web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Rasti “Igor Kokunov” dhe vendimi i kriptuar i Gjykatës Kushtetuese

16 Janar 2026, 10:40, Editorial CNA

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që pranon pjesërisht kërkesën e shtetasit rus, Igor Kokunov, përbën një nga aktet më problematike juridike të viteve të fundit, jo vetëm për përmbajtjen, por mbi të gjitha për logjikën kushtetuese të përmbysur mbi të cilën është ndërtuar.

Igor Kokunov nuk është ndonjë i përndjekur politik. Jo çdo rus jashtë Rusisë është aty ku është sepse përndiqet politikisht.

Aq më shumë, kur ai kapet nga shteti ku qëndron kjo ndodh për shkaqe që lidhen me kriminalitetin e lartë të personit. Dhe nuk lidhet me pasaportën apo bindjet politike.

Gjykata jonë Kushtetuese me vendimin e fundit, nëse ai do të zbatohej më tutje për çdo kriminel që duhet ekstraduar, do ta shndërronte lehtësisht Shqipërinë në një shtet ku ekstradimi bëhet i pamundur. Gjykata jonë Kushtetuese, e nxitur nga rasti i kriminelit rus, ka vendosur kushte shtesë për ekstradimet e ardhshme.

Rasti “Igor Kokunov” dhe vendimi i kriptuar i Gjykatës

Rasti “Igor Kokunov” dhe vendimi i kriptuar i Gjykatës

Rasti “Igor Kokunov” dhe vendimi i kriptuar i Gjykatës

(Vendimi i Gjykatës Kushtetuese)

Gjykata në rastin e rusit kriminel ka konstatuar:

      1.   cenimin e nenit 25 të Kushtetutës (ndalimi i trajtimit çnjerëzor ose degradues), në lidhje me standardin e arsyetimit gjyqësor;

      2.   cenimin e nenit 39 të Kushtetutës (ndalimi i dëbimit), në lidhje me detyrimin e autoriteteve për të zbatuar vendimet e saj.

 

Në pamje të parë, vendimi vishet me petkun e mbrojtjes së të drejtave themelore. Por në thelb, ai është një akt juridik i shkëputur nga realiteti faktik, ligjor dhe kushtetues dhe me pasoja të rënda për rendin juridik dhe sigurinë kombëtare.

 

Vëreni më poshtë kronologjinë e rastit, që Gjykata nuk mund ta ndryshojë:

Faktet janë kokëforta:

      -në 14.10.2024 – ministri i Drejtësisë ka disponuar me vendim lejimin e ekstradimit, pas vendimit përfundimtar të Gjykatës së Lartë që lejonte ekstradimin e tij drejt shtetit rus.

      -në 30.10.2024, ora 16:45 – dorëzimi fizik i Igor Kokunovit palës ruse, është dakordësuar dhe realizuar në Rinas.

      -në 30.10.2024, ora 17:15 (gjysmë ore më vonë)– Gjykata Kushtetuese merr vendim të ndërmjetëm pezullimi (sipas njoftimit zyrtar).

      -ora 17:53 – (pra gjysmë ore pasi u mblodh), vendimi mbërrin me e-mail në Ministrinë e Drejtësisë. (Nuk dihet sa minuta iu deshën Gjykatës të shqyrtonte dhe të vendoste. Por me siguri i është dashur më pak se gjysmë ore.)

      -ora 18:04 – "vendimi" mbërrin në e-mail-in e paradhomës së ministrit.

Sipas kësaj kronologjie, në momentin që "vendimi" i Gjykatës Kushtetuese u mor, ekstradimi kishte përfunduar.

Pra, juridiksioni i shtetit shqiptar kishte pushuar. Çdo veprim pas hipjes në avion do të përbënte rrëmbim personi, jo “pezullim ekzekutimi”.

Rasti “Igor Kokunov” dhe vendimi i kriptuar i Gjykatës

Pretendimi se ministri i Drejtësisë duhej të kishte pezulluar një ekstradim para se vendimi të merrej nga Gjykata Kushtetuese është jo vetëm absurd, por antikushtetues.

Gjykata çmon se vendimi i saj duhet të detyronte ministrin të kthente mbrapsht personin që u ishte dorëzuar ndërkohë autoriteteve të huaja.

Neni 500 i Kodit të Procedurës Penale në këtë rast është injoruar me vetëdije nga Gjykata Kushtetuese.

Neni 500 i KPP është i qartë: ekzekutimi i ekstradimit pezullohet vetëm në raste të përcaktuara shprehimisht nga ligji ose kur ekziston një vendim pezullimi në fuqi.

Rasti “Igor Kokunov” dhe vendimi i kriptuar i Gjykatës

Në orën 16:45 nuk kishte asnjë vendim pezullimi. Bile nuk kishte as Gjykatë Kushtetuese në punë!

