LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Çfarë i bën njerëzit të gatshëm të rrezikojnë jetën e tyre për të shpëtuar të tjerët?

17 Korrik 2022, 08:40, Blog CNA
Çfarë i bën njerëzit të gatshëm të
Foto ilustruese

Nga Frank T.McAndrew “The Conversation”

Pasi një 18-vjeçar vrau 19 nxënës të shkollës fillore dhe 2 mësues në Uvalde të Teksasit në SHBA, prindërit e tmerruar e drejtuan zemërimin e tyre ndaj oficerëve të shumtë të policisë që nuk arritën të ndërhynin në kohë në klasën ku po qëlloheshin fëmijët. Një mësues që u mbijetoi plagëve të tij i cilësoi policët “frikacakë”.

Ka të ngjarë që shkelja e një procedure standarde të policisë në ato momente, të ishte më e rëndësishme sesa mungesa e guximit. Por veprimet - ose mosveprimet - e atyre oficerëve të policisë, janë në kontrast të plotë me heroizmin e shfaqur nga të tjerët në rrethana të ngjashme.

Për shembull, në gushtin e vitit 2015, 3 të rinj amerikanë ndodheshin në një tren të mbushur plot me pasagjerë që udhëtonin nga Parisi për në Amsterdam, kur u ndeshën me një terrorist të armatosur rëndë. Duke mos u shqetësuar shumë për sigurinë e tyre personale, ata e sulmuan terroristin dhe e nënshtruan atë.

Askush nuk e kundërshton që këta djem meritojnë të quhen heronj. Vetëm disa njerëz duken të aftë për këtë formë heroizmi që ndodh në pak sekonda. Po çfarë i dallon ata nga të gjithë të tjerët? Studiuesit e psikologjisë si unë e kanë eksploruar këtë çështje përmes lenteve të psikologjisë evolucionare dhe të personalitetit.

Studime të shumta kanë treguar se meshkujt priren të jenë më të gatshëm të vënë veten në rrezik fizik, për të ndihmuar të tjerët. Por arsyeja pse disa burra e bëjnë dhe dhe të tjerë jo, ka qenë pak më e ndërlikuar për t’u kuptuar. Medalja “Carnegie”, është një çmim që u jepet njerëzve në Shtetet e Bashkuara ose Kanada që kanë rrezikuar me guxim jetën e tyre në përpjekje për të shpëtuar të tjerët.

Në vitin 2022, 15 nga 16 fituesit e kësaj medaljeje ishin burra. Sipas mendimit tim, kjo nuk është rastësi. Natyrisht, heroizmi dhe guximi mund të shfaqen në shumë forma, dhe burrat e gratë rrezikojnë njësoj reputacionin, shëndetin dhe pozitën e tyre shoqërore, për të bërë atë që ata mendojnë se është e drejtë.

Dhe nuk mungojnë gratë e guximshme. Kështu informatorja e kompanisë "Meta" që zotëron "Facebook", Frensis Hogen, dhe dëshmia e 26-vjeçares Kesidi Hatçinson para Komisionit të Përzgjedhur të Kongresit Amerikan për Hetimin e Sulmit të 6 janarit në Kapitol, janë vetëm 2 shembuj të fundit të guximit femëror.

Por kur bëhet fjalë për akte trimërie fizikisht të rrezikshme - si rasti i një terroristi në tren apo i një sulmuesi me armë në një shkollë - njerëzit supozojnë se ata që do të ndërhyjnë janë burrat. Ky stereotip ka arsye të forta evolucionare, dhe një nga frikërat më të zakonshme te burrat është se mos duken si frikacakë në sytë e të tjerëve.

Një burrë që nuk arrin të shfaqë guxim fizik, do të pësojë një dëmtim serioz të reputacionit të tij në një mënyrë që një grua nuk do ta bëjë. Përgjatë gjithë historisë njerëzore, arritja e një pozicioni të një statusi të lartë apo dominimi midis moshatarëve, ka qenë “bileta” për t’u bërë burrë dhe gjetur më shpejt partnere.

Dhe krijimi i një imazhit të një heroi nuk është një mënyrë e keqe për të ngritur shpejt statusin social. Shfaqja e dukshme e guximit dhe e forcës dhe duke i mbijetuar rreziqeve të mëdha, duket se u sinjalizon të tjerëve se një burrë ka cilësi të veçanta. Këto impulse janë përzgjedhur përmes evolucionit, sepse veprimi heroik ka siguruar avantazhe çiftëzimi për burrat.

Studimet psikologjike kanë konfirmuar se sjellja altruiste mashkullore, është më e admiruar kur ajo merr formën e heroizmit të rrezikshëm, i cili shfaq guxim dhe forcë. Një studim tjetër zbuloi se meshkujt kanë më shumë gjasa të sillen më bujarisht në prani të një anëtari tërheqës të gjinisë të kundërt; e njëjta gjë nuk vlen për gratë.

Unë kam kryer një sërë studimesh laboratorike që tregojnë se meshkujt kanë më shumë gjasa të durojnë dhimbjen, në mënyrë që të tjerët të mund të përfitojnë kur janë të pranishme femrat, dhe kur i pranishëm është një mashkull tjetër si konkurrent.

Në një studim mbi këtë çështje, një ekip psikologësh evropianë zbuluan se 464 burra amerikanë që kishin fituar Medaljen e Nderit gjatë Luftës së Dytë Botërore, kishin më shumë fëmijë se ushtarakët e tjerë amerikanë. Kjo është në përputhje me hipotezën se heroizmi shpërblehet me një sukses më të madh riprodhues.

Në studimin e tyre të dytë, gratë e vlerësuan më lart tërheqjen seksuale ndaj burrave që silleshin heroikisht në luftë se sa ndaj ushtarëve të tjerë. Është e qartë se gratë nuk i shihnin tërheqës burrat që ishin sjellë heroikisht në sport apo biznes.

Ndërkohë, a ekziston personaliteti heroik? Njerëzit priren të kenë një ide se si janë heronjtë. Në një studim, kur vlerësuam personalitetet e heronjve të filmave, pjesëmarrësit prisnin që ata të ishin më të ndërgjegjshëm, të hapur ndaj përvojës, më ekstrovertë, më simpatikë dhe emocionalisht më të sigurt se sa njerëzit e zakonshëm.

Ndërkohë studimet e heronjve të jetës reale tregojnë një histori tjetër. Disa studime tregojnë se njerëzit që shfaqin sjellje heroike dhe reaguesit e parë në një moment të rrezikshëm siç janë zjarrfikësit, kanë rezultate të larta në tiparet e personalitetit që lidhen zakonisht me psikopatët: ndërmarrjen e veprimeve të rrezikshme, kërkimin e emocioneve të forta, të qenit  gjakftohtë edhe në kushtet e një ambienti të tensionuar, si dhe një tendencë për të marrë kontrollin në situata sociale.

Shpesh, heroi është një person i zakonshëm që e gjen veten në rrethana të jashtëzakonshme. Ndërsa disa individë që janë trajnuar për t’u sjellë në mënyrë heroike mund të hezitojnë gjatë një krize, si oficeri i policisë që qëndroi jashtë shkollës së mesme në Parkland, Florida, ndërsa një person i armatosur po qëllonte brenda./ Përshtati në shqip CNA.al

 

Lajmet e fundit nga