LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Si ta kuptojmë sjelljen e Xi Jinping, sundimtarit enigmatik të Kinës?

30 Shtator 2022, 18:30, Blog CNA

Si ta kuptojmë sjelljen e Xi Jinping, sundimtarit enigmatik të

“The Economist”

Xi Jinping ishte vetëm 31 vjeç kur mbërriti në Ajoua të SHBA-së në vitin 1985. Një zyrtar i niveleve të ulëta të Partisë Komuniste në atë kohë, ai ndodhej në Shtetet e Bashkuara në një turne 2-javor për të mësuar rreth ushqimit të kafshëve. Mikpritësit e tij e pëlqyen atë, dhe ai i pëlqente ata.

Kulmi i udhëtimit të tij ishte një qëndrim për 2 netë me familjen në qytetin e vogël Muskatin. Xi fjeti në një dhomë të zbukuruar me postera të serialeve të famshëm amerikanë “Star Trek” dhe “Star Wars”. Ai provoi për herë të parë kokoshka. Sipas të gjitha dëshmive, ai e donte Ajouan.

Histori të tilla bënë që shumë analistë të ishin optimistë në vitin 2012, kur Xi u bë udhëheqësi i Kinës. Babai i tij ishte një pionier revolucionar, që më vonë mbështeti hapjen ekonomike dhe reformën si një drejtues partie në provincë. Xi u rrit si një “princ”, si një fëmijë i familjes mbretërore të Partisë Komuniste.

Disa menduan se ai do të ndiqte hapat pragmatikë të të atit. Në fakt po ndjek një rrugë tjetër.

Larg nga të qenit një reformator, Xi e sheh veten si një rivendosës i statuskuosë së vjetër. Pra i ripërtëritjes së ritit të partisë dhe rolit të saj qendror në shoqëri, i ripërtëritjes së Kinës dhe të rolit të saj në botë.

Ai ka grumbulluar më shumë pushtet, dhe e ka përdorur atë në një mënyrë më të pamëshirshëm se sa çdo udhëheqës kinez që nga koha e Mao Ce Dunit. Ndërsa pushteti e tij është rritur, po aq është rritur edhe ambicia e Kinës.

Në kongresin e radhës të Partisë Kumuniste, që i nis punime më 16 tetor, Xi do të marrë gati me siguri një mandat tjetër si udhëheqësi suprem, duke i dhënë atij ndoshta statusin e sundimtar të përjetshëm. Kuptimi i origjinës dhe i besimeve të tij nuk ka qenë asnjëherë më i rëndësishëm sesa sot për analistët dhe vëzhguesit e Kinës.

Në dhjetëra intervista, njerëz që e kanë studiuar nga afër dhe nga larg zotin Zi na kanë shpjeguan se çfarë e motivon atë në krye të vendit të madh aziatik. Rezultati është portreti i një njeriu enigmatik, planet e të cilit kanë pasoja shqetësuese si për Kinën po ashtu edhe për botën.

Në qendër të planit të Xi është rivendosja e autoritetit të fortë të Partisë Komuniste, që ishte zbehur nga jeta e shumë njerëzve. Ai u rrit në kohën e Revolucionin Kulturor, kur Mao e përmbysi shoqërinë kineze duke mobilizuar Gardën e Kuqe për të sulmuar intelektualët dhe zyrtarët që konsideroheshin jo sa duhet besnikë.

Babai i Xi u torturua. Gjysmë-motra e tij vrau vetes. Xi u dërgua të jetonte në një shpellë në një fshat për 7 vjet për të mësuar virtytet e punës së palodhur. Sipas mitologjisë së partisë, ajo përvojë e transformoi zotin Xi nga një princ, në një njeri të popullit. Një burim i cituar në një kabllogram diplomatik amerikan, e cilësoi atë në një mënyrë tjetër: Xi mbijetoi “duke u bërë më i kuq se të kuqtë”.

Në vend se ta refuzonte partinë pas spastrimeve të Maos, ai iu përkushtua rivendosjes së autoritetit të saj. Sipas tij, partia ishte i vetmi institucion që mund të parandalonte përsëritjen e një kaosi të atillë. Ndaj kishte kuptim që drejtuesit e saj t’i drejtoheshin atij në vitin 2012 për të marrë lidershipin, pikërisht në kohën kur shumë zyrtarë mendonin se partia e kishte humbur sërish rrugën e saj.

Që të shpëtonte, besonin ata, kishte nevojë për disiplinë dhe një sens të ripërtërirë të qëllimit. Dhe presidenti i ri ka vendosur shumë disiplinë sipas kuptimit që ka kjo fjalë për të dhe regjimin. Fushata e tij kundër korrupsionit mori një ritëm të ri, teksa u forcuar duke shtuar numrin e rivalëve të mënjanuar.

Që atëherë, ai e ka ri-futur partinë në të gjitha aspektet e jetës në vend. Komitetet e partisë janë ngritur në të gjitha kompanitë firma dhe janë rigjallëruar në nivel lagjesh, ku anëtarët e bazës ndihmojnë në zbatimin e politikës së tij “Zero-Covid”.

