LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Njerëzit mund të vdesin si nga trishtimi, ashtu edhe lumturia e madhe

23 Korrik 2022, 17:15, Blog CNA
Njerëzit mund të vdesin si nga trishtimi, ashtu edhe lumturia e madhe
Foto ilustruese

Vdekja nga një zemër e thyer, ishte vetëm një mënyrë figurative e të folurit në jetën e përditshme deri në vitin 2002, kur dr.Hikaru Sato dhe kolegët e tij në Spitalin e Qytetit Hiroshimas në Japoni, e përshkruan si një dukuri reale në një studim.

Sato e quajti atë “kardiomiopatia takotsubo”. Ajo u quajt shumë shpejt si “Sindroma e Zemrës së Thyer”. Kohët e fundit, shkencëtarët kanë zbuluar se njerëzit mund të vdesin para kohe edhe nga lumturia e tepërt. Dhe në fakt është e njëjta gjendje:kardiomiopatia takotsubo.

Natyrisht, këtë herë quhet “Sindroma e Zemrës së Lumtur”. Atëherë, çfarë është “kardiomiopatia takotsubo”, ose Sindroma Takotsubo? Dhe pse disa njerëz vdesin prej saj? Së pari, duhet theksuar se kardiomiopatia takotsubo është rrallëherë fatale.

Ashtu si me kardiomiopatitë e tjera (sëmundja e muskulit të zemrës), shumica e njerëzve shërohen brenda disa muajsh, pa pasur një dëmtim afatgjatë të zemrës. Ajo është quajtur kështu sepse njerëzit me këtë gjendje, kanë një barkushe të majtë në një formë anormale, pra në dhomën kryesore të pompimit në zemër.

Sato mendoi se forma - e ngushtë në krye dhe si balonë në fund - i ngjante tenxhereve prej qeramike të përdorura për të kapur oktapodët në Japoni (takotsubo). Nga këtu buron edhe emri. Ky ndryshim e dobëson muskulin e zemrës, duke ndikuar në aftësinë e tij për të pompuar gjakun në mënyrën e duhur.

Një studim mbi rreth 135.000 njerëz në SHBA, zbuloi se numri i njerëzve të diagnostikuar me këtë gjendje u rrit në mënyrë të qëndrueshme gjatë 11 viteve të studimit (2006-2017). Ai është më i zakonshëm tek femrat (88 për qind), dhe më shpesh vërehet tek njerëzit e moshës 50 vjeç e sipër.

Tani mjekët po identifikojnë aktualisht më shumë raste, pasi ka një ndërgjegjësim më të mirë për këtë gjendje shëndetësore. Ndaj njerëzit me këtë sindromë jetojnë më gjatë, pasi ka mjete më të mira diagnostikuese për ta zbuluar atë. Deri kohët e fundit, sindroma e “Zemrës së Thyer” lidhej me stresin e madh emocional ose fizik.

Mekanizmi i saktë, përmes të cilit stresi shkakton ndryshimin e formës së zemrës dhe simptomat pasuese - dhimbje gjoksi dhe gulçim - nuk është kuptuar ende plotësisht. Mjekët kanë vënë re ndryshime të ngjashme të dëmshme në zemër tek njerëzit me sëmundje si feokromocitoma (një tumor i rrallë në gjëndrat mbiveshkore) dhe çrregullime të sistemit nervor qendror.

Në këto kushte, ka një tepricë të katekolaminave, të cilat janë hormone, si adrenalina, noradrenalina dhe dopamina, të prodhuara nga gjëndrat mbiveshkore. Kjo na jep një ide mbi rolin e mundshëm të këtyre hormoneve në kardiomiopatinë takotsubo.

Roli i këtyre hormoneve në sindromën e “Zemrës së Thyer”, është forcuar më tej nga i njëjti deformim i barkushes së majtë të zemrës, i parë tek pacientët e trajtuar me këto katekolamina, kur i nënshtrohen rinoplastikës kozmetike (ndërhyrjes tek hunda).

Në situata stresuese, niveli i këtyre katekolaminave rriten, dhe ato ndikojnë në trupin e njeriut, sidomos në zemër ku rritin rrahjet e zemrës dhe fuqinë e tyre. Ky efekt në situata stresuese nuk është ndonjë surprizë, pasi shpesh trupi dhe mendja jonë kalojnë në modalitetin “lufto ose ik”, gjë që shkakton edhe çlirimin në gjak të këtyre katekolaminave.

Ngjarjet stresuese që mund të shkaktojnë sindromën takotsubo, përfshijnë marrjen e lajmeve të këqija (si diagnoza me një sëmundje kanceroeze), humbja e një njeriu të dashur, dhuna në familje, një aksident me makinë, dhe madje edhe të folurit në publik.

Kohët e fundit, studiuesit në Gjermani kanë përshkruar në detaje pacientët me sindromën takotsubo të shkaktuar nga ngjarje të lumtura, si dasma, lindja e nipërve apo fitimi i lotarisë. Nga 910 pacientë në studim, që kishin një shkaktar emocional për sindromën takotsubo, 37 kishin sindromën e “zemrës së lumtur”, dhe 873 kishin atë të “zemrës së thyer”.

Në dallim nga kjo e fundit që prek kryesisht femrat, sindroma e “zemrës së lumtur” është vërejtur më shumë tek meshkujt. Studiuesit zbuluan se vdekjet dhe komplikimet nga sindromat e “zemra e lumtur” dhe “zemrës së thyer”, janë pothuajse të njëjta, pra të rralla.

Prandaj, mos u shqetësoni nëse emocionoheni shumë nga ngjarjet më të rëndësishme të jetës. Ka shumë pak gjasa që ato t’iu vrasin. Por nëse ndjeni dhimbje apo presion në gjoks, atëherë kërkoni në çdo rast ndihmë mjekësore.

Përkthyer dhe përshtatur në shqip nga CNA.al

Lajmet e fundit nga