Apartamente, makina, troje/ Gjyqtarja e Tiranës kapet “mat” në Vetting

9 Qershor 2022, 13:34, Vetingu CNA

Apartamente, makina, troje/ Gjyqtarja e Tiranës kapet “mat”

Gjyqtarja e Gjykatës së Tiranës, Enkela Vlora (Bajo), u përball të mërkurën më 8 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku dha shpjegime për pasurinë dhe kriterin profesional.

Procesi i saj i vetingut po kryhet nga trupa e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Brunilda Bekteshin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.

Gjyqtarja Vlora ka deklaruar një apartament me sipërfaqe 56 m2 në Tiranë, në bashkëpronësi me prindërit, të përfituar nëpërmjet privatizimit në vitin 1994, si dhe një shtesë në proces legalizimi. Ajo ka shpjeguar se për shtesën është shpenzuar vlera 100 mijë lekë me burim të ardhurat nga pagat e anëtarëve të familjes së origjinës deri në vitin 1997. Relatorja Zhegu pohoi se KPK ka konstatuar balancë negative për ndërtimin e shtesës, gjetje për të cilën i ka kaluar subjektit barrë prove.

Gjyqtarja Vlora shpjegoi se shtesa ishte vetëm 6 m2 dhe ishte kryer nga i ati për nevoja ekstreme për strehim. Ajo vërejti se balanca negative në shumën 87 mijë lekë ishte konstatuar vetëm për vitin 1997. Subjekti deklaroi se babai ka qenë në punë në periudhën 1995-1997 dhe se kishte arritur të identifikonte subjektin punëdhënës, por për shkak të kohës së largët dhe situatës në ato vite kishte qenë e pamundur për të siguruar gjithë dokumentacionin e nevojshëm për vërtetimin e të ardhurave të të atit. Ajo pretendoi se nga tërësia e të ardhurave vërtetohej mundësia financiare për ndërtimin e shtesës.

Vlora solli në vëmendje të Komisionit faktin se kur ishte ndërtuar shtesa, ajo nuk e ushtronte detyrën e gjyqtares. “Duke pasur parasysh kohën dhe faktin se ajo pasuri i përket babait, rezulton se nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me mua”, deklaroi subjekti.

Për një automjet tip “Volkswagen” blerë në vitin 2015 kundrejt vlerës 300 mijë lekë nga bashkëshorti i subjektit, Komisioni konstaton se ata kanë pasur mundësi financiare për blerjen e kësaj pasurie. Si burim është deklaruar e ardhura e përfituar nga shitja e një mjeti tjetër me të njëjtin çmim.

Por sipas relatores Zhegu, nga hetimi ka rezultuar pamundësi për blerjen e makinës në vitin 2004, çmimi i shitjes së të cilës ka shërbyer për blerjen e mjetit në 2015-ën.

Gjyqtarja Vlora sqaroi se në në vitin 2003 kishte deklaruar të ardhurat dhe se kursimet i kishte konsideruar se ishin pasqyruar aty. Ajo këmbënguli se nga analiza financiare e të ardhurave dhe shpenzimeve në atë periudhë, rezultonte se kishte pasur mundësi për blerjen e automjetit.

KPK ka hetuar edhe një makinë të blerë nga vëllai i subjektit në vitin 2009 kundrejt vlerës 6000 USD, prej nga ka rezultuar pamundësi financiare. Sipas relatores, Vlora ka shpjeguar se për blerjen e mjetit ka kontribuar ajo dhe e motra.

Subjekti deklaroi se nuk qëndronte balanca negative në shumën 205 mijë lekë e konstatuar në blerjen e makinës nga vëllai. Ajo këmbënguli se së bashku me motrën që jetonte dhe punonte në Zvicër, kishin pasur të ardhura të mjaftueshme për të kontribuar në blerjen e automjetit për vëllanë. Sipas subjektit, për shkak të kohës së largët kishte qenë e pamundur të gjenin dokumentet për të ardhurat e motrës në Zvicër.

Po ashtu, Vlora pretendoi se vëllai ishte i shkëputur nga trungu familjar dhe nuk mund të konsiderohej person i lidhur, e për rrjedhojë nuk kishte detyrim të provonte burimin e ligjshëm të automjetit.

