web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Nuk e kanë me SPAK-un, por duan në gjunjë gjykatat

15 Maj 2026, 13:26, Editorial CNA

Nuk e kanë me SPAK-un, por duan në gjunjë gjykatat

Në mënyrë të përsëritur, disa personazhe, që tashmë janë publike, që vijnë kryesisht nga politika, me profesion juristë, në shumicën e kohës i sheh të hedhin statuse në rrjetet sociale dhe të mbajnë qëndrim ndaj drejtësisë, kryesisht me target SPAK-un, institucioni i cili për hir të së vërtetës, prej vitesh ka bërë një punë shumë të madhe, diku të lavdërueshme dhe diku të kritikueshme, por SPAK-u është struktura që ka goditur në themel krimin dhe korrupsionin në Shqipëri.

SPAK-u ka realizuar atë që është kërkuar prej vitesh nga shqiptarët, goditjen e korrupsionit në nivelet më të larta të zyrtarëve, korrupsionin dhe krimin më të sofistikuar. Në fakt, SPAK-u ka bërë detyrën. A ka vend për të bërë kritika? Pa diskutim. Çështja e inceneratorëve është një nga shembujt kryesorë.

Në thelb, këta që shkruajnë dhe sulmojnë SPAK-un kanë vetëm një hall me artikulimet e tyre, gjoja në emër të drejtësisë, dhe theksojnë se “SPAK-u ka bërë këtë, ka bërë atë, akuzojnë se s’ka drejtësi, është padrejtësi, s’duhet kafazi, pse i arrestojnë, t’i lënë të lirë zyrtarët e lartë, ç’janë këto burgosje?”, propagandë pafund.

E njëjtë me propagandën që bëjnë partitë politike, makineritë elektorale të pushtetit. Nuk ka ndonjë ndryshim nga diktatura e Hoxhës që “demaskonte” tregtarët apo armiqtë e partisë dhe të popullit.

Çfarë ndodh?

Së pari, personat që shkruajnë dhe mbajnë qëndrime janë avokatë, kanë klientë të pandehur për korrupsione dhe krime, mediat keqpërdoren me apo pa dëshirë dhe u japin hapësirë, duke u kthyer në avokatë të korrupsionit dhe krimit.

Siç mbron Ylli Manjani një grup kriminal, siç mbron i pandehuri Plarent Ndreca në akuzë në GJKKO të pandehurin tjetër Erion Veliaj apo avokati Cakrani që mbron Ilir Metën apo avokati Gjokutaj që mbron doktor Berishën.

I bien drejtësisë me top, SPAK-ut kryesisht. Thonë “s’ka prova”, dhe mediat ripërsërisin çfarë thotë mbrojtja duke sulmuar akuzën.

Bëjnë statuse në rrjetet sociale. “Gjykata, thonë, është zgjatim i SPAK-ut, e ka marrë peng SPAK-u”. Vu mediat me lajmet. I marrin e i mbajnë nëpër ekrane, nëpër banakë televizivë përnatë, flasin, buçasin, akuzojnë drejtësinë, SPAK-un, kur duhet edhe gjykatësit.

Në fakt, kjo që bëhet është një intimidim, një presion i hapur ndaj gjykatave në media. Një akt kriminal.

Avokatët e të pandehurve, përveç sallës së gjyqit ku duhet të mbrojnë klientët e tyre, kanë si tribunë mbrojtjeje edhe mediat. Mirë rrjetet e tyre sociale që i përdorin, po si mundet që media të bjerë pre e kësaj skeme të qartë? Çdo ditë presion, shantazh i hapur e i pandalshëm ndaj drejtësisë.

Vetë ata që shkruajnë dhe flasin, këta avokatët e krimit, avokatët e të pandehurve, të korrupsionit, mirë në rrjetet e tyre sociale që janë kthyer tashmë në një mjet propagande, mirë në sallën e gjyqit që kundërshtojnë provat, po 24 orë pa ndalim ekran më ekran, portal më portal, çfarë tha Ylli Manjani, i fut një hartim i pandehuri Plarent Ndreca, një deklaratë para seancës gjyqësore ia kërcet në ekran Kujtim Cakrani, i fut një koment vendimit të gjykatës edhe Genc Gjokutaj. Mbrojtje publike e të akuzuarve kur ende s’ka vendim gjykate dhe akuza thjesht njofton veprimet e saj ligjore.

Të gjithë ata që flasin para seancave, komentojnë vendimet, sulmojnë SPAK-un, nuk kanë asnjë hall tjetër, kanë hallin të kenë gjykatën në gjunjë.

Ata janë në një betejë me prokurorët, duan të fitojnë çështjen, i kanë sytë e nxirë, një pjesë e tyre nga lekët që marrin, nga pagesat. Nuk janë avokatë që punojnë falas, që flasin për të drejtat e njeriut apo që duan të mbrojnë interesin publik. Jo! Përtej çdo daljeje televizive dhe çdo deklarate që bëjnë kanë një klient shtesë, kanë një faturë shtesë, i kanë xhepat plot.

Nuk kanë hallin e SPAK-ut, por të propagandës së tyre me qëllim gjunjëzimin e drejtësisë. Duan të kenë gjykatën në gjunjë dhe të mbushin xhepat me lekë. Ky është sistemi i tyre.

S’ka prova, s’ka fakte, thonë po shkelen të drejtat, dosjet mal, gjykatat argumentojnë vendimet.

 

“VIKTIMAT e AVOKATËVE”

Nuk mund të mbahet në burg Erion Veliaj se ka firmosur 850 mijë euro, të cilat në mënyrë banale i quajtën brekë për Ajolën. Kjo është e turpshme, se Veliaj nuk ka vetëm ato akuza.

Ata janë paratë e taksave të shqiptarëve që ka firmosur dhe ia ka dhënë gruas përmes mënyrave të ndryshme. Ka akuza të tjera korrupsioni, të pastrimit të produkteve të veprës penale, ka akuza kur ka marrë dhe ka prishur provat me Klotilda Bushkën, kryetaren e Komisionit Parlamentar të Ligjeve dhe dalin bëjnë viktimën.

Del Karçanaj bën viktimën, del Meta bën viktimën, del edhe Erion Veliaj bën viktimën. Të dalin dhe ata banditët që kanë vrarë, që ndodhen në burgje të arrestuar nga SPAK-u, e të bëjnë viktimën. Këta janë të gjithë “viktima”.

Avokatët që i mbrojnë këto “viktima” dhe sulmojnë SPAK-un e gjykatësit janë “fajtorët” dhe cili është qëllimi final?

Ajo që theksuam më lart: Këta dalin dhe bëjnë “show” në media dhe luftojnë drejtësinë për të gjunjëzuar gjyqtarët që të marrin vendime në favor të klientëve të tyre ose t’i përdorin në raporte lobimesh ose gjykatat europiane.

Këta avokatë janë në konflikt të pastër interesi me publikun, sepse përveçse janë mbrojtës të klientëve të tyre përdorin ekranin dhe mediat për interesat e xhepave të tyre që të sulmojnë në mënyrë kriminale drejtësinë, të akuzojnë prokurorët apo gjyqtarët, të cilët kanë sallën e gjyqit vendin e përballjes.

Prandaj nuk kanë hall tjetër; duan të ulin në gjunjë gjykatat dhe të japin vendimet që duan xhepat e tyre të trashur nga paratë e klientëve, të cilët vijnë nga korrupsioni dhe krimi sepse kështu i kanë dhe akuzat./ CNA

 





Lajmet e fundit nga