web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Bllokimi i bisedimeve të anëtarësimit në BE/ Inkurajim për ekstremistët në Maqedoninë e Veriut

15 Korrik 2022, 11:41, Blog CNA

Bllokimi i bisedimeve të anëtarësimit në BE/ Inkurajim

Pas një pritjeje të gjatë, për Maqedoninë e Veriut po afron sërish fillimi i bisedimeve të anëtarësimit në BE. Disa zyrtarë të BE-së dhe vendeve anëtare e kanë vizituar Shkupin ditët e fundit, duke thënë se ka më në fund një mënyrë për të hequr pengesat e fundit, që e kanë penguar këtë vend që t’i bashkohet unionit.

Dikush do të mendonte se për një vend që pret prej 21 vjetësh të nisë bisedimet e anëtarësimit me BE-në, mundësia për ta bërë këtë më në fund, do të ishte shkak për festime kombëtare. Por në vend të kësaj, vetë propozimi që supozohej të dilte nga bllokimi shkaktoi protesta masive kundër qëndrimit të qeverisë për ta pranuar atë, me disa incidente të dhunshme.

Maqedonia e Veriut e nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në, para Kroacisë, që në vitin 2001. Ajo u bë një vend kandidat për në BE në vitin 2005, një status që e mban që atëherë. Për shkak të së ashtuquajturës mosmarrëveshje për emrin me Greqinë fqinje, kanë kaluar vite të tëra.

Bllokimi i bisedimeve të anëtarësimit në BE/ Inkurajim

Kjo e fundit, anëtare e BE-së, vendosi veton ndaj përparimit drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, duke shtuar këtu edhe periudhën kur Maqedonia bëri hapa prapa në aspektin e sundimit të ligjit.

Por ajo kthesë drejt autoritarizmit mori fund në vitin 2017, dhe çështja e emrit u zgjidh një vit më vonë me Marrëveshjen e Prespës të vlerësuar gjerësisht.

Maqedonia u bë Maqedonia e Veriut, dhe Athina pranoi të drejtën e shumicës së popullsisë së fqinjit të saj për vetëvendosje: maqedonasit që flasin gjuhën maqedonase. Maqedonia e Veriut u bë aleati i 30-të i NATO-s, dhe liderët europianë nxituan të shkonin në Shkup për të premtuar fillimin e bisedimeve të shumëpritura të hyrjes në BE.

Por në fillim, Franca i bllokoi bisedimet dhe kërkoi ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit. Më pas, pasi u miratua kjo e fundit, Bullgaria vendosi veton ndaj fqinjit të saj për shkak të çështjeve të pazgjidhura të identitetit dhe historisë, duke pretenduar se gjuha maqedonase ishte një dialekt i bullgarishtes, dhe se identiteti artificial maqedonas ishte ndërtuar mbi një narrativë antibullgare.

Bllokimi i bisedimeve të anëtarësimit në BE/ Inkurajim

Pra, Sofja dëshiron të ndryshojë dhe të diktojë vetëperceptimin e maqedonasve në Maqedoninë e Veriut, përmes të drejtës së vetos si shtet anëtar i BE-së. Në Maqedoninë e Veriut, kjo veto u cilësua e tepruar. Ndërsa nacionalistët në Bullgari bënin pretendime të tilla, Bullgaria kishte qenë një mbështetëse e vendosur e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, ndaj një veto e tillë ishte e paimagjinueshme.

Traktati i miqësisë mes dy vendeve, i nënshkruar në vitin 2017, duhej të trajtonte si rregull të gjitha çështjet e hapura jashtë sferës së politikës. Por pretendimet bullgare minuan vetë arsyen pse Maqedonia mund të pranonte të bëhej Maqedonia e Veriut, gjuhën maqedonase dhe të drejtën për të shprehur lirisht identitetin e dikujt.

Historia dhe gjuha e maqedonasve, nuk duhet të jenë objekt i negociatave me Bullgarinë apo pjesë e procesit të anëtarësimit në BE. Gradualisht, kërkesat e Sofjes u zgjeruan duke e konsideruar përfshirjen e bullgarëve etnikë në kushtetutën e fqinjit të tyre, dhe pretendimet e pabazuara për diskriminim sistematik kundër bullgarëve.

Edhe këto pretendime bazoheshin në baza të dyshimta, të pambështetura në asnjë provë nga shumë raporte të Komitetit Këshillimor të Këshillit të Europës, që mbikëqyr zbatimin e të drejtave të pakicave. Pretendimet bullgare konsiderohen si arbitrare dhe absurde nga qeveritë e tjera të vendeve anëtare.

