e një mobilizimi të pjesshëm prej 300.000 burrash për të luftuar në “operacionin special” gjithnjë e më të vështirë në Ukrainë, ka shkaktuar panik dhe kaos midis shumë rusëve. Menjëherë pas njoftimit publik, u raportuan protesta në Moskë dhe në mbarë vendin.

Të paktën 2.000 njerëz janë arrestuar gjatë ditëve të fundit. Është ende e paqartë se sa të suksesshme do të jenë këto protesta. Dekreti për mobilizimin ka nxitur deri tani largimin nga vendi të më shumë se se 260.000 burrave në moshën e rekrutimit. Analistët besojnëse ky numër do të vazhdojë të rritet, sidomos për sa kohë që qëndrojnë të hapur kufijtë. Gati të gjithë meshkujt e moshës 18-65 vjeç mund të thirren në luftë. Por disa profesione, përfshirë bankat dhe mediat, janë të përjashtuara. Vazhnye Istorii, një platformë e pavarur e lajmeve investigative ruse me bazë në Letoni, bisedoi me 3 nga mijëra rusët që kanë zgjedhur të largohen nga vendi. Ja cilat janë dëshmitë e tyre, të mbledhura në Gjeorgji dhe Uzbekistan:

Igor, 44 vjeç, punonjës zyre: Unë nuk do të bëhem pjesë e këtij makthi

Pse po i shmangemi luftës?/ Dëshmitë e rusëve që po

Kam shërbyer në ushtri në vitet 1990. Më thirrën tani, nuk shkova. Nuk më ka ndodhur ndonjë gjë e tmerrshme, por natyrisht, nuk kam kujtime të lumtura nga ushtria. Pas demobilizimit, iu betova vetes që nuk do të vesh më kurrë uniformë. Ushtria jonë është tërësisht e degraduar.

Aty më ikën 2 vite jetë dhe më pas m’u deshën rreth 5 vjet që ta merrja veten mendërisht. Ndaj është më mirë të mos e përjetoj sërish atë traumë. Nëse shkoj në front, thjesht do të qëlloj veten në kokë. Në vitin 2000 më thirrën sërish, por fatmirësisht arrita ta shmang. Tani, kur nisi gjithë ky tmerr, e kuptova se isha në rrezik të dënohesha me gjobë ose burg. Njerëzit normalë nuk mund ta mbështesin luftën, pavarësisht se kush lufton me kë. Po të kem mundësi do të largohem nga Rusia... Nuk do të bëhem kurrë pjesë e këtij makthi... Jam gati të shkoj të jetoj edhe në një pyll po të jetë nevoja. Vendi ynë është i madh, ndaj do të përpiqem të fshihem diku. Unë jam një punonjës zyre, merrem gjithë ditën me letrat. Nëse iki e humbas punën. Që kur nisi lufta, më shkoi menjëherë mendja te mobilizimi.

Dhe e kuptova: nëse shkoj në front, thjesht do të qëlloj veten time në kokë. Unë nuk dua të qëlloj mbi njerëz të tjerë. Nuk dua të qëlloj as veten, por sidomos të tjerët. Tani jam tërësisht i hutuar, dhe nuk e kuptoj se çfarë duhet të bëj. Për fat të mirë, kam disa miq që si fillim mund të më ndihmojnë disi. Nuk mund të them se do të gjej menjëherë një punë normale. Tek e fundit, në Ukrainë njerëzit mbetën pa asgjë fare...

Nikolai, 35 vjeç, dizajner grafik: Kam dy fëmijë. I dua shumë dhe nuk mund t`i lë jetimë

Pse po i shmangemi luftës?/ Dëshmitë e rusëve që po

Mobilizimin e mora vesh nga kanalet e platformës "Telegram". Por deri tani askush nuk më ka shkruar apo telefonuar. Në fillim të javës diskutuam për të emigruar jashtë. Gruaja ime donte të iknim, ndërsa unë këmbëngulja të qëndronim. E dua shtëpinë time, vendin tim. Në Rusi, ne kemi miqtë, prindërit, gjyshërit që kanë nevojë për kujdes.

Vajza ime shkon në shkollën fillore. Të heqësh dorë nga gjithçka dhe të largohesh nuk është një vendim i lehtë. Por kur u shfaq lajmi për mobilizimin, na u duk se nuk kishim rrugëdalje tjetër. Të jetosh në një vend, të fshihesh, të kesh frikë, është shumë e vështirë. Nuk kisha ndërmend të shkoja në luftë. Më mirë të shkoj në burg sesa në luftë.

Ne zgjodhëm të shkojmë në Gjeorgji pasi kemi shumë miq atje, dhe ai është opsioni më i afërt. Paketuam gjithçka një mbrëmje. Në fillim shkuam në Mineralnye Vody (një aeroport në Rusinë Jugore, afër Gjeorgjisë). Aty gjetëm dikë që do të na çojë në Vladikavkaz (qytet në Rusinë Jugore).

Linja ajrore na i humbi bagazhet. Unë isha gati të qëndroja edhe një ditë, ta prisja kthimin e bagazheve, por gruaja ime ishte e vendosur të largoheshim sa më parë. Kur mbërritëm në Vladikavkaz, radha në pikën e kontrollit ishte tashmë rreth 7 kilometra. Njerëzit pritën për 10 orë.

Nëse mëngjesin e ditës së parë të mobilizimit shoferët kërkonin 3.000-4.000 rubla për person, mbrëmjen e 21 shtatorit çmimet u rritën në 40.000 rubla për person. Ne gjetëm një okazion me 10.000 rubla. Shoferi ishte tashmë në pjesën e përparme të radhës. Ishte ora 22.00 e natës dhe shkuam në këmbë.

