web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pse nuk bind dhe çfarë fsheh Rama pas tezave për një cikël të ri reformimi

10 Maj 2024, 10:03, Editorial CNA

Rama, tri ditë më parë, u bë prezantuesi publik i nismës që sipas tij bëhet:

"Për një fuqizim të mëtejshëm të legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, por edhe për një harmonizim të domosdoshëm të punës së tyre në funksion të shtetit shqiptar përballë derës së BE-së."

Shumë analistë e gjetën problemin te fakti që Rama foli shumë gjatë, si për t'u justifikuar pse as e kishin dëgjuar e as kishin kohë ta lexonin. Rama nuk është tip që flet kot, ndaj besojmë ato që u deklaruan publikisht nga promotori i draftit dhe deklamuesi i komisionit të reformave të reja, duhen lexuar me vëmendje. Bile duhet falënderuar që foli aq gjatë, se kështu mund të kuptojmë më shumë dhe na ndihmon për të zbuluar atë që nuk tha.

Rama foli për harmonizime, por nuk shpjegoi se si do të arrihet dhe çfarë ideje ka ai apo ekipi i tij për mënyrën se si do të ngrihet ky bashkëpunim në nivel normash apo dispozitash të detyrueshme për zbatim.

Ajo që bën pak përshtypje është ringritja (apo nxjerrja përballë si motiv dhe justifikim për nismën) e nevojës për të "përafruar më shpejt ligjet tona me BE-në."

Pse nuk bind dhe çfarë fsheh Rama pas tezave për një
Edi Rama në mbledhjen e kabinetit

Pak kohë më parë Rama deklaronte se çështjen e përafrimit të ligjeve e kishte zgjidhur pas një telefonate me Mira Muratin. Kishte marrë edhe shpjegimet prej saj dhe kishte kuptuar që kjo gjë mund të bëhej nga ChatGPT për punë ditësh. Jo shumë muaj më parë na habiti të gjithëve kur deklaroi edhe se në vizitën e radhës në Bruksel (vizitë që është kryer tashmë) do të shkonte me dosjen e draft-ligjeve të gatshme për t’i habitur edhe ata andej.

Rama, në fjalimin e tij programor, tha: "Duhet nxitur e mbështetur më shumë modernizimi demokratik dhe inovacioni teknologjik i gjithë sistemit të qeverisjes së të tria pushteteve".

Çfarë do të thotë Rama kur flet për modernizim demokratik të qeverisjes së sistemit të të tria pushteteve? Për cilat pushtete e kishte fjalën? Për pushtetin legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor?

Demokratizimi është koncept politik! Demokratizim do të thotë POLITIZIM. Dhe të demokratizosh pushtetin gjyqësor do të thotë ta politizosh atë. Dhe kjo është antireformë!

Duhet të pranojmë që Rama është shumë i aftë që të luajë me fjalën, ndaj Rama duhet dëgjuar dhe lexuar me kujdes. Sidomos kur flet gjatë!

Sa i takon inovacionit teknologjik të të tria pushteteve, Rama nxori sërish në skenë Mira Muratin, që të gjithë të kompleksoheshin nga Mira dhe të mos merreshin me atë që fsheh togfjalëshi "inovacionimi teknologjik i sistemeve të të tria pushteteve" të artikuluara nga Rama si një i vetëm.

Pse nuk bind dhe çfarë fsheh Rama pas tezave për një

Qëllimi u zbeh sepse ai u fsheh pas emrit të Mira Muratit. Bile tamam-tamam pas ekipit të zonjës së nderuar, të cilëve u qenkësh lënë detyrë modelimi i sistemit të prokurimeve inteligjente. Në bashkëpunim me AKSH-in!

"Po punohet nga AKSH-i në bashkëpunim me Microsoft dhe me ndihmën e vyer të ekipit të Mira Muratit, për modelin revolucionar të prokurimeve me inteligjencë artificiale", tha Rama.

Rama foli për rritje transparence, llogaridhënie, kontroll dhe harmonizim të TË TRIA PUSHTETEVE TË PAVARURA.

"Duhet rritur më shumë transparenca, llogaridhënia, kontrolli, duke harmonizuar shumë më mirë veprimtarinë e të tria pushteteve të pavarura kushtetuese..."

Çfarë ka në mendje Rama apo ekipi i tij, kur flet për shembull për harmonizimin e veprimtarisë së të tria pushteteve?

Si do të bëhet harmonizimi?

Harmonizimi kërkon minimumi negocim! Kërkon marrëveshje! Dhe në çdo rast kërkon të paktën koordinim.

Harmonizimi do të bëhet nën drejtimin e pushtetit legjislativ (Kuvendit)? Do të ketë harmonizim nën drejtimin e pushtetit gjyqësor? Apo harmonizim nën drejtimin e Ramës?

Pse nuk bind dhe çfarë fsheh Rama pas tezave për një

Rama flet për llogaridhënie! Llogaridhënia brenda gjyqësorit ekziston! Llogaridhënia brenda ekzekutivit ekziston!

Në pushtetin gjyqësor, për shembull, llogaridhënia zhvillohet sipas reformës, për të cilën Rama thotë se si fillim ka luftuar të bindë ATA (të huajt), pastaj ka bindur edhe veten. Përndryshe llogaridhënia bëhet ose në Kuvend, ose në popull! Do ta kthejë gjyqësorin që të japë llogari në Kuvend? Apo do ta nxjerrë atë që të japë llogari në popull?

Që të dyja opsionet janë ANTIREFORMË.

Çfarë paralajmëron Rama kur deklaron se "...të gjithë ata që duhet të bëjnë pjesën e tyre të luftës, sipas peshës e pozicionit në këtë front për Shqipërinë anëtare të BE-së, duhet të marrin përsipër edhe kostot e saj, sepse përndryshe lufta frontale me korrupsionin mund të vazhdojë më gjatë sesa duhet"?

Po përgatitet të fillojë fushatën e fajësimit të drejtësisë së re për vonesat e pritshme në procesin e integrimit?

A është draft-rezoluta nisja e një procesi që synon të bindë fillimisht ambasadat për të arritur më pas përmes tyre, që opozita të votojë e detyruar një paketë të re të shkruar sipas menysë së Ramës?

Rama, në fjalimin e tij të përpara 3 ditëve, sqaroi se si dikur iu "desh shumë kohë për t’i bindur vetë ata njëherë në radhë të parë (të huajt pra), për domosdoshmërinë e këtij ushtrimi shumë të paparashikueshëm që donim të bënim dhe patjetër për t’i bindur që vullneti ynë ishte pavarësimi i pushtetit politik, i drejtësisë nga pushteti politik më saktë".

Në favor të kësaj teze shkon edhe fakti që zyra të Kryeministrisë, përpara përkthimit në shqip të draft-rezolutës, kanë përgatitur dhe shpërndarë te të huajt një “non-paper” në anglisht.

Për çfarë po i bind kësaj radhe të huajt Rama?

Rama në fjalën e tij shprehu qartë vërejtjet dhe komentet e tij ndaj organeve të drejtësisë.

"Ky proces dënimesh dhe hetimesh që ka nisur kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë është shumë larg të qenit i përsosur. Ka plot probleme dhe mangësi, ka dhe rrëshqitjet e veta në shtratin e kulturës së vjetër të sjelljes me ligjin dhe të drejtat e liritë e njeriut pa diskutim", tha Rama.

Dhe këtë e tha në kontekstin e lançimit të nismës së re që starton me ngritjen e një komisioni që si lëndë të parë do të marrë draft-rezolutën që ka disa javë që është lëshuar për t'u testuar në media.

Cila është skema që ka në kokë Rama kur deklaron se draft-rezoluta synon "zgjerimin e fuqisë së drejtësisë përtej ishullit të SPAK-ut"? Çfarë sheh Rama përtej SPAK-ut, pasi pa përtej së majtës dhe së djathtës?

Rama i quajti Gjykatën Speciale dhe SPAK-un si ishuj! Dhe sipas Ramës sistemi i drejtësisë jashtë atyre ishujve ka probleme deri ulëritëse (sipas tij), si në rastin që ai citonte nga Prokuroria e Tiranës.

Rama:

"SPAK-u dhe Prokuroria e Tiranës janë në një distancë fizike më pak se 1 km. Në SPAK kërkohet llogari edhe për një punonjës të thjeshtë për një procedurë tenderi, në Prokurorinë e Tiranës mbrohet evazioni fiskal."

Në të njëjtën fjali gjen edhe vërejtjen për ekzagjerimin e kompetencave nga SPAK-u edhe vërejtjen për paaftësinë apo klientelizmin nga Prokuroria e Tiranës.

CNA.al ka paralajmëruar prej kohësh ngritjen e një komisioni që do të organizojë skenarin e sulmit ndaj drejtësisë apo segmenteve të drejtësisë që mazhoranca mendon se i kanë dalë nga kontrolli.

Te presim dhe të shohim se cilat janë këto segmente që mazhoranca po kërkon t'i fusë në "një cikël të ri reformimi".../ CNA

 





Lajmet e fundit nga