Ministri i Drejtësisë nuk ka kompetencë profetike për të parashikuar vendime që ende nuk janë marrë nga Gjykata Kushtetuese. Aq më shumë, kjo fuqi mungon me rastet e Gjykatës sonë Kushtetuese që ç'thotë sot, nuk e thotë nesër. Gjykata jonë Kushtetuese nuk kapet dot pas vendimeve, se i ka objektivat shpesh të lëvizshëm.

Gjykata Kushtetuese, me arsyetimin e rastit të kriminelit të kriptove, ka krijuar një precedent të rrezikshëm: autoritetet publike mbahen përgjegjëse për moszbatimin e një vendimi imagjinar.

Trajtimi çnjerëzor i vlerësuar nga Gjykata jonë Kushtetuese është një standard i shpikur enkas për një kriminel elitar, që është mësuar të paguajë me kripto!

Gjykata shkon edhe më tej, duke e konsideruar trajtim çnjerëzor faktin që Kokunov ndodhet në paraburgim në Moskë:

-në dhomë me 6 persona

-pa televizor.

Gjykata është ndier e detyruar ta ndjekë kriminelin deri në qelitë e burgjeve ruse.

Rasti “Igor Kokunov” dhe vendimi i kriptuar i Gjykatës
Igor Kokunov

Ky standard, nëse do të aplikohej realisht, do të paralizonte gjithë sistemin ndërkombëtar të ekstradimeve.

Neni 25 i Kushtetutës dhe jurisprudenca ndërkombëtare nuk mbrojnë komoditetin, por dinjitetin minimal njerëzor. Përndryshe, çdo burg jashtë Europës Perëndimore, do të ishte automatikisht shkak refuzimi ekstradimi.

Kujtojmë se nuk jemi në rastin e një figure politike të persekutuar, por për një individ të dënuar disa herë, me gradën më të lartë në hierarkinë e krimit të organizuar rus. Dhe e gjitha ndodh në një kohë që Shqipëria ruan marrëdhënien diplomatike me Rusinë pavarësisht statusit të saj në instrumentet e Këshilit të Europës.

Pse u injorua rrezikshmëria e ankuesit që gjeti të hapur derën e Gjykatës Kushtetuese jashtë orarit zyrtar?

Gjykata kishte dijeni zyrtare:

-për tentativën e arratisjes nga burgu i Reçit;

-për planin kriminal shqiptaro-malazez për rrëmbimin e tij gjatë një vizite mjekësore, si dhe

-për rrezikshmërinë ekstreme të subjektit.

Këto informacione, të dërguara nga autoritetet e specializuara, u injoruan.

Cili argument i fortë i bindi në fillim 3 gjyqtarët e Dhomës së Këshillimit e pastaj 6 nga 8 anëtarët e trupës, që krimineli duhet të qëndronte në Shqipëri derisa në Rusi t'i sigurohej monolokal me standarde?

Në vend të sigurisë publike, u privilegjua narrativa e viktimizimit artificial për një kriminel që paguan me kriptomonedha!

Urgjenca e errët e orës 17:15!

Pse u mblodh Gjykata me urgjencë?

Pse jashtë orarit zyrtar?

Pse, sipas burimeve, me gjyqtarë të mbledhur nga shtëpia, në rroba sportive?

Sigurisht jo për një politikan oponent rus.

Por për një figurë që përflitet gjerësisht si “mbreti i kriptovalutave”, me lidhje financiare të errëta dhe ndikim të rrezikshëm.

Drejtësia e Gjykatës Kushtetuese ka lëvizur shpesh së fundmi me selektivitet. Por kur edhe nxitimi bëhet selektiv, ajo ka ndalur së qeni drejtësi e një institucioni të lartë shtetëror.

Në fund duhet thënë se ky vendim i reklamuar çuditshëm edhe nga disa media si në mbrojtje të Kushtetutës bie era kripto.

Nuk është mbrojtje e të drejtave të njeriut. Është sajesë e kriptuar.

Dosja "Kokunov" tashmë ka marrë rrugën e duhur. Ajo nuk është më thjesht çështje ekstradimi, por test i integritetit të shtetit shqiptar.

Gjykata Kushtetuese në këtë rast minimumi ka humbur busullën.

Por shteti nuk mund të lejojë të humbë themelet për shkak të disa "standardeve" të krijuara posaçërisht për një kriminel ndërkombëtar kriptosh. Aq më shumë kur kjo ngrehinë "standardesh" ndodh me Gjykatën Kushtetuese.

Që rastësisht këto ditë ka një inflacion vendimesh. Si për të zhurmuar "standardin" e rastit "Kokunov"!/ CNA





Lajmet e fundit nga