Presidencat e njëpasnjëshme të BE-së - Gjermania, Portugalia dhe Sllovenia - bënë shumë përpjekje për të gjetur një rrugëdalje, por Sofja rezistoi, kryesisht për shkak të qeverive të paqëndrueshme dhe forcimit të vijës së frontit politik të brendshëm.

Në ditët e fundit të presidencës franceze të BE-së, Parisi paraqiti një propozim që u pranua nga Bullgaria. Por pavarësisht disa rishikimeve të vogla të propozimit fillestar, paketa ka dy të meta kryesore. Së pari, për të hapur siç duhet bisedimet me BE-në, Shkupi duhet të ndryshojë kushtetutën e tij për të përfshirë në hyrjen e saj bullgarët (3.504 qytetarë sipas regjistrimit të fundit).

Kushtetuta aktuale përmend 4 kombësi, përveç shumicës maqedonase, dhe tashmë duhet të neglizhojë disa pakica të tjera përpara se të mbërrijë te pakica e vogël bullgare. Ndërsa qeveria pranon ta ndryshojë kushtetutën, asaj i mungon shumica prej 2/3 në parlament.

Opozita dhe ndoshta disa parti më të vogla politike që janë pjesë e shumicës parlamentare janë kundër, dhe perspektiva që shumica të bashkohet duket e zbehtë. Maqedonia e Veriut do të mbetet në një ngërç. Dhe kjo vetëm sa do të inkurajojë nacionalistët ekstremistë, përfshirë banditët që sulmuan parlamentin në vitin 2017 dhe rrahën deputetët.

Incidentet e dhunshme në protestat e ditëve të fundit, tregojnë rreziqet që vijnë nga rritja e tensioneve ndëretnike nëse dështon një propozim i keq, dhe nëse qytetarët mendojnë se do të ngecin edhe një herë në vend për një periudhë afatgjatë.

Standardet e dyfishta janë të habitshme. Bullgaria refuzon jo vetëm të zbatojë disa vendime të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me lirinë e tubimit të qytetarëve bullgarë që deklarojnë se janë maqedonas etnikë, por këmbëngul se asgjë në procesin e anëtarësimit nuk mund të interpretohet si një njohje e ekzistencës së gjuhës maqedonase nga Sofja.

Së dyti, propozimi francez përfshin çështje dypalëshe të historisë dhe çështje të lidhura me to, në një proces që duhet të ketë të bëjë me reformat demokratike dhe ekonomike. Edhe nëse Maqedonia e Veriut arrin të ndryshojë kushtetutën e saj, përparimi i saj drejt anëtarësimit në BE nuk do të jetë vetëm për sundimin e ligjit, demokracinë dhe standardet e tjera evropiane, por dinamika do të varet nga fakti nëse historianët pajtohen me homologët e tyre bullgarë.

Për herë të parë në historinë e zgjerimit, Komisioni Europian do të raportojë për çështje historike dhe elementë të lidhur me to. Kjo rrezikon ta anashkalojë plotësisht procesin e anëtarësimit, dhe për më tepër krijon një precedent të rrezikshëm.

Duke iu dorëzuar kërkesave më nacionaliste të një shteti anëtar individual, propozimi francez dhe sjellja aktuale e BE-së vetëm sa i inkurajon të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë. Duke pasur parasysh se ka pakica dhe mosmarrëveshje dypalëshe midis të gjitha vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor dhe fqinjëve të tyre në BE, “zgjidhja” e propozuar nuk e rikthen Pandorën në “kuti”.

Përkundrazi, inkurajon secilin prej tyre që të vendosë çështjet e tyre në rendin e ditës, dhe të mbajë peng zgjerimin për një kohë të pacaktuar. Kjo qasje jo vetëm që do ta varrosë procesin e zgjerimit, por do të dëmtojë seriozisht imazhin tashmë të dëmtuar të BE-së në rajon.

Duke marrë parasysh sfidat më të mëdha gjeopolitike, ky është një rrezik që BE-ja nuk ka luksin ta ndërmarrë. Ndërsa mund të jetë i madh tundimi për të nxitur arritjen e një marrëveshje të keqe, për të vënë në lëvizje një proces tashmë të ngecur, propozimi siç është tani ka të ngjarë të arrijë të kundërtën, më shumë stanjacion, më shumë zhgënjim, madje edhe më shumë destabilizim.

Shënim: Florian Bieber, ekspert mbi Ballkanin në Universitetin e Gracit, Austri. Nikola Dimitrov, ish-Ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga