web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nga Rrjolli në Zvërnec, e vërteta që nuk thuhet

31 Maj 2026, 12:46, Editorial CNA

Nga Rrjolli në Zvërnec, e vërteta që nuk thuhet

Mediat dje raportuan se kishte pasur dhunë në Zvërnec, atje ku do të ndërtohet një resort turistik me një investim prej miliarda eurosh.

Në fakt edhe moralistët më të mëdhenj, pra ata gazetarë që duan të hiqen si parimorë nuk raportuan dot në mediat e tyre, u mjaftuan në rrjetet sociale duke drejtuar gishtin ndaj investitorit, subjektit Kastrati.

Në fakt gjithçka thuhet edhe për rastin e Zvërnecit edhe për rastin e Rrjollit është shumë e manipuluar dhe jo një e vërtetë e plotë.

Së pari, në lidhje me përplasjen dhe dhunën që ushtrohet

Në cilin vend të botës mund t’i shkosh tjetrit në shtëpi, në pronë? Pretendojnë se janë pronarë. Si janë pronarë, kur një biznesmen, një investitor shkon dhe e blen sipas atij që ka certifikatën e pronësisë, e blen me lekë këtë pasuri.

Deri në momentin që nuk ka projekt, nuk fillon investimi askush nuk kujtohet. Ka 35 vjet, as nuk e dinë se çfarë është ajo pronë, as nuk kanë pretendime, kanë humbur dhe përplasjet në gjyqe.

Nga Rrjolli në Zvërnec, e vërteta që nuk thuhet
Protesta ne Zvernec

Pa folur pastaj për idenë që kullotat nuk kanë qenë kurrë prona private, që është një gënjeshtër e madhe dhe kjo sepse në kohën e Zogut çdo pëllëmbë toke e Shqipërisë e ka pasur të mirëpërcaktuar pronarin, qoftë ky edhe shteti.

Prej vitesh, prej dekadash, nuk bëjnë asgjë për atë pronë, në momentin që shfaqet një investitor dhe vendos rrethimin shkojnë dhe rrihen. Ku ndodh kjo?

Po sikur të shkojnë një grup njerëzish në shtëpinë e këtyre që pretendojnë që janë pjesë të mjedisit apo pseudopronarë të shpikur apo gjobaxhinj që duan vetëm tu marrin lekë investitorëve? Çfarë do të ndodhë? Do t’ju nxjerrin pushkën dhe drunë.

Ç’punë ka që protestojnë dhe hyjnë brenda pronave, kushdo qoftë, sepse ajo quhet vepër penale, quhet vetëgjyqësi. A ke pretendim, shko hap çështje në prokurori, shko në gjykatë. Do të protestosh, protesto në rrugë, blloko rrugën, por askush nuk mund të hyjë në kantier edhe në një zonë të ndërtuar që po ndërtohet dhe po zhvillohet. Kjo nuk ndodh askund.

Nuk duhet të ndodhë as në Rrjoll, ku u kujtuan pas 35 vjetësh dhe në momentin që në një zonë të harruar dhe të braktisur u shfaq një investitor që e kishte blerë pronën me para, i cili kishte paguar miliona euro për projektin arkitekturor, për projektin e zhvillimit të zonës, kishte paguar miliona euro taksa, në momentin që shfaqet për ta ndërtuar dalin një tufë njerëzish dhe i përplasen.

Nga Rrjolli në Zvërnec, e vërteta që nuk thuhet
Protesta ne Rrjoll

E njëjta situatë në Zvërnec. Dekada të tëra askush nuk është marrë me ato prona atje. Shkon subjekti privat, e blen e zhvillon, vijnë studio arkitekturore nga më të mirat në botë, duan të zhvillojnë një pronë të lënë në harresë prej 3 dekadash dhe shfaqen disa pseudoambientalistë kryesisht gjobaxhinj që mbijetojnë nga paratë që marrin nga këta investitorët e mëdhenj.

Dhe, përgjegjësia dhe faji është i vetë këtyre investitorëve të cilët i kanë mësuar me të tilla gjëra se pasi ata protestojnë shkojnë u japin shukat me lekë që t’ua mbyllin gojën kur në fakt janë me të drejtën dhe ligjin, kanë blerë një pronë, kanë paguar para për të zhvilluar, kanë marrë një leje nga shteti.

Ndaj dhe kjo zonë ku do të ndërtohet resorti nuk duhet të ruhet me polici private, duhet të jetë shteti atje që ta mbrojë. Nuk mund të shkojnë njerëzit të bëjnë vetëgjyqësi dhe të hyjnë në prona private kushdo qoftë.

Kjo është e vërteta e padiskutueshme.

Për 35 vjet nuk janë marrë me ato prona, as në Zvërnec dhe as në Rrjoll, kujtohen kur shkon investitori.

Shkojnë brenda pronës protestojnë me vetëgjyqësi, me vepër penale, ku në fakt duhet të ishte e kundërta.

Ata që kanë pretendime të vazhdojnë gjyqet, prona duhet të zhvillohet. E fitove gjyqin e ke të zhvilluar vlen më shumë para, nuk e ke pronën tënde, është e dikujt tjetër ta gëzojë ai që e ka.

Banorët e zones, ata që protestojnë të nxitur dhe nga konjuktura të ndryshme së pari nga konkurrenca, së dyti nga linja të caktuara politike në Zvërnec padiskutim janë linja të Sorosit, padiskutim janë ambientalist gjobaxhinj. Kjo është një e vërtetë e provuar.

Nga këto investime do të përfitojnë dhe banorët e zonës se këto resorte kanë nevojë për infrastrukturë, për mirëmbajtje, për shërbime që do të kryhen nga njerëz që do të trajnohen dhe mirëpaguhen.

Këto investime janë një shans për zona të caktuara që janë lënë në harresë, ku qindra banorë ngelen me dy produkte që shesin nga fusha apo ferma e tyre. Kurse me zhvillimin e zonave me resorte të tilla, do të duhet një zinxhir i madh furnizimi dhe shërbimi që këtë shans e kanë banorët e këtyre zonave.

Përtej këtyre që quhen protesta apo përplasje pengohen investime me dhjetëra miliona euro, miliarda lekë që shkojnë te të ardhurat në buxhet, që shkojnë si investime.

Po keqpërdoren ata që janë në të drejtën e tyre që besojnë disa parime se, të tjerët kanë shkuar në kundërshtim me ligjin të protestojnë për një pronë që nuk është e tyre, për një pronë që investitori e ka blerë, për një pronë që investitori e ka zhvilluar, për një pronë që investitori e ka me leje.

Kështu po ndodh me Zvërnecin dhe Rrjollin, kështu ndodh kudo me këto investime të mëdha në disa zona të harruara që kur shkojnë investitorët t’i zhvillojnë, shfaqen 20 bashibozukë dhe shkojnë dhunojnë pronën private me vetëgjyqësi në shkelje të ligjit.

Ajo që ndodhi në Zvërnec është më e dhimbshme akoma sepse nuk duhet të mbajnë përgjegjësi sipas ligjit vetëm policët private, por duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore edhe personat që kanë hyrë me dhunë në një pronë private, edhe Policia e Shtetit që duhet të garantojë sigurinë e pronës private dhe investimin.

Nuk mund të lejohet çdo gjobaxhi, çdo pseudoambientalist dhe çdo njeri që kërkon të marrë një shukë me lekë nga investitorët të ngrenë dhunë, kaos dhe rrëmujë, e cila bëhet me qëllim nga individë që duan përfitime dhe asgjë më shumë se sa kaq, megjithëse nuk janë aspak pronarë dhe aspak ambientalistë./ CNA





Lajmet e fundit nga