web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Kujt i shërbejnë sulmet ndaj Altin Dumanit?

18 Maj 2026, 18:25, Editorial CNA
Kujt i shërbejnë sulmet ndaj Altin Dumanit?
Altin Dumani, SPAK

Ish-kreu i SPAK-ut, aktualisht prokuror në çështje të nxehta Altin Dumani sulmohet dita-ditës.

Çdo të hënë që Sali Berisha shkon para SPAK-ut, sulmon Altin Dumanin dhe prokurorë të ndryshëm apo gjyqtarë të GJKKO-së.

Të njëtën gjë bëjnë dhe shumë media të tjera, të afërm të Berishës, politikanë, avokatë të krimit, njerëz në konflikt interesi, të gjithë në sulm ndaj Altin Dumanit.

Në fakt, më shumë se sa ta sulmonin Altin Dumanin duhej që ta vlerësonin dhe të kërkonin që standardi që vendosi ai kur ishte në krye të SPAK-ut, të jetë ai që duhet të vazhdojë dhe sot. Opozita sdo kishte çtë thoshte për shumë nga zyrtarët e lartë pa hetimet e Dumanit. 

E sulmojnë të gjithë, edhe ata që hanë bukë me krimin, dhe ata që paguhen nga krimi, dhe bashkëpunëtorët e hajdutëve dhe të korruptuarëve.

Altin Dumani ka udhëhequr shumë hetime në dosje të forta ndaj grupeve kriminale, si bandat e Elbasanit, Durrësit dhe gurpe të tjera kriminale, zbardhje vrasjesh të vjetra, ngjarjesh të reja, grupet kriminale në Shkodër e kështu me radhë.

Altin Dumani ka në dorë një nga dosjet më të forta atë të AKSHI-t, ku janë të përfshirë shumë subjekte për më tepër dhe i penduari është një nag njerëzit e përfshirë në çështjet e thella të AKSHI-t. Përditë thirren zyrtarë, merren në pyetje, thirren individë.

Skandali i AKSHI-t është një nga më të mëdhenjtë të dëgjuar në vend ku Altin Dumani ka dorën e tij në zbërthimin e një çështje mjaft të rëndësishme që na tregon se si nëpërmjet sistemeve e IT-së që kanë kushtuar miliarda,  ka patur vjedhje, vjedhje, shumë vjedhje.

Altin Dumani ka luftuar korrupsionin dhe grupet kriminale.

Është një nga prokurorët e çështjes në dosjen e Erion Veliajt, me 13 akuza për 5 vepra të rënda penale. Është njeriu që hetoi Arben Ahmetajn dhe e mori në akuzë.

Duke renditur se cila ka qenë puna e Altin Dumanit në tre vite dhe jo vetëm në periudhën që ka qenë prokuror i SPAK, por dhe më parë, sapo ka vënë këmbët në këtë institucion, kuptohet se kujt i intereson sulmi ndaj Altin Dumanit, duke i nxjerrë deklarime të pjesshme në noter, deklarime të pjesshme të pasurisë dhe çështje që kanë kaluar në veting janë vlerësuar dhe dihen botërisht.

Krimit më shumë se çdokush i intereson sulmi ndaj Altin Dumanit. Të korruptuarëve nën akuzë ju intereson më shumë se kujtdo sulmi ndaj Dumanit.

Kur njerëzit e Berishës sulmojnë Altin Dumanin fërkon barkun Erion Veliaj. Kur njerëzit e Veliajt sulmojnë Altin Dumanin, SPAK-un dhe GJKKO-n fërkon barkun Berisha dhe të tijtë.

Kur njerëzit e Veliajt sulmojnë prokurorin fërkojnë barkun ata të opozitës, hajdutërit e saj se thonë “të paktën mos iu biem ne në dorë, ndoshta një ditë do lindë dielli për ne, do vijmë në pushtet por s’do kemi prokuror të ndershëm për tu përballur. Nuk do kemi një Altin Duman që në SPAK nuk është i vetëm”

Mund të lëshosh kritika për këdo, aty janë Vladimir Mara, Adnan Xholi, Anita Jella, Alfred Shehu, Behar Dibra, Bledar Maksuti, Doloreza Musabelliu, Dorina Bejko, Dritan Prençi, Elida Kaçkini, Elvin Gokaj, Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai, Klodjan Braho, Manjola Kajana, Ols Dado, Sotir Kllapi etj.

Ka dhe ata që janë dhe më afër pushtetit dhe politikës dhe kjo tregohet mirë nga sjellja që ka politika me ta, marrëveshje që ka politika me ta.

Ndërsa Altin Dumani nuk ka marrëveshje as me politikën, as me krimin.

Ndoshta dikush atje brenda në SPAK dhe mund ta ketë prandaj dhe nuk sulmohet, prandaj dhe nuk përmendet edhe pse mund të ketë ndonjë dosje të nxehtë në dorë.

Ndërsa Dumanin e sulmojnë edhe për shkak të kolegëve të tij që çojnë informacione tek opozita apo pushteti.

Por e vërteta është një dhe vetëm një: Çdo sulm i bërë ndaj Altin Dumanit është një shërbim ndaj krimit, çdo sulm i bërë ndaj Altin Dumanit është një shërbim i bërë ndaj korrupsionit.

SPAK mund të ketë 1001 probleme ndoshta do të duheshin më shumë Altin Dumanë në SPAK që Shqipëria të ishte më e mire, me më pak korrupsion dhe me më shumë grupe kriminale të shkatërruara.

Politika dhe krimi kanë zgjedhur të jenë bashkë për të goditur Altin Dumanin për interesat e njëri-tjetrit. Politika dhe krimi bashkejtojnë me njëri-tjetrin ndaj dhe Altin Dumani sulmohet për interesat e tyre./ CNA





Lajmet e fundit nga