web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pse, vetëm një ushtri e fuqishme, nuk e bën Rusinë një fuqi të madhe?

30 Korrik 2022, 09:28, Blog Phillips Payson O’Brien

Pse, vetëm një ushtri e fuqishme, nuk e bën Rusinë një

Pak terma gjeopolitikë përdoren aq shpesh, teksa mungon një përkufizim i gjithë-pranuar, se çfarë është një  “fuqi e madhe”. Nga origjina e Luftës së Parë Botërore dhe deri tek pushtimi rus i Ukrainës, disa vende janë etiketuar si “fuqi të mëdha”, ndërsa të tjerat janë reduktuar në të qenit thjesht “fuqi të mesme” ose “fuqi të vogla”, të bazuara me sa duket tek përshtypja dhe aspak tek gjithçka gjë tjetër.

Ky nuk është thjesht një problem gjuhësor, apo një çështje që duhet diskutuar në katedrat e departamenteve universitare për marrëdhëniet ndërkombëtare. Ajo ka pasoja në botën reale: Besimi i zakonshëm, përpara se trupat e Vladimir Putin të hynin në fund të shkurtit në Ukrainë, ishte se Rusia ishte një “fuqi e madhe” dhe Ukraina një fuqi “e vogël”.

Dhe shumë ekspertë të politikës së jashtme, sugjeruan se fati i të dytës do të përcaktohej doemos nga e para. Problemi më i madh në lidhje me mënyrën se si ne i konceptojmë fuqitë e mëdha, ka të bëjë me përqendrimin kryesisht tek forca ushtarake, në vend se të marrim parasysh strukturat ekonomike, teknologjike, sociale dhe politike që formojnë një vend.

Pse, vetëm një ushtri e fuqishme, nuk e bën Rusinë një

Siç mund të shihet edhe nga Rusia e Putinit, e cila po përpiqet të përparojë në sulmin e saj ndaj Ukrainës - ashtu siç e treguan në të kaluarën Italia e Benito Musolinit në Luftën e Dytë Botërore apo Austria e Franz Jozefit në Luftën e Parë Botërore - forcat ushtarake janë në vetvete një parametër shumë mashtrues në të kuptuarit se çfarë e bën një komb “të madh”.

Në fakt, duke e parë pyetjen nga këndvështrimi historik dhe bashkëkohor, ka më shumë kuptim t’i qasemi çështjes nga ana e kundërt. Pra të pyesim se çfarë e gjeneron fuqinë ushtarake, përgjigja e së cilës do të na ndihmojë më pas të kuptojmë ndryshimin midis “fuqive të mëdha” të vërteta dhe atyre false.

Për të kuptuar se si ndërtohet një fuqi e vërtetë e madhe, ne duhet të eksplorojmë karakteristikat e një vendi në 3 kategori të dallueshme: themeli, formësimi dhe produkti.
Duke analizuar botën nga viti 1900 dhe deri më sot, elementi themelor i të gjitha fuqive të mëdha të vërteta, dhe që u mungon të gjitha fuqive të mëdha të rreme, është se fuqitë e vërteta të mëdha janë lideret teknologjike dhe ekonomikë të epokës së tyre.

Kjo do të thotë se ato mund të zhvillojnë jo vetëm produktet teknologjike më të avancuara (përfshirë armët), por kanë aftësinë t’i prodhojnë dhe përdorin ato në një numër të madh. Të tre këta elementë - zhvillimi, prodhimi dhe funksionimi - duhet të jenë të pranishëm, pasi zotërimi i një numri të madh sistemesh të teknologjisë së lartë, është shumë i ndryshëm nga aftësia për t'i përdorur ato në mënyrë efikase në luftë.

Pse, vetëm një ushtri e fuqishme, nuk e bën Rusinë një

Historia është e mbushur me shembuj të ushtrive që kanë blerë armatimin më të avancuar, por nuk morën asnjëherë maksimumin prej tyre. Natyrisht, që nuk mjafton vetëm të qenit një lider global teknologjiko-ekonomik.

Për shembull, Gjermania dhe Japonia do të kualifikoheshin sot si vende të tilla. Por ato nuk janë fuqi të mëdha, pasi nuk e kanë shndërruar atë kapacitet në forcë ushtarake, megjithëse Japonia duket se mund të shkojë drejt asaj rruge. Se përse disa vende lidere teknologjiko-ekonomike bëhen fuqi të mëdha dhe të tjerë jo, kjo varet nga ata që mund të quhen faktorë formësues.

