web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

A do të jetë Moldavia viktima e radhës e Rusisë?

31 Korrik 2022, 21:43, Blog David Kirichenko
A do të jetë Moldavia viktima e radhës e Rusisë?
Foto ilustruese

Lufta 8-vjeçare e Rusisë kundër Ukrainës, nuk ka gjasa të jetë aventura e fundit ushtarake e Kremlinit në territoret e tij kufitare. Moldavia është shumë e shqetësuar, dhe me të drejtë. Ajo është gjeografikisht e vogël dhe e pambrojtur.

Për më tepër ka një garnizon me ushtarë rusë në territorin e pushtuar, Transnistria, dhe dëgjon rregullisht kërcënime nga Kremlini dhe agjentët e tij, që thonë se sapo të jetë fshirë nga harta Ukraina, Moldavia është viktima e radhës e Rusisë.

Nëse do kishim një Europë të arsyeshme, popullsia kryesisht rumunfolëse prej vetëm 3.3 milionësh, mund të pyetej nëse do të donte t’i bashkohej Rumanisë, pjesë e së cilës ishte dikur Moldavia. Por ndërhyrja staliniste në kufi dhe deklarata e Moskës për interesat e saj kombëtare atje, kanë lënë në harresë një çështje që duhet marrë në konsideratë pasi ushtria ruse të jetë më pak e zënë me Ukrainën.

Ambiciet e Vladimir Putinit, kanë të bëjnë me një Rusi më të madhe, e cila duhet të përfshijë të gjithë Moldavinë. Prandaj do të ishte një lëvizje e kujdesshme që Perëndimi të fillonte që tani përgatitjet për të ndihmuar në mbrojtjen e këtij vendi, për të mos përsëritur gabimin e bërë në Gjeorgji apo Ukrainë, kur u prit që Rusia të pushtonte përpara se të reagonte.

A do të jetë Moldavia viktima e radhës e Rusisë?

Moldavia ka qenë më herët një republikë sovjetike. Ajo kufizohet në jugperëndim me Ukrainën, dhe nuk ka ndarë asnjëherë ndonjë kufi me Rusinë. Transnistria, zona lindore e Moldavisë, është pa dalje në det, dhe ndodhet midis Ukrainës dhe pjesës tjetër të Moldavisë. Kur filloi të shpërbëhej Bashkimi Sovjetik, në vitin 1990 shpërtheu një konflikt i armatosur midis forcave moldave dhe forcave pro-ruse të Transnistrias. Konflikti zgjati thuajse 2 vjet, derisa në korrik 1992 u shpall një armëpushim. Lufta përfundoi me vendosjen aty të qindra ushtarëve rusë, ndërsa rajoni vazhdon të pretendojë autonominë.

Trupat ruse janë vendosur atje si “paqeruajtëse”, dhe sot numri i tyre është gati 2000 ushtarë. Nëse sulmohet nga separatistët e mbështetur nga Rusia, ushtria e Moldavisë prej vetëm 6500 trupash, nuk do t’i rezistonte shumë gjatë presionit, sidomos duke pasur parasysh përfshirjen e pjesës tjetër të ushtrisë ruse.

Ky është një element kryesor i asaj që e bën konfliktin në Moldavi një konflikt “të ngrirë”, por që mund të rindizet në çdo moment nëse Moska vendos ta bëjë këtë. Sipas Ministrit të Jashtëm të Transnistrias, synimi është bashkimi i shtetit të tij të rremë më Rusinë.

Kushtetuta moldave përmend neutralitetin e shtetit, dhe kjo e ka penguar të aplikojë për t’u anëtarësuar në NATO. Por pas vitesh qeverisje të korruptuar dhe oligarkike, zgjedhjet e vitit 2020 paralajmëruan një ndryshim politik të dukshëm, për të cilin Moldavia u shpërblye duke marrë statusin e kandidatit për në BE, së bashku me Ukrainën.

Ndërsa Moldavia është kësisoj një hap më afër bashkimit me Evropën, ajo ende mbetet larg integrimit dhe jashtë “mureve parandaluese”, që siguron zakonisht anëtarësimi në klubet e mëdha demokratike. Kjo dobësi e dukshme, e ka nxitur së fundmi kryetarin e parlamentit të Moldavisë, Igor Grosu, të deklarojë se politika e neutralitetit nuk mjafton, dhe se tani vendi ka nevojë për garanci sigurie nga fuqitë e mëdha.

Pavarësisht se është shumë e vogël krahasuar me Rusinë, Moldavia e ka njëfarë fuqie. Meqenëse kufiri i Transnistrisë me Ukrainën është i mbyllur, dhe rajoni është pa dalje në det, e vetmja mënyrë për të furnizuar trupat ruse atje është përmes Moldavisë. Kjo e fundit e ka refuzuar disa herë këtë kërkesë, më së fundmi këtë muaj, gjë që e ka zemëruar shumë Rusinë.