Hetimit të KPK i është nështruar edhe një apartament “duplex” i ndërtuar prej bashkëshortit para martesës. Nga verifikimet ka rezultuar se procedura e aplikimit për legalizim është kryer nga bashkëshorti i subjektit dhe motra e tij, si dhe është regjistruar në emër të tyre në vitin 2013. Sipas KPK, objekti përbëhet nga dy kate + verandë.

 

Apartamente, makina, troje/ Gjyqtarja e Tiranës kapet “mat”
Enkela Vlora (Bajo)

 

Nga pamjet ajrore të siguruara gjatë hetimit është konkluduar se ndërtimi ka qenë i përfunduar në vitin 2007, por veranda ka qenë e hapur. Sipas pamjeve të viteve 2015 dhe 2018, ka rezultuar se veranda është mbuluar me çati dhe është kthyer në sipërfaqe të banuar.

Bashkëshorti dhe motra e tij janë dakordësuar që kjo e fundit të përfitojë apartamentin fillestar që është përfituar nga privatizimi. Bashkëshorti i subjektit ka përfituar apartamentin duplex të shtuar.

Bashkëshorti i Vlorës ka deklaruar si burim krijimi të pasurisë të ardhurat e nënës nga pronat e trashëguara, si dhe pagat e tij dhe të motrës. Sipas Komisionit ka rezultuar se ka mungesë dokumentacioni ligjor për të ardhurat e nënës nga pronat dhe për rrjedhojë ka rezultuar pamundësi financiare për ndërtimin e shtesës. Zhegu tha se analiza financiare ka rezultuar balancë negative në shumën 140 mijë lekë edhe për investimin e kryer për mbulimin e verandës.

Në përfundim, Komisioni i ka kaluar Vlorës barrë prove për pasaktësi në deklarimin e kësaj pasurie, pasi në deklaratat periodike ka shënuar apartament duplex, ndërsa në atë “veting” ka deklaruar edhe verandën.

Po ashtu, është konstatuar deklarim i pasaktë dhe për vlerat e shpenzuara.

Gjyqtarja Vlora solli në vëmendje faktin se edhe KPK kishte konstatuar se ky apartament është pasuri e bashkëshortit e krijuar para martesës. “Është e pamundur të diskutohet në lidhje me mua për këtë pasuri dhe të shërbejë për marrjen e masës disiplinore. Është e pamundur që të kem kontribuar dhe të kem efekte nga kjo pasuri”, pohoi subjekti.

Ajo këmbënguli se investimi ishte kryer me të ardhurat e nënës së bashkëshortit, të përfituara nëpërmjet trashëgimisë nga babai i saj. Vlora deklaroi se kishte vendosur në dispozicion të KPK-së dokumente që vërtetonin se vjehrra kishe përfituar një vlerë të konsiderueshme nga shkëmbimi i një trualli që mbulonte shpenzimet e kryera. Ajo vërejti se kjo provë duhej të ishte reflektuar në analizën e KPK-së dhe shtoi se kishte dorëzuar dokumentacion edhe për të ardhurat e vjehrrës nga pensioni.

Vlora i kundërshtoi konstatimet për deklarime të pasakta. Ajo shpjegoi se në vitin 2016 kishte kryer deklarimin duke iu referuar dokumentacionit të ALUIZNI-t që e kishte përcaktuar dhe verandën. Sipas saj, nuk qëndronte as mospërputhja për çmimin, pasi përllogaritjet sipas Entit Kombëtar të Banesave, EKB nuk ishin reale. Subjekti shpjegoi se shtesa e duplex-it nuk kishte themele pasi ishte ndërtuar me strukturë të lehtë metali dhe druri. “Kurse EKB e vlerëson dhe me themele”, pohoi Vlora dhe më tej tha se shtesa ishte ndërtuar me punëtorë dhe kishte pasur kosto më të ulët.

Duke iu referuar parimit të proporcionalitetit, subjekti theksoi se rivlerësimi i saj nuk mund të afektohej nga një ndërtim i bërë kohë përpara lidhjes së martesës.

KPK konstaton se Vlora nuk ka pasqyruar në deklaratën periodike dhe në atë veting një objekt me sipërfaqe 1025 m2 që sipas dokumenteve gjendet në një truall me sipërfaqe 1179 m2 në Vlorë, të përfituar me vendimin të Komisionit të Kthimit të Pronave nga familja Vlora, ku bashkëshorti zotëron pjesë takuese 1/28-ën.

