web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Kolonia e Piktorëve"/ Artistët nga i gjithë vendi mblidhen në Maliq për edicionin e katërt

6 Nëntor 2024, 16:03, Qyteti im CNA

Bashkia e Maliqit organizon për herë të katërt "Koloninë e Piktorëve", duke bërë bashkë artistë nga e gjithë Shqipëria që do të hedhin në telajo peizazhe të përzgjedhura nga vetë ata, në disa zona të ndryshme të Maliqit. Një edicion që pritet të jetë shumë i suksesshëm, ashtu si tri edicionet e mëparshme, ku piktorët kanë realizuar dhe do të punojnë për realizimin e peizazheve të tjera në këtë zonë.

Në ditën e parë të kolonisë, piktorët janë pozicionuar në Pyllin e Fazanëve, i cili është atraksioni më i veçantë që ka Maliqi, për arsye se ka kafshë të ndryshme brenda tij dhe një natyrë të mrekullueshme plot ngjyra e gjallëri.

"Kolonia e Piktorëve"/ Artistët nga i gjithë vendi

Stina e vjeshtës është stina më e dashur për piktorët, pasi mbart një sërë ngjyrash që u sjellin emocion të veçantë në momentin që përballen me natyrën.

Për piktorin Astrit Hizmaj, i cili prej vitesh jeton në Francë, atje ku dhe punon, tregon se merr pjesë në këtë edicion për herë të parë. Hizmaj thotë se është shumë i impresionuar nga natyra e mrekullueshme në këtë stinë vjeshte, ndonëse klima është pak e ftohtë por ngrohtësinë e gjen te peizazhi dhe mikpritja në Maliq.

"Kolonia e Piktorëve"/ Artistët nga i gjithë vendi
Astrit Hizmaj

"Po, është hera e parë që vij këtu në Maliq, jam impresionuar shumë, vjeshta është shumë e bukur, natyra, e harmonizoj edhe me mikpritjen që më bënë në Korçë. Klima pak e ftohtë, por unë jam shumë i kënaqur, do punoj me qejf. Më pëlqen vjeshta me ngjyrat që jep.

Na orientuan në disa pika, por thashë ta shikoja pyllin e Fazanëve sepse qenka interesant, me një gjelbërim që lidhet me vjeshtën e bukur. Ne vjeshta na çmend."

Artisti shpreh kënaqësinë që po merr nga peizazhi në pyllin e Fazanëve, duke treguar se natyra në këtë vend është një mrekulli dhe ndër të tjera, për të është kënaqësi e dyfishtë që po takohet me miqtë e vjetër.

"Kolonia e Piktorëve"/ Artistët nga i gjithë vendi

"Sot jam te ky pylli këtu, do të paraqes vjeshtën dhe ato që jep ajo, më pas do vazhdoj edhe me pjesën e sipërme të Maliqit se kishte vende të bukura shumë. Natyra është mrekulli dhe ka të gjitha gjërat që piktorët kërkojnë.

Unë jetoj në Francë, kam disa vite që kam ikur, punoj atje, por vij shpesh edhe në kolonitë që organizohen këtu. Jam shumë i kënaqur për këto koloni sepse mblidhemi me shokë të vjetër, diskutojmë dhe më mirë që diskutojmë shqip sesa frëngjisht."

Flutura Maçi është një tjetër piktore që po i bashkohet për herë të tretë kësaj kolonie, duke treguar përshtypjet e saj për pyllin e Fazanëve dhe atë çka gjen atje. Maçi ka menduar që në këtë aktivitet të hedhë në telajo diçka që nuk e ka bërë më parë, duke theksuar se peizazhi në këtë zonë është një mrekulli e zotit, me ngjyrat që piktorët i preferojnë shumë.

"Kolonia e Piktorëve"/ Artistët nga i gjithë vendi
Flutura Maçi

"Ne së bashku po përhapim gjithandej kulturën dhe identitetin e vendit tonë, jemi ambasadorë të artit dhe kulturës. Për mua është hera e tretë që vij në këtë koloni arti në Maliq, vij me shumë dëshirë sepse këtu është një natyrë e virgjër, e mrekullueshme dhe njerëzit kujdesen për këtë natyrë, për fazanët dhe kafshët e tjera që rrethojnë këtë pyll.

Sot mendoj të bëj diçka që s’e kam bërë herët e tjera, se çfarë do ta shohim më vonë. Peizazhi është një mrekulli e zotit, me ngjyra të jashtëzakonshme, me të verdhën, të kuqen e jeshilen që ne piktorët i preferojmë shumë. Unë e dua vjeshtën."

Pjesë e kolonisë për herë të tretë është edhe piktori pogradecar Kudret Durollari, i cili ka zgjedhur të hedhë në telajo një pjesë të peizazhit në hyrje të pyllit të Fazanëve. Ai tregon se është me prejardhje gorare, ndërsa nëpërmjet peizazhit që po hedh në telajo do të nxjerrë mbresat e tij dhe kujtimet e prindërve.

"Kolonia e Piktorëve"/ Artistët nga i gjithë vendi

"Për mua është hera e tretë që marr pjesë, në radhë të parë më bie për detyrë të falënderoj Bashkinë e Maliqit që merr këto nisma dhe ne na jep mundësinë për të hedhur në telajo emocionet tona në këtë zonë. Jam me prejardhje gorare, më lind detyra ta punoj këtë peizazh duke hedhur mbresat e mia dhe kujtimet e prindërve.

Sa mbërrita këtu, në pyllin e Maliqit, më pëlqeu pjesa ballore që dhe koha sot është pak me erë dhe nuk më favorizon për të zhvilluar qetë një format të caktuar, por unë do ta mbyll këtë proces dhe do vazhdoj të pikturoj".

Ndër të tjera, piktori pogradecar thotë se vjeshta është stina që ngacmon jo vetëm piktorët, por edhe artdashësit, pa lënë mënjanë edhe rëndësinë e stinës së dimrit.

"Kolonia e Piktorëve"/ Artistët nga i gjithë vendi

"Vjeshta është stina që ngacmon jo vetëm piktorët, artdashësit dhe personat që kanë dashuri për artin, sepse është një larmi ngjyrash, kolorit dhe ka shumë nota muzikore. Por edhe dimri është i bukur këtu në Maliq."

Në këtë edicion të katërt të kolonisë së piktorëve në Maliq, pjesëmarrës janë 15 artistë nga Shqipëria, të cilët janë bërë bashkë për të diskutuar e për të hedhur në telajo emocionet e tyre në disa nga zonat më të bukura të Maliqit. Në ditën e parë, piktorët u pozicionuan pranë pyllit të Fazanëve, ndërsa ditën e dytë e të tretë do të stacionohen në fshatin Podgorie e më pas në luginën e Devollit. Ekspozita me punët e artistëve do të mbahet para Bashkisë së Maliqit, në datën 8 nëntor./ CNA TV





Lajmet e fundit nga