Kemi dy fëmijë, njëri prej të cilëve është një foshnjë e vogël në karrocë. Fakti që na humbi njëra nga valixhet ishte pozitiv, ndryshe nuk do të kishim mundur që të ecnim. Vajza jonë mbante valixhen e saj, unë timen, gruaja ime shtynte karrocën me fëmijën tjetër. Por ne ishim me fat.

Pas rreth 20 minutash ecje doganierët që po merrnin turnin e tyre na morën dhe na kaluan me makinë. Ishim shumë me fat që takuam njerëz të mirë. Nuk mund të kalosh kufirin në këmbë, ndaj të gjithë kërkojnë një shofer. Por kishte edhe mënyra më të sofistikuara. Dikush shiste në kufi skuter dhe biçikleta. Në kufi nuk më pyetën asgjë.

Unë e mbaja në krahë fëmijën e vogël. Në orën 8 të mëngjesit të 22 shtatorit ne ishim tashmë në Tbilisi. Unë nuk e kuptoj kujt i duhet kjo luftë, dhe pse vendi ynë po lufton për territoret që i takojnë një shteti tjetër. Çdo luftë është depersonalizim, dehumanizim. Dhe më e rëndësishmja, qëllimi nuk është i qartë.

Për çfarë duhet të vdes? Askush nuk na sulmoi. Nuk e di se çfarë duhet të ndodhë që unë të mendoj mbi mundësinë që të shkoj në luftë. Unë kam dy fëmijë. Unë i dua shumë ata. Nuk e kam menduar kurrë se do të rriten pa mua…Mendoj se është më mirë të shkosh në burg sesa të shkosh në luftë. Edhe nëse të fusin në burg, nuk do të zgjasë shumë. Fundi i këtij regjimi është afër.

Genadi, 30 vjeç, avokat: Unë mendoj se ky është një dënim me vdekje për Federatën Ruse

Erdha në Tashkent (Uzbekistan). Këtu temperatura është mbi 30 gradë, lulet po lulëzojnë, dhe ndihem i sigurt. Jam i regjistruar për shërbimin ushtarak... Jam trajnuar në departamentin ushtarak në universitet dhe kam gradën e togerit. Dje (22 shtator) mora një telefonatë në orën 17:00 nga një numër celulari:

“Përshëndetje, po ju telefonojmë nga zyra e regjistrimit ushtarak. A keni kohë të vini këtu brenda një ore?”

“Për çfarë?’

“Nuk i ndiqni lajmet?”

“Po, por njerëzit vijnë aty pasi marrin një fletëthirrje.”

“Epo, ja do të bëjmë tani një të tillë. Ku jetoni aktualisht?”

E mbylla telefonin dhe gjeta biletën e vetme që ishte në dispozicion. E bleva për 600.000 rubla (10.285 dollarë) me një kartë krediti. Nuk e vrava mendjen sa më kushtoi. Vetëm të ikja. Kur hipa në një taksi, sajova një histori për veten time. Udhëtova me një leje udhëtimi të rreme.

Në Vnukovo (aeroporti i Moskës), rojet kufitare i mënjanuan të gjithë burrat për një lloj kontrolli. Ata i morën në pyetje për 5 minuta dhe më pas i lanë të shkojnë. Ata talleshin me ta: “Si nuk keni 4 fëmijë? Atëherë, ata nuk do të rekrutojnë!”. Të gjithë e kuptuan se çfarë po ndodhte.

Unë u përpoqa të mos e jap veten. Por sapo kalova kontrollin në kufi, doja të shtrihesha përtokë dhe të qaja. Sapo mbërrita në Tashkent, ndeza telefonin dhe pashë një mesazh nga të afërmit e mi: autoritetet kishin shkuar në shtëpinë time në Rostov-mbi-Don rreth orës 21:00.

Portierja u tha se nuk njihte askënd me një emër të tillë dhe se ai nuk jetonte atje. Para se të ikja, i telefonova gjyshit tim. Ai tha: “Mos bëni marrëzi, mos ikni. Në fillim ata do të marrin njerëz nga shtresat më të ulëta. Ju i përkisni një kaste më të lartë”.

Mendoj se lufta në Ukrainë është një dënim me vdekje për Federatën Ruse. Do të doja të pështyja në fytyrë ata që thonë se rusët nisën të zemërohen për atë që po ndodh vetëm kur filloi mobilizimi. Ata që e shkruajnë kështu nuk e kuptojnë se për rusët nuk ishte një luftë, por si një film në kinema.

Autoritetet ruse bënë gjithçka që njerëzit të mos shqetësohen për të. Por unë isha i shqetësuar: gjyshërit e gruas sime jetojnë në Poltava, xhaxhai im jeton në Kiev, kushëriri im jeton në Izmail. E përdora këtë periudhë për t’u përgatitur për zhvendosjen, për të gjetur një punë të re.

Kur nisi lufta, kuptova se ishte e pamundur të rrisësh një fëmijë në një vend të tillë. Vajza ime është 1 vjeçe. Është e gabuar të na kritikoni kur ju vetë ndodheni ne një vend të sigurt.

Unë mendoj se tani do të ketë një rritje të dhunës.

Do të ketë zjarrvënie, disa aksione lokale, derisa të nisin njoftimet e para të vdekjeve. Atëherë do të jetë i mundur një shpërthim shumë i dhunshëm. Unë mendoj se ky është një dënim me vdekje për Federatën Ruse. Ky regjim nuk do të qëndrojë në këmbë për më shumë se 6 muaj apo 1 vit.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al

08:32 Blog “National Riview”

Kasapët e Iranit

Demonstruesit kanë dalë sërish në rrugë për të sfiduar reg...

Lajmet e fundit nga