LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Studimi/ Fyerjet përpunohen nga truri si “një minishuplakë në fytyrë”

6 Gusht 2022, 12:01, Blog CNA
Studimi/ Fyerjet përpunohen nga truri si “një minishuplakë
Foto ilustruese

“Shkopinjtë dhe gurët mund të më thyejnë kockat, por fjalët nuk mund të më lëndojnë asnjëherë”, thotë një shprehje e vjetër. Por mos e gënjeni veten. Pasi të gjithë e dimë se disa fjalë lëndojnë shumë, si për shembull fyerjet.

Në një studim të ri, studiuesit në Universitetin e Utrehtit në Holandë, zbuluan se dëgjimi i fyerjeve është i njëjtë me goditjen me një “mini-shuplakë në fytyrë”, pavarësisht nëse fyerja në vetvete është e drejtuar ndaj nesh apo ndaj një personi tjetër.

Në këtë studim, Maria Rihter dhe kolegët e saj monitoruan reagimin nervor të njerëzve që dëgjonin ose lexonin fjalë negative. Ata zbuluan se ekspozimi ndaj këtyre fjalëve negative, rriti përpunimin e nënkuptuar (IMP) brenda korteksit cingulues subgenual anterior në trurin tonë (sACC).

Kjo është vetëm një mënyrë teknike për të thënë se fjalët negative shkaktojnë çlirimin e hormoneve të stresit dhe ankthit. Në një studim tjetër të ngjashëm, studiuesit zbuluan se fëmijët me një shkallë të lartë të përdorimit të fjalëve negative, kishin nivele më të larta të ankthit.

Pra, ne e dimë se gjuha negative mund të ketë pasoja afatshkurtra dhe afatgjata në mirëqenien tonë emocionale. Por çfarë mund të themi për gjuhën shumë lënduese, si fyerjet? Si specie shumë sociale, njerëzit kanë mësuar të thurin rrjete dhe hierarki komplekse sociale, nga fiset modeste deri tek perandoritë e fuqishme.

Bashkëpunimi ka qenë një nga çelësat e suksesit tonë. Por kjo do të thotë gjithashtu se nëse nuk vlerësoheni mirë në komunitetin tuaj, shanset janë që nuk do të jeni në gjendje të keni sukses. Madje në një moment të historisë, mundet as të mos mbijetonit.

Prandaj nuk është e habitshme që fyerjet, të cilat e dëmtojnë reputacionin dhe qëndrimin tonë në komunitet, mund të na shpojnë veshët si një shigjetë. Studiuesit e udhëhequr nga dr. Marin Struiksma, donin të mësonin më shumë se si i përpunon truri ynë fyerjet në dallim nga komplimentet.

Studiuesit përdorën Elektroencefalografinë (EEG) dhe elektrodat përcjellëse të lëkurës në kokën e 79 vullnetareve femra. Secila nga pjesëmarrëset, lexoi me zë të lartë një sërë deklaratash të përsëritura që përcillnin tre kuptime të ndryshme: fyerje (Linda është e shëmtuar), komplimente (Linda është shumë e bukur) dhe neutrale (Linda është holandeze). Këto ishin fyerje shumë të buta që njerëzit i përdornin zakonisht në internet. Por edhe ato ishin ngacmuese, do të zbulonin studiuesit.

Gjysma e pjesëmarrësve lexuan 3 deklaratat duke përdorur emrin e tyre, ndërsa gjysma tjetër përdori emrin e dikujt tjetër. Nuk pati asnjëherë ndonjë ndërveprim midis pjesëmarrësve dhe dikujt tjetër. Por vullnetarëve iu tha se deklaratat ishin bërë nga 3 burra të ndryshëm.

Të dhënat e EEG treguan se dëgjimi i një fyerje prodhoi ndryshime në amplitudën P2, një komponent i formës valore të potencialit të lidhur me ngjarjet (ERP) i matur në lëkurën e kokës së njeriut. Këto efekte u regjistruan pavarësisht se kujt i drejtohej fyerja, dhe rezultuan më të forta pas përsëritjes.

“Gjetjet tona kryesore janë se truri reagon shumë shpejt ndaj fyerjeve dhe komplimenteve, dhe ky reagim është më i fortë ndaj fyerjeve. Ky komponent i hershëm P2 në sinjalin EEG flet për një kapje shumë të shpejtë dhe të qëndrueshme të vëmendjes emocionale, e shkaktuar në mënyrë të besueshme nga marrja e kuptimit të fyerjeve dhe komplimenteve nga kujtesa afatgjatë.

Dallimi në reagim midis fyerjeve dhe komplimenteve është i fortë me kalimin e kohës. Prandaj, edhe pas shumë fyerjeve të përsëritura, ofendimet janë në fakt një “mini-shuplakë në fytyrë”. Ky zbulim, lidhet me fjalë të tilla shumë negative, që tërheqin automatikisht vëmendjen gjatë ripërsëritjes”-thotë Struiksma. Përfundimet e këtij studimi u shfaqën në revistën “Frontiers in Communication”./Pershtati ne shqip CNA.al

 

Lajmet e fundit nga