A do të jetë Moldavia viktima e radhës e Rusisë?

Qeveria e Kinishaut, i tha Moskës se trupat ruse ishin vendosur ilegalisht në territorin e saj. Ushtritë e tankeve ruse janë bllokuar në lindje të Odesës, por ato mund të shkaktojnë ende telashe. Në fundin e muajit prillit, në Transnistria pati një seri shpërthimesh në shkallë të vogël.

Ato dëmtuan disa instalime, përfshirë një godinë të zbrazët që përdorej nga shërbimet e sigurisë. Shpërthimet duken si të qëllimshme, dhe synonin të përçonin mesazhin se Kremlini mund t’i rrisë tensionet sa herë që dëshiron. Ndërsa komandanti në detyrë i Qarkut Ushtarak Qendror të Rusisë (CFD), Rustam Minekajev, ka deklaruar se Rusia synon të pushtojë jugun e Ukrainës, për të hapur një rrugë për në Transnistria, nuk ka gjasa që Rusia të jetë në gjendje të sulmojë së shpejti Moldavinë.

Por situata mund të ndryshojë, nëse Ukraina nuk do të arrijë të mbajë qytetin e Odesës. Ministri moldav i Mbrojtjes, Anatoli Nosati deklaroi muajin e kaluar se ushtria është “e vogël dhe e keq-pajisur, me vetëm 6.500 ushtarë dhe 2.000 rezervistë”. E megjithatë, vendi po përpiqet të reformojë ushtrinë për t’u përgatitur më mirë për luftë.

Moldavia i rriti me afro 20 për qind shpenzimet e saj të mbrojtjes për këtë vit, dhe është shumë e fokusuar mbi këtë çështje. Iulian Groza nga Instituti për Politikat dhe Reformat Europiane në Kishinau, thotë se BE-ja ka dërguar mbi 9 milionë euro për të mbështetur sigurinë kibernetike dhe për të luftuar dezinformimin rus.

Së fundi, Brukseli ka dhënë një fond shtesë prej 40 milionë eurosh për pajisjet e mbrojtjes jovdekjeprurëse. Ndërsa Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar Liz Trus, bëri thirrje në maj që Moldavia të pajiset me “një mbrojtje të standardit të NATO-s”, asnjë ndihmë nuk është dorëzuar ende.

Problemet financiare të Moldavisë, do ta bëjnë të vështirë reformën në ushtri dhe rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes. Megjithatë, Perëndimi nuk duhet të anashkalojë nevojën për ta ndihmuar, dhe duhet të fillojë që tani të investojë tek ushtria moldave.

A do të jetë Moldavia viktima e radhës e Rusisë?

Kjo e fundit duhet të ftohet të marrë pjesë në më shumë stërvitje të NATO-s për të rritur ndërtimin e kapaciteteve. Një precedent për këtë, ishte oferta e Mbretërisë së Bashkuar për të nisur një operacion të madh stërvitor për ushtrinë ukrainase, duke trajnuar potencialisht deri në 10.000 ushtarë çdo 120 ditë.

Nëse situata në Moldavi do të fillojë të tensionohet, Rumania do të udhëheqë përpjekjet për të organizuar edhe vendet e tjera në ndihmë të ushtrisë moldave. Por përpjekja për ta bërë këtë në përgjigje të një krize, në vend se të jetë pro-aktive, nuk do të çojë në rezultatin e dëshiruar, që është disfata e Rusisë në këtë luftë.

Ndërkohë në prapaskenë, do të ishte e vlefshme të hidheshin bazat për operacione të përbashkëta dhe për shkëmbimin e të dhënave të inteligjencës me njësitë ukrainase, për të fituar betejat e ardhshme të përbashkëta kundër armikut të përbashkët, pasi të dyja vendet do të kenë shumë nevojë për njëra-tjetrën.

Kur Rusia hodhi bazat për agresionin e saj të fundit kundër Ukrainës, duke vendosur shumë njësi ushtarake në kufirin ukrainas që në nëntor 2021, Perëndimi bëri shumë pak për të forcuar praninë e tij ushtarake në Evropën Qendrore dhe Lindore. Moldavia paraqet tani shansin për ta parandaluar agresionin e ardhshëm nga forcat ruse që synojnë të rivendosin sundimin kolonial mbi vendet që kanë rifituar lirinë e tyre. Tani është koha e duhur për ta ndihmuar Moldavinë.

Shënim: David Kirichenko, gazetar i pavarur që mbulon Evropën Lindore, dhe redaktor në portalin “Euromaidan Press”./ “Center for European Policy Analysis” - Përkthyer dhe përshtatur në shqip nga CNA.al





Lajmet e fundit nga