Dhe këto janë tiparet kryesore sociale, kulturore dhe politike të këtyre vendeve, elemente që përkthejnë në fuqi ushtarake aftësitë e shteteve në fjalë. Gjatë shekujve XX-XXI, rregulli i përgjithshëm (por jo absolut) ka qenë se sa më i lirë dhe më fleksibël të jetë një shtet, dhe sa më funksional të jetë shteti i tij ligjor, aq më mirë funksionon ky proces.

Shtetet me popullsi të përkushtuar, me sisteme politike që punojnë kundër sundimit të një personi, dhe që e inkurajojnë kërkimin shkencor dhe atë të përgjithshëm filozofik, kanë më shumë gjasa që ta përkthejnë në mënyrë me efektive fuqinë e tyre teknologjiko-ekonomike në fuqi ushtarake, pra që është produkti përfundimtar.

Këto kombe nuk kanë vetëm një armatim të avancuar, por kanë me shumë gjasa edhe ushtarë të trajnuar më mirë, pajisje të mirëmbajtura, dhe udhëhiqen nga strategji më të arsyeshme, dhe që nuk ndikohen nga tekat e një udhëheqësi autokrat.

Duke përdorur këtë model, ne mund të shohim se vetëm një vend e ka kapërcyer vazhdimisht pragun e “fuqisë së madhe” që nga viti 1900: Shtetet e Bashkuara. Britania dhe Gjermania - dy fuqitë më të mëdha teknologjiko-ekonomike në Evropë - e përmbushën këtë kriter nga fillimi i shekullit XX-të deri në fundin e Luftës së Dytë Botërore.

Dhe që nga fundi i atij konflikti e tutje, Bashkimi Sovjetik mund të konsiderohet më afër qenies një “fuqie madhe”, për sa kohë që e pranojmë se dominimi i tij ekonomik dhe teknologjik bazohej kryesisht në prodhimin industrial dhe shkencën, në vend të formave të tjera të inovacionit apo rritjes ekonomike.

Bashkimi Sovjetik nisi ta humbiste këtë status diku në fundin e viteve 1970 apo në fillim të viteve 1980. Por siç e kuptoi Mikail Gorbaçov, karakteristikat formësuese sovjetike, nuk ishin të afta të krijonin një sistem të hapur dhe mjaft fleksibël për të konkurruar në epokën e informatikës.

Pse, vetëm një ushtri e fuqishme, nuk e bën Rusinë një

Rënia e Bashkimit Sovjetik nga statusi i fuqisë së madhe, e la SHBA-në fuqinë e vetme të madhe në botë deri në ngritjen e Kinës vitet e fundit. Sigurisht forca e pozicionit të kësaj të fundit në aspektin teknologjiko-ekonomik, është më e lartë se ajo e Bashkimit Sovjetik në çdo moment të historisë së saj, dhe është më së paku konkurruese me Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe në kulmin e fuqisë së këtyre dy vendeve.

Madje në disa aspekte ia ka kaluar SHBA-së, ose mund ta bëjë së shpejti. Kinezët kanë faktorë formësues seriozisht të diskutueshëm - të karakterizuar nga një shoqëri e robëruar, në të cilën po çimentohet sundimi i një njeriu - por si kompensim vendi është përpjekur të vendosë një sistem që lejon një rritje të fortë ekonomike.

Megjithatë, nëse nuk harrohen mësimet e 120 viteve, kjo mund të jetë edhe “Thembra e Akilit” e Kinës, nëse do të përpiqet ndonjëherë që ta ushtrojë fuqinë e vet ushtarake. Ushtria kineze është e madhe, me sisteme të avancuara në dukje të integruara, por nuk është testuar kurrë në luftë.
Dhe kjo e fundit është një element kyç.

Pasi ushtria e një fuqie të madhe nuk krijohet vetëm nga fuqitë themelore dhe formësuese. Vetë funksionimi i saj në luftë ndikohet shumë prej tyre. Për shembull, ushtria ruse u mbivlerësua shumë, por ne e kemi parë në Ukrainë se operacioni i saj është penguar ndjeshëm nga fakti se Rusia nuk është teknologjikisht produktive dhe sistemit të Putinit i mungon fleksibiliteti.

Ushtarët që po dërgohen në front vijnë nga pjesët më të varfra të shoqërisë ruse, dhe po trajnohen me nxisim dhe shumë pak, madje deri në shkallën që duken të paaftë për të përdorur armët e tyre me aq efektivitet sa duhet. Për më tepër, struktura e ngurtë e komandës ruse, nënkupton se ushtria ka probleme me përshtatjen dhe reagimin, duke përsëritur shpeshherë të njëjtat gabime.

Shënim:Phillips Payson O’Brien, profesor i studimeve strategjike në Universitetin Shën Endrju në Skoci.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga