web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Strategjia e Perëndimit mbi Ukrainën rrezikon të dështojë

11 Korrik 2022, 09:03, Blog Fareed Zakaria

Strategjia e Perëndimit mbi Ukrainën rrezikon të

Ka një thënie të famshme, sipas së cilës asnjë plan ushtarak nuk i mbijeton dot kontaktit të parë me armikun. Teoricieni më i madh i luftës, Karl von Klauseviç, shpjegonte se strategjia e një lufte duhet të jetë dinamike, në ndryshim të vazhdueshëm dhe duke u ripërtërirë.

Në traktatin e tij të famshëm “Mbi luftën”, ai shkroi se disa gjeneralë “marrin në konsideratë vetëm veprimin e njëanshëm, në një kohë që lufta përbëhet nga një ndërveprim i vazhdueshëm i të kundërtave”. Perëndimi duhet t’i marrë parasysh këto leksione në luftën e tij me Rusinë, dhe ta modifikojë sa më parë strategjinë e tij, e cila në formën e saj aktuale rrezikon të dështojë.

Thelbi i strategjisë së Perëndimit, ka qenë i bazuar në 2 synime: t’i sigurojë Ukrainës armë, stërvitje dhe para, si dhe në vendosjen e sanksioneve të shumta ndaj Rusisë. Kjo ide bazë ka ende kuptim, por ekuilibri duhet të ndryshojë. Tani është e qartë se lufta ekonomike kundër Rusisë, nuk po funksionon aq mirë sa menduan në fillim njerëzit.

Presidenti Vladimir Putin shqetësohet shumë më pak për dëmet që i sjellin popullit rus këto sanksione, dhe më shumë për atë që i bëjnë ato shtetit rus. Dhe falë rritjes së çmimeve të energjisë, "Bloomberg News" parashikon se qeveria ruse do të ketë shumë më tepër të ardhura nga nafta dhe gazi sesa para luftës, pra rreth 285 miliardë dollarë këtë vit, krahasuar me 236 miliardë dollarë në vitin 2021.

Strategjia e Perëndimit mbi Ukrainën rrezikon të

Ndërkohë, Europa po përballet me krizën e saj më të rëndë energjetike të 50 viteve të fundit.

Siç e kam argumentuar edhe më parë, problemi themelor i luftës ekonomike kundër Rusisë, është se ajo është pa “dhëmbë”, pasi e përjashton energjinë. Ekonomia ruse, është në thelb një ekonomi e varur nga energjia.

Vetëm të ardhurat nga nafta dhe gazi përbëjnë thuajse gjysmën e buxhetit të qeverisë ruse. Dhe fatkeqësisht, zgjidhja nuk do të ishte që Perëndimi të ndalonte fare blerjen e energjisë ruse, sepse në kushtet kur ka më pak burime alternative furnizimi në tregjet botërore, kjo vetëm sa do të rriste më tej çmimet.

Duke zhvilluar një varësi të rrezikshme nga energjia ruse gjatë 2 dekadave të fundit, Europa nuk mund ta ndryshojë së shpejti këtë situatë, pa u zhytur vetë në një recesion ekonomik të thellë dhe të zgjatur në kohë. Shihni se çfarë po ndodh tashmë në kontinentin europian, ku çmimet e gazit janë aktualisht 700 për qind më të larta nga sa ishin në fillim të vitit të kaluar.

Më 11 korrik, gazsjellësi “Nord Stream 1”, përmes të cilit Gjermania merr pjesën më të madhe të gazit të saj nga Rusia, është planifikuar të mbyllet për shkak të procedurave të mirëmbajtjes. Ka të ngjarë që Putini të vendosë ta ndëshkojë Perëndimin dhe Gjermaninë duke mos lejuar rihapjen e tij.

Strategjia e Perëndimit mbi Ukrainën rrezikon të

Nëse ndodh kështu, Gjermania - ekonomia më e madhe e Europës - do të zhytet thuajse me siguri në një recesion. Duket se strategjia e Putinit është t’i imponojë kosto Perëndimit, dhe të luajë duke blerë kohë, me supozimin se përçarjet në koalicionin kundër tij do të rriten, teksa do të shtohen kostot ekonomike në këto vende.

Vendet perëndimore nuk po e trajtojnë ende këtë sfidë si një prioritet madhor. Holanda zotëron një fushë të madhe gazi, por në fakt po e ngadalëson prodhimin. Gjermania nuk synon ende të ndryshojë programin e saj të heqjes tërësisht dorë nga energjia bërthamore. Administrata e Joe Biden në SHBA, po e bën edhe më të vështirë financimin e investimeve afatgjata për nxjerrjen e gazit natyror dhe naftës.

Ndërkohë, duket se ajo nuk po mundet të gjejë një mënyrë për të rivendosur marrëveshjen mbi programin bërthamor të Iranit, një akt që do të sillte një fluks të madh të furnizimeve të reja të naftës në tregun botëror, dhe që me siguri do të stabilizonte çmimet.

Unë e kuptoj se për të gjitha këto politika, ka kundërshtime dhe shqetësime që qëndrojnë. Por prioriteti duhet të jetë mposhtja e Putinit. Ndërkohë, dobësia e vërtetë e këtij të fundit është në frontin ushtarak. Ushtria ruse e ka zgjeruar kontrollin e saj në rajonin e Donbasit në Ukrainë, por e ka arritur këtë me një kosto shumë të madhe.

Mijëra ushtarë rusë janë vrarë, furnizimet po pakësohen, dhe më e rëndësishmja, Moska e ka shumë të vështirë furnizimin me rekrutë të rinj. “The Economist” raporton se qeveria ruse e ka të vështirë të plotësojë mungesat në front, dhe po u ofron rekrutëve të rinj 3-fishin e pagës mesatare.

Rusia po pëson humbje të rënda edhe në armatime, të cilat do ta ketë të vështirë që t’i zëvendësojë, sidomos ato që kërkojnë teknologji të sofistikuar, të cilën deri dje e importonte nga Perëndimi dhe aleatët e tij. Së fundmi, Sekretarja amerikane e Tregtisë, Xhina Raimondo, ka deklaruar se pajisjet ruse të kapura nga forcat ukrainase, përmbajnë çipa kompjuterikë të nxjerrë nga frigoriferët dhe pjatalarëset.

Udhëheqësit perëndimorë duhet ta pranojnë se sanksionet ekonomike nuk do të funksionojnë shumë shpejt. Ata duhet të rrisin sa më shumë që munden furnizimin me energji në mbarë botën, por nga ana tjetër duhet të heqin dorë nga ato sanksione që qartazi po i shkaktojnë më shumë dhimbje Perëndimit sesa vetë Rusisë.

Ndërkohë, duhet të rrisin mbështetjen ushtarake për Ukrainën. Çarja e bllokadës ruse rreth Odesës, do të ishte një fitore e madhe ekonomike për Ukrainën, dhe një humbje simbolike shkatërruese për Rusinë. Dimri po afron. Shtëpitë në Europë mund të mos kenë ngrohje të mjaftueshme. Sapo toka të mbulohet nga bora, trupat ukrainase do ta kenë më të vështirë që t’i largojnë rusët. Koha nuk është në anën tonë.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga