web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Mero Baze, nën hijen e gazetarëve të Gebels-it

23 Maj 2026, 10:30, Editorial CNA

Në historinë moderne të propagandës politike, emri i Josef Gebels-it mbetet simboli më ekstrem i përdorimit të medias për manipulimin e opinionit publik. Ai nuk ishte thjesht ministër propagande, por ishte arkitekti i një sistemi ku gazetari, intelektuali, artisti dhe media shndërroheshin në instrumente të pushtetit.

Mero Baze, nën hijen e gazetarëve të Gebels-it
Gebels, drejtuesi i makinës propagandistike naziste

Përmes figurave si Hans Schwarz van Berk, Julius Lippert apo redaksisë së 'Das Reich', Gebels krijoi një mekanizëm ku detyra e gazetarit nuk ishte të kontrollonte pushtetin, por ta mbronte atë, ta justifikonte dhe të sulmonte këdo që e vinte në dyshim.

Sigurisht, e kemi thënë që Shqipëria e sotme nuk është Gjermania naziste dhe krahasimi nuk qëndron te natyra e regjimit. Nuk kemi censurë totale, polici politike apo ndalim të opozitës. Por ngjashmëritë që shumë njerëz shohin lidhen me metodologjinë propagandistike, pra me mënyrën se si pushteti përdor media dhe gazetarë të afërt për të ndërtuar një realitet paralel.

Gebels kishte kuptuar diçka thelbësore. Propaganda funksionon më fort kur nuk duket si propagandë. Prandaj ai nuk përdorte vetëm militantë brutalë, por edhe figura që krijonin perceptimin e një lloj serioziteti intelektual. Das Reich ishte gazetë ose më saktë një produkt mediatik, i ndërtuar për klasën e mesme dhe elitën kulturore të kohës. Mesazhi ishte i njëjtë: mbrojtja e regjimit dhe demonizimi i kundërshtarit, por forma duhej të dukej “profesionale” dhe “objektive”.

Në debatin shqiptar, është e qartë se një mekanizëm i ngjashëm përdoret sot përmes gazetarëve dhe mediave vasale të Erion Veliajt.

Emra si Mero Baze, Carlo Bollino apo portale të caktuara pa vlerë përmenden shpesh si pjesë e një narrative që synon jo përballjen me akuzat që i janë ngritur Veliajt, por delegjitimimin e kujtdo që i heton apo i publikon ato.

Në vend që diskutimi publik të fokusohet te thelbi i dosjeve, tek akuzat për korrupsion apo te provat, vëmendja zhvendoset te prokurori, te gjyqtari, te “komploti politik”, te sulmi personal ndaj kritikëve, apo tek ideja se gjithçka është pjesë e një skeme kundër Erion Veliajt.

Kjo është pikërisht një nga teknikat klasike të propagandës: të mos debatosh faktin, por të diskreditosh atë që e sjell faktin.

Ashtu si Gebels që përdorte gazetat e tij për të ndërtuar figurën e “armikut të Rajhut”, edhe sot këta gazetarë dhe mediat që përfaqësojnë, përdoren nga Erion Veliaj për të krijuar “armikun publik” në studio televizive apo portale. Prokurori paraqitet si i motivuar politikisht, gazetari kritik si i paguar, kundërshtari si primitiv apo hakmarrës. Diskutimi largohet nga korrupsioni dhe zhvendoset te psikologjia, karakteri apo biografia e kundërshtarit.

Një tjetër ngjashmëri metodologjike është koordinimi i mesazhit. Në regjimin nazist, Gebels kujdesej që e njëjta narrativë të përsëritej në gazeta, radio dhe kinema derisa të kthehej në “të vërtetë publike”. Në Shqipëri, Erion Veliaj përsërit të njëjtat mesazhe, të njëjtat sulme dhe të njëjtat narrativa të cilat i shpërndan pothuaj simultanisht në mediat e financuara prej vëllait të tij.

Përgjimet e bëra publike vitin e shkuar në media, provuan se vetë Erion Veliaj interesohej për mënyrën si trajtohej çështja e tij në televizione apo portale, duke diskutuar për intervista, kohë televizive dhe përzgjedhje gazetarësh “normalë”, pra jo kritikë ndaj tij. Kjo provoi ekzistencën e një marrëdhënieje jo mes politikanit dhe medias së lirë, por mes politikanit dhe një aparati komunikimi të kontrolluar informalisht për shkak të interesave financiare.

Në thelb, ngjashmëria nuk qëndron te forca e regjimit, por te filozofia e komunikimit. Erion Veliaj nuk e sheh median si kontroll ndaj vetes dhe përgjegjmëria do rritej kësisoj, por si instrument mbrojtjeje dhe sulmi.

Dhe pikërisht këtu lind shqetësimi më i madh për një demokraci. Sepse momenti kur gazetari pushon së kërkuari llogari dhe fillon të justifikojë politikanin për shkak të fuqisë financiare të tij, ai largohet nga roli i gazetarit dhe njësohet me rolin e propagandistit. 

Gebels e kishte përmbledhur filozofinë e tij në praktikë: përsërite një narrativë mjaftueshëm gjatë dhe ajo fillon të duket si e vërtetë. Në çdo kohë dhe në çdo sistem politik, rreziku fillon kur media nuk merret më me faktet, por me mbrojtjen e figurës së liderit apo të politikanit mediokër që e financon./CNA





Lajmet e fundit nga