web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rasti “Veliaj” dhe rasti “Balluku”, si praktika të SPAK-ut dhe manipulimit të opinionit publik

10 Mars 2026, 13:18, Editorial CNA

Dy janë ngjarjet më të mëdha të debatit publik kohët e fundit: e para, çështja “Balluku”, kërkesa e SPAK-ut për pezullimin e saj, pastaj një vendim i Gjykatës Kushtetuese pa vendim dhe në fund Parlamenti që qartazi duket se nuk do të votojë heqjen e imunitetit të zonjës Balluku, kjo e njoftuar edhe dje me vendimin e Grupit Parlamentar të PS-së që pasoi me një fjalim rreth dy orësh të kryeministrit Edi Rama.

Ngjarja e dytë është Erion Veliaj, arrestimi i tij dhe lëvizjet e shumta të bëra së fundi për të kërkuar që ky të jetë i lirë dhe për Veliajn duhet që të ndryshojnë ligjet, Kodet Penale.

Së fundi kanë filluar edhe lëvizje në Gjykatën e Lartë nga Sokol Sadushi me kërkesën e kryeministrit se zyrtarët e lartë nuk duhet të arrestohen edhe kur bëjnë korrupsion, edhe kur bëjnë vepra të rënda penale.

Po ku ndryshon rasti “Balluku” nga rasti “Veliaj”?

Së pari, zonja Balluku nuk arrestohet sepse Parlamenti nuk i heq imunitetin. Është me imunitet, është me një tjetër status dhe e gëzon për shkak të detyrës dhe pozicionit që ka.

Në rastin “Veliaj”, kryebashkiaku nuk ka këtë lloj imuniteti.

Nëse Edi Rama dhe të tijtë duan, mund ta ndryshojnë Kushtetutën e ligjet e vendit që kryetarët e bashkive të kenë imunitet. Kush do t’ua heqë imunitetin, më pas le ta vendosin me ligj.

Por, ajo që panë të gjithë shqiptarët është se për disa kryetarë të tjerë bashkie, në Lushnjë, në Fushë-Krujë, në Bulqizë, nuk u mbajt ky qëndrim nga PS-ja për arrestimet e tyre për gjëra shumë më të vogla sesa akuzohet Erion Veliaj.

Për Erion Veliajn po bëhet nami.

Rastet janë krejtësisht të ndryshme, s’kanë lidhje me njëri-tjetrin. Për të qenë të qartë deri në fund dhe për të mbyllur gojën e një propagande linçuese, mashtruese e të pështirë, të sponsorizuar nga Veliaj dhe njerëzit rreth tij, kryebashkiaku i Tiranës nuk është arrestuar pa fakte dhe prova, por pasi është marrë dhe është vënë në dijeni për faktet dhe provat ka filluar prishjen e tyre dhe intimidimin e dëshmitarëve. Kjo ka bërë që prokurorët të kërkojnë një masë sigurie më të rëndë.

Jemi përballë faktit që janë kryer 9 raste të rënda korrupsioni, se Erion Veliaj në detyrën e tij si kryebashkiak ka shpërdoruar detyrën dhe më pas akuzohet për vepra të tjera të rënda penale.

Në proces e sipër kur prokuroria po merrte provat, jo për shkak të kallëzimit të Nesti Angonit, por për shkak të fakteve dhe provave që dolën nga celulari i Adela Kondakçiut apo pranimit të fakteve dhe provave nga dëshmitarë gjatë procesit hetimor, Erion Veliaj filloi t’i prishte provat, të ndërhynte në proces.

Prokurorët i siguruan të gjitha këto dhe më pas kërkuan arrestimin e tij. Tani ka nisur tymnaja se rastet janë të ngjashme sepse po bëhet gjueti shtrigash nga SPAK-u.

Në fakt, rastet janë krejtësisht të ndryshme, akuzat janë krejt të ndryshme. Ato që ka zonja Balluku janë shumë më të lehta se ato që rrezikon Erion Veliaj.

