Koncesionet e Edi Ramës/ Kompania NOA, në tentakulat e Rilindjes

1 Qershor 2022, 10:41, Denoncim CNA
Koncesionet e Edi Ramës/ Kompania NOA, në tentakulat e Rilindjes
Kryeministri Edi Rama, në Kuvend

Një koncesion i shumëakuzuar. I raportuar në media ku me një palë pinca në dorë, një kompani private do të marrë rreth 70 milionë euro. Një koncesion i Qeverisë Rama, nga ato të shumtat.

Por, nga shkon dhe si po përfundon?

Një akuzë e ngritur në media, por e pafolur asnjë fjalë nga Opozita. E pafolur asnjë fjalë nga vetë segmentet e Qeverisë apo mediat kryesore në vend.

Gjithçka ka filluar si një denoncim i bërë nga Klodian Tomorri. Më pas e denoncuar edhe nga CNA.al në lidhje me një koncesion që Qeveria po jepte për vulosjen e pompave të furnizimit të mjeteve me karburant.

Dhe një koncesion i paralajmëruar se po merrej nga kompania NOA. Një kompani “spektakolare”, e shumëdenoncuar, e përfshirë në çështje të ndryshme denoncimesh dhe aferash me Qeverinë.

E para, fillon me një kontratë që është lidhur me KESH-in, mbi depozitimin e energjisë elektrike. Kompania NOA kishte firmosur një kontratë spektakolare. E merrte energjinë në kohën e pikut, dhe e tregtonte atë me qindra euro. Ndërkohë, e kthente gjatë natës duke fituar vetëm nga diferenca e çmimit, me miliona euro.

Një kontratë që pasi u denoncua nga CNA.al, u anulua nga ministrja Belinda Balluku.

Bëhet fjalë për një kontratë të nisur vetëm disa orë para se Benet Beci të jepte dorëheqjen si drejtues i KESH-it.

Një kontratë e firmosur në muajin maj 2021. Por, e filluar në muajin mars të vitit 2021, e cila thjeshtë dhe vetëm i ka sjellë një kompanie private disa miliona euro fitim, ndërsa KESH-i ka marrë vetëm thërrime.

Me datën 4 mars 2021, një kompani private "NOA Energy" i kërkoi KESH-it një marrëveshje, e cila ka të bëjë me depozitimin e energjisë.

“Hileja” qëndron pikërisht në oraret e shkëmbimit të energjisë.

Kur energjia blihet me çmim të shtrenjtë, në kohën e pikut dhe kërkesës më të lartë të kësaj energjie KESH-i e nxjerr jashtë dhe e merr gjatë natës, kur çmimi është shumë i lirë dhe askush nuk ka nevojë për energji.

Një shkëmbim energjie apo një sasi që KESH-i duhet t’ia japë kompanisë private "NOA Energy", e cila këtë sasi do t’ia kthejë sërish Koorporatës, brenda së njëjtës kohë. Pra, brenda së njëjtës ditë, por duke mos përcaktuar oraret. 

Pas kësaj, kompania "NOA" del diku tjetër. Del në tenderat e Bashkisë së Tiranës. Pikërisht tek Ujësjellësi, ku zhvillohen tendera, kualifikohet ndonjë kompani, sipas procedurave ligjore. Por, më pas del një shpikje korruptive, për interes të "NOA"-s.

Palëve që interesohen u kërkohet të dorëzojnë ofertat në Protokoll, pa kaluar në një komision.

Thjeshtë dhe vetëm çohet t'i shikojë dikush, dhe ky i fundit është ai që vendos.

Ka pasur denoncime se ofertat merren dhe i tregohen palës tjetër, e kështu me radhë. Gjithmonë në favor të "NOA"-s. Tenderin e fiton gjithmonë "NOA", tek Ujësjellësi i Tiranës.

Pra, nuk ka komision për vlerësimin e ofertave. Nuk çohen dokumentet në një grup të paracaktuar sipas ligjit dhe të bëhet hapja transparente. Gjithçka është e fshehtë. Në dorën e një protokollisti që shkon te drejtori, e më pas shpall fituesin. 

Rasti i tretë është pikërisht ky që ka denoncuar Klodian Tomorri dhe CNA.al në lidhje me vulosjen e pompave të furnizimit me karburant. Një koncesion 70 milionë euro.

Fillimisht ministria e miratoi qetë, në heshtje. Opozita nuk denoncoi. Mediat e mëdha heshtën dhe hap pas hapi u shkua deri në marrjen e kontratës.

Pra, firmosjen e kontratës koncesionare gati tri vite më parë, në vitin 2019, kur "NOA" krijoi edhe një kompani tjetër, "NOA Control", e cila do të ishte ajo që do të merrte koncesionin për vulosjen e pompave të karburanteve.

Me datë 21.08.2020 shoqëria "NOA Control" ka nënshkruar me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë një Kontrate koncesionare 20-vjeçare për verifikimin periodik të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm, që përfshin gjithv stacionet e shitjes me pakicë të karburanteve.

Kjo shoqëri ka krijuar shoqërine bijë "NOA Inspekt" (me ortak të vetëm "NOA Control" sh.p.k.) për qëllim të koncesionit sipas kërkesave ligjore përkatëse.

Ndërkohë, me Urdhër nr. 126, datë 21.05.2021, "NOA Inspect" merr eskluzivitetin edhe për sigurimin e “regjimit automatik”. Praktikisht, shoqëria koncesionare kryen sigurimin e regjimit automatik dhe verifikimin e detyrueshëm periodik të çdo pompe/pistolete karburanti, si dhe ka të drejtën e bllokimit të pompës së karburantit.

Më pas një tjetër spektakël del rrugës.

Disa prej kompanive i janë drejtuar me një letër-ankesë Autoritetit të Konkurrencës, si dhe 3 ministrive asaj të Infrastrukturës, Financave dhe Drejtësisë, për një situatë monopoliste, pasi ky shërbim do të ofrohej në treg thjeshtë dhe vetëm nga "NOA", me një kosto të caktuar. 

Dhe këtu fillon spektakli. Autoriteti drejtues dha përgjigje se nuk ka shkelje të konkurrencës në treg sepse do të përballohet nga kostot minimale që do t'i ofrohen kompanisë.

Por, kostot e kompanisë mund të jenë një lek. Mund të jenë dhe 10 lekë. Pra, pas lojës së bërë përtej qëndrimit të Ministrisë së Financave gjendet një hallkë tjetër, e një zyrtari socialist për ta firmosur lojën e "NOA"-s. Pra, vulosjen me një kosto të caktuar. Minimale sipas vetë Autoritetit Shtetëror.

Minimalja e kostove mund të jetë një, mund të jetë dhe 20, çka do të kalojë sipas llogaritjeve që do të japë vetë koncesionari. Në finale me një pincë në dorë, do të merren 70 milionë euro.

Një koncesion që kalon nga një kompani, e cila qartazi është pjesë e kanaleve të pushtetit politik të Rilindjes, që kalon nga Bashkia e Tiranës, nëpërmjet matësve dhe tenderave në Ujësjellës. Që kalon nëpërmjet KESH-it, nëpërmjet një kontrate skandaloze për depozitimin e energjisë elektrike. Kontratë e cila favorizonte firmën për të fituar miliona euro.

Tani kemi një kontratë të tretë. Kemi një koncesion, i cili është thjeshtë dhe vetëm një aferë.

Heshtja vrastare e Opozitës

Por, ajo që duket dhe më e turpshme, përtej denoncimit të bërë nga Klodian Tomorri, nga "MCN" dhe "CNA", është heshtja e turpshme e Opozitës. Askush nuk flet për këtë aferë.

Dikur ishte “qytetari dixhital”. Tani edhe ai nuk ka më vlerë, pasi Sali Berisha është bërë kryetar i PD-së. Nuk flet asnjë fjalë. Akuzoi Lulzim Bashën se bënte pazare me Qeverinë dhe nuk fliste për koncesionet. Por, ky është rasti i dytë që ne konstatojmë që vetë Berisha dhe PD-ja zyrtare nuk flasin. Nuk flasin për një aferë 70 milionë euro me një pincë në dorë që kalon nga kompania "NOA". Nuk flasin as për aferën e KESH-it. Nuk flasin as për tenderat e Ujësjellësit të Tiranës që kalojnë nga kjo kompani.

Më tej, edhe Lulzim Basha dhe të tijtë heshtin. Një Opozitë e gjerë e cila nuk flet asnjë fjalë.

Kështu ndodhi edhe me inceneratorët. Kështu ka ndodhur dhe me shumë PPP të tjera. Opozita e Bashës kujtohej pas muajsh apo vitesh. Ndoshta kjo po ndodh dhe me Berishën. Me PD-në zyrtare të sotme. Dikush ia ka mbyllur gojën. Cila është arsyeja, sepse përtej akuzave që mund të hidhen ndaj Qeverisë dhe klientëve të saj, ky klient na del që nuk denoncohet as nga Opozita, e cila duke heshtur thjeshtë dhe vetëm miraton një koncesion të tillë dhe tregon se është e lidhur me gjithë segmentet që çojnë në përfundim në një koncesion të shumëakuzuar./CNA.al

 

Lajmet e fundit nga