Po ashtu, Xi ka ngritur organe partiake me kompetenca të reja për të mbikëqyrur ministritë e qeverisë. Siç thotë ai: “Qeveria, ushtria, shoqëria dhe shkollat, lindja, perëndimi, jugu, veriu dhe qendra, partia i udhëheq që të gjitha!”. Ndërkohë Xi dëshiron të rivendosë statusin e Kinës në arenën ndërkombëtare.

Në vitin 2018, një dokument i ri mbi filozofinë qeverisëse të presidentit parashtroi 10 parime që duhet të ndiqnin diplomatët kinezë nëpër botë. Në krye të listës ishte ruajtja e autoritetit të partisë. E dyta “realizimi i përtëritjes së kombit kinez”.

Ndërsa Mao e bashkoi vendin dhe Ten Hsiaopini e ndihmoi atë të përparonte, Xi beson se

ai do të jetë në gjendje që ta bëjë sërish të madh në skenën globale. Ai flet shumë shpesh për një Perëndim që është në rënie, dhe për botën që po përjeton “ndryshime të mëdha e të papara në një shekull”.

Kjo frazë i ka rrënjët në epokën e fundit perandorake Qing, kur Kina u poshtërua nga fuqitë e huaja. Nuk ka asgjë të çuditshme që një fuqi e madhe të dëshirojë të ketë më shumë zë mbi çështjet globale. Por regjimi i Kinës e sheh rendin e sotëm botëror si një imponim nga ana e Perëndimit ndaj dëshiron që të rishkruajë rregullat.

“Populli kinez nuk do të lejojë kurrë asnjë forcë të huaj të na ngacmojë, shtypë apo skllavërojë”- tha ai vitin e kaluar, duke kremtuar 100-vjetorin e themelimit të partisë.

“Cilido që guxon dhe përpiqet ta bëjë këtë, do të thyejë kokën në Murit e Madh prej Çelikut të farkëtuar nga mishi dhe gjaku i mbi 1.4 miliardë kinezëve”- shtoi ai.

Kjo është një muzikë e preferuar për veshët e nacionalistëve, të cilët e lavdërojnë pa fund zotin Xi dhe sulmojnë kritikët e huaj. Shumë prej tyre besojnë se Perëndimi është racist dhe egoist. Kryelartësia, paranoja dhe zhgënjimi i tyre janë një përzierje e rrezikshme.

Në gusht të këtij viti, kur kryetarja e Kongresit Amerikan, Nensi Pelosi, vizitoi Tajvanin, nacionalistët bënë thirrje që avioni i saj të rrëzohej. Ata besojnë se Amerika dhe një aleancë në zgjerim e sipër e NATO-s provokuan pushtimin e Ukrainës nga Rusia, të cilën Xi e mbështet në heshtje si një sfidë ndaj Perëndimit.

Kina e sotme u kujton disa diplomatëve perëndimorë Japoninë e viteve 1920-1930. Gara midis Kinës dhe Perëndimit, është mbi të gjitha një garë midis filozofive konkurruese. Qeveritë perëndimore, besojnë se suksesi vjen duke i lënë njerëzit të zgjedhin vetë fatin e tyre. Nga ana tjetër, sundimtarët e Kinës besojnë se individët duhet të sakrifikojnë liritë, privatësinë dhe dinjitetin e tyre për të mirën më të madhe, siç përcaktohet nga partia. Xi përkrah një version maksimalist të kësaj qasjeje.

Por kohët e fundit gjërat nuk kanë shkuar mirë. Nën moton e turbullt të “prosperitetit të përbashkët”, ai ka rikthyer kontrollin e shtetit mbi ekonominë dhe ka penguar aktivitetin e disa prej kompanive më të suksesshme të Kinës. Plani i tij për të kontrolluar pronat e paluajtshme po dështon, ndërsa kreditë e këqija po rëndojnë rrezikshëm mbi ekonominë.

Një problem tjetër urgjent është politika e tij e “Zero-Covid”. Për të mbajtur të paprekur shumicën e Kinës, zyrtarët vendosin bllokime shumë të ashpra në zona të mëdha të vendit edhe pas shpërthimeve të vogla epidemike. Në fillim kjo strategji shpëtoi shumë jetë njerëzish, por tani po dëmton seriozisht prodhimin dhe ekonominë.

Të neveritur me rregullat, njerëzit kanë filluar që t`i shpërfillin ato. Kur Xi mori detyrën në vitin 2012, Kina po ndryshonte me shpejtësi. Shtresa e mesme po rritej, kompanitë private po lulëzonin, ndërsa qytetarët ishin shumë aktivë në mediat sociale. Një udhëheqës tjetër mund t’i kishte parë këto si mundësi.

Ndërkohë Xi Jinping pa vetëm kërcënime. Ai po vendos në Kinë një aparat mbikëqyrës të teknologjisë së lartë të “stimujve dhe masave ndëshkuese” që synon të rivendosë më fort autoritetin e Partisë Komuniste. Jashtë vendit, ai po paraqet një sfidë të fortë ndaj rendit global të udhëhequr nga Amerika, të cilit bota duhet t’i rezistojë./ Përshtatur nga CNA.al

08:32 Blog “National Riview”

Kasapët e Iranit

Demonstruesit kanë dalë sërish në rrugë për të sfiduar reg...

Lajmet e fundit nga