Në rast se do të bëjmë matematikën me mbledhje dënimesh, Erion Veliaj nuk rrezikon 35 vite siç ia shumëzuan 7x5=35 zonjës Balluku, se po t’ia mbledhësh të gjitha bashkë ndoshta i shkojnë deri në 70 vite burg se janë të paktën 9 akuza korrupsioni, pa folur për pastrimin e produkteve të veprës penale, futjen e sendeve të ndaluara në qeli apo shpërdorimin e detyrës. Po t’ia mbledhësh si aritmetikë ndoshta i bëhen sipas ligjit 1 shekull burg.

Janë raste krejtësisht ndryshe që nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin që nga mënyra e hetimit dhe nga mënyra e ngritjes së akuzës apo nga mënyra se si është shkuar më tej gjatë kohës që janë mbledhur faktet dhe provat.

Në rastin e Erion Veliajt kemi fakte të tjera që lidhen me përgjime, me shkrime, me sulme, akuza publike, për të intimiduar,  kërcënuar dhe mashtruar publikisht në lidhje me prokurorët.

Ende sot Erion Veliaj nuk ka nxjerrë një provë për prokurorin Ols Dado, i cili, sipas tij dhe njerëzve të tij, ka kërkuar leje ndërtimi për një shtesë, por kjo është refuzuar nga kryebashkiaku. Nuk e kanë bërë prej më shumë se një viti publikimin.

Shkoi deri në SHBA dhe gënjeu duke thënë se Ols Dado ishte aktivist i Sali Berishës, i PD-së, kurse nga ana tjetër nuk janë parë sulme të zonjës Balluku apo stafit të saj kundër prokurorit Dritan Prençi apo SPAK-ut, apo gjyqtarët që kanë trajtuar çështjen.

Mjafton t’i shikojmë në mediat e pushtetit të rilindjes kush janë gjyqtarët e çështjes “Balluku”, pse nuk sulmohen?

Sepse ajo dhe avokatët e saj kanë vendosur që të mos sillen si Erion Veliaj, i cili mjafton të kërkosh në rrjete dhe e gjen se kush janë gjyqtarët paraprakë, gjyqtarët e çështjes, sulmohen, akuzohen strukturat e drejtësisë, prokurorët dhe vetëm për rastin “Veliaj” ndodhin këto.

As në rastin e zyrtarëve të tjerë të shtetit, përfshirë këtu ministra, prokurorë apo gjykatës nuk kemi të tilla sulme dhe fakte siç dolën në përgjimet e Erion Veliajt.

Erion Veliaj prezumohet i pafajshëm deri në momentin që gjykata do të japë vendime për akuzat e tij.

Por pas një viti, Erion Veliaj është përballë drejtësisë, pasi ka bërë një lumë akuzash, sulmesh e lëvizjesh të ndryshme duke iu shmangur drejtësisë, duke shtyrë seancat gjyqësore. Asnjëherë, në asnjë rast, Erion Veliaj nuk ka shkuar të përballet me drejtësinë me përulësi dhe të provojë pafajësinë e tij sepse ai e di shumë mirë se çfarë ka në dosje dhe dokumente, pasi ato tani do t’i marrë edhe fizikisht.

Iu plotësua teka që kërkonte t’i kishte malet me letra dhe shqiptarët të paguajnë miliona lekë për printimin e tyre që t’i ketë në burg. Ndërkohë që ato i kanë marrë avokatët e tij sipas procedurës ligjore, i kanë lexuar, i kanë publikuar në media.

Ndaj dhe jemi përballë faktit që kemi të bëjmë me dy raste krejt të ndryshme ku prezumimi i pafajësisë mund të jetë i njëjtë.

Në njërin rast i akuzuari zgjedh të sulmojë drejtësinë dhe të prishë provat, kurse në rastin tjetër e akuzuara zgjedh të mos prishë provat, të mos sulmojë prokurorët, por të vazhdojë përballjen me drejtësinë duke mos iu shmangur në asnjë rast, ndryshe nga ai i pari, i cili shpreson se do të dalë nga burgu duke përdorur ushtarët e “Mjeros” që drejtojnë Gjykatën e Lartë./ CNA





20:59 Editorial

Të ikë Saliu!

Ka një tezë të përdorur rëndom, kryesisht nga “mendjet e m...

Lajmet e fundit nga