web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Idioti i dobishëm” që zbuloi zarfin e pahapur dhe bindi Mero Bazen me Carlo Bollino-n se shpikën rrotën

29 Prill 2026, 15:22, Editorial CNA

Kur dëgjon Plarent Ndrecën duke folur me aq siguri për “zarfin e pahapur” të provave digjitale, problemi nuk është se po sjell një interpretim ndryshe, problemi është që nuk po tregon as njohurinë minimale mbi Kodin e Procedurës Penale. Këtu nuk kemi debat juridik; kemi mungesë kuptimi bazik mbi rolin e gjyqtarit të seancës paraprake.

Sepse, për ta thënë troç: ai gjyqtar nuk është aty për të hapur hard disqe, USB apo CD sikur të ishte teknik IT-je. Ai nuk bën analizë përmbajtjeje të provave. Ai verifikon mjaftueshmërinë e tyre përmes akteve procedurale, si procesverbalet e këqyrjes në rastin konkret. Kjo është ABC-ja. Nuk është interpretim, nuk është filozofi, nuk është debat, por është rregull elementar.

Kur dikush që prezantohet si avokat e paraqet këtë si problem madhor, “pse nuk u hap zarfi?”, në thelb po tregon që nuk e kupton fare se si funksionon faza paraprake. Është si të ankohesh që arbitri nuk po shënon gola, pa e kuptuar që roli i tij nuk është të luajë, por të gjykojë lojën.

Dhe pastaj vjen pjesa tjetër, ajo më e lehta: spektakli. Sepse kur nuk e njeh procedurën, spektakli bëhet shumë i thjeshtë. Mjafton të marrësh një element teknik, ta dramatizosh dhe ta shesësh si skandal. Sa më i madh konfuzioni, aq më e fortë duket deklarata. Në këtë kuptim, mungesa e dijes nuk është pengesë, është avantazh për "show"-n.

Ironia bëhet edhe më e fortë kur këto “leksione” vijnë nga dikush që vetë është i pandehur në SPAK. Pra, kemi një situatë ku një person që duhet të ketë interes jetik të kuptojë rregullat, del dhe i ngatërron ato në nivel fillestar. Nuk është thjesht lapsus, është një moskuptim i hapur.

Dhe sigurisht, kjo linjë gjen jehonë te Mero Baze dhe Carlo Bollino, të cilët bashkë krijojnë një atmosferë sikur sapo kanë bërë një zbulim epokal: “Zarfi nuk u hap!”. Një triumf i madh… për këdo që nuk e njeh procedurën. Për të tjerët, është thjesht momenti kur kupton se po festohet diçka që në fakt është normale dhe e parashikuar nga ligji.

Ndërkohë realiteti është i thjeshtë dhe pa dramë: provat digjitale hapen dhe shqyrtohen në gjykimin e themelit, kur palët e kërkojnë dhe kur ka debat konkret mbi to. Kjo është mënyra si funksionon sistemi. Çdo gjë tjetër është ose injorancë totale procedurale, ose përpjekje për ta kthyer një procedurë teknike në spektakël.

Në fund, nuk ka shumë vend për dilemë. Kur gabimi është kaq bazik, ti nuk po sheh një interpretim alternativ të rregullave të Kodit, por po sheh dikë që nuk e di për çfarë po flet. Dhe kur nuk e di për çfarë po flet, spektakli pastaj vjen vetë. Përfundimet e rastit: Erion Veliaj, për të mirën tënde, kthehu tek avokatët që kishe. Do të minimizoje sadopak dëmin që po vjen./CNA





16:05 Editorial

PD-ja e Mero Bazes

Mero Baze ka filluar të jetë pjesë e grupit të strukturuar...

Lajmet e fundit nga