Lidhur me këtë gjetje, subjekti shpjegoi se ajo dhe bashkëshorti nuk kishin pasur dijeni për situatën e truallit të përfituar nga familja Vlora dhe pas verifikimeve kishin konstatuar se fabrika nuk ekziston. Vlora pohoi se kishte shkuar në terren së bashku me bashkëshortin dhe se në këtë truall gjendeshin ndërtime që mund të ishin pa leje. Ajo pohoi se banorët e zonës u kishin treguar pjesë të mureve që mund të ishin të fabrikës së vjetër.

Sipas subjektit, përfituesit e truallit i ishin drejtuar gjykatës për korrigjimin e vendimit të Komisionit, pasi në truall gjendeshin edhe pallate dhe rrugë dhe për rrjedhojë ishte përcaktuar se cila ishte pjesa ku nuk kishte ndërtime me leje. “Nuk kemi lidhje me atë pasuri,” deklaroi Vlora.

Profesionalizmi

Gjyqtarja Vlora është vlerësuar pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa në seancë u evidentuan disa gjetje për profesionalizmin. Sipas relatores, nga dosjet e shqyrtuara ka rezultuar se subjekti ka qenë pjesërisht eficiente. “Në shumicën e rasteve janë përfunduar jashtë afatit”, pohoi Zhegu.

Sipas saj, është evidentuar se veprimet përgatitore për çështjet gjyqësore janë formale dhe jo efikase. Ndërkohë, ka rezultuar se regjistrimi audio i seancave është përdorur fare pak.

Ndaj gjyqtares Vlora janë depozituar 12 denoncime nga publiku, nga të cilat subjektit i janë kërkuar shpjegime vetëm për tri prej tyre.

KPK ka verifikuar edhe një artikull të publikuar në një media, ku sipas relatores Zhegu, pala paditëse ka ngritur pretendime për zvarritje të procesit dhe favorizim të palës tjetër. Komisioni konstaton se në akte gjendet një procesverbal me shkrim dore që është i palexueshëm. Gjykimi ka përfunduar 3 muaj jashtë afatit dhe nuk gjendet regjistrimi audio.

Gjyqtarja Vlora deklaroi se kishte punuar me përkushtim, ndershmëri e profesionalizëm. Ajo vërejti se nuk kishte pasur ndonjë masë disiplinore ndaj saj. “Për profesionalizmin nuk më është kaluar barrë prove, por kam dhënë shpjegime për konstatimet,” pohoi Vlora dhe paraqiti qëndrimin e saj lidhur me gjetjet.

Lidhur me konstatimet për aftësitë organizative, subjekti solli në vëmendje rregullat dhe procedurat në periudhën e rivlerësimit 2013-2016. Ajo vërejti se seancat përgatitore kanë qenë detyruese, ndërsa deklaroi se regjistrimi audio i seancave është përcaktuar në vitin 2013.

Vlora shpjegoi se ka qenë e pamundur që të regjistroheshin gjithë seancat gjyqësore, pasi në Gjykatën e Tiranës ushtronin funksionin shumë gjyqtarë ndërsa sallat që ofronin mundësinë teknike të regjistrimit ishin të pakta.

Ajo sqaroi se kishte dhënë shpjegime të hollësishme për denoncimet dhe u ndal te çështja e trajtuar në media. Vlora deklaroi se pretendimi i paditësit mbërrinte deri në absurditet dhe se kishte të bënte me një gabim që ai vetë kishte bërë.

Subjekti pranoi se nuk kishte regjistrim audio. Ajo shpjegoi se vetëm një ditë në javë, për tri orë, kishte mundësi të përdorte sallë me regjistrim audio dhe se u jepej përparësi çështjeve që kishin konflikt ose kur palët bënin kërkesë. “Paditësi nuk ka pasur kërkesa,” pohoi Vlora.

Në vijim subjekti u ndal në gjetjet për afatet. Ajo u shpreh se respektimi i afateve është i rëndësishëm, por shtoi se konkurronin parimet e tjera që shërbenin për të arritur në një vendimarrje të plotë.

Në përfundim, gjyqtarja Enkela Vlora (Bajo) kërkoi konfirmimin e saj në detyrë. KPK njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më datë 10 qershor, në orën 09:45./Birn

Lajmet e fundit nga