web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Ata që sulmuan drejtësinë fajësojnë agresorin

6 Tetor 2025, 19:38, Opinione CNA

Ata që sulmuan drejtësinë fajësojnë agresorin

Një ngjarje e rëndë, ndoshta më e rënda në 35 vite ka ndodhur sot. Brenda sallës së gjyqit, gjyqtari Astrit Kalaja është qëlluar nga një palë në gjykim. Një çështje, një sagë pronash. Diku pretendohet për falsifikime, për pronësi.

Historia më makabre, më kriminale e këtyre 35 vite në Shqipëri, historia e pronave që kurrë nuk iu kthyen pronarëve të vërtetë por u quajtën ish pronarë, apo të tjerë që u bënë pronar me dokumente të falsifikuara.

Edhe vetë diktatori dhe sistemi komunist që i kishte marrë ato prona i kishte ruajtur dokumentet, siç i kishin ruajtur turqit 100 vite më parë apo edhe më shumë, në shekuj.

Ndërsa erdhi një ditë demokracia dhe u shpikën komisione, vendime gjykatash, falsifikime, vendosje pronash, mbivendosje, ndërkohë që Shqipëria kishte shumë herë më tepër sipërfaqe toke të lira sepse shumë toka qenë monifikuar, ishin përfituar sipërfaqet e reja të kthyera në troje, kishte me qindra e mijëra mënyra kompensimi derisa pronarët e vërtetë dhe trashëgimtarët e vërtetë nuk mund do t’i gëzonin. Një pjesë vuajtën burgjeve, një pjesë tjetër ngelën për shumë dekada gjyqeve.

Në fakt, ngjarja e sotme nuk justifikon asgjë, asnjë veprim. Është një plagë ulëritëse që i drejtohet shtetit shqiptar, i drejtohet institucioneve, parlamentit, qeverisë, që fillon që nga çështja e pronave deri te respekti për drejtësinë, deri te politika jonë që me gjuhë kriminale ka derdhur “plumba” po aq të vërtetë sa ato që u derdhën sot ndaj gjyqtarit Astrit Kalaja.

Megjithëse nuk iu kanë marrë jetën, por u kanë “derdhur plumba” pafund prokurorëve dhe gjyqtarëve.

I ka “derdhur” Ilir Meta, duke u sjellë si i çmendur ndaj drejtësisë.

Imagjinoni ish-presidenti, ish-kryeminstri dhe ish-kryetari i Kuvendit, që e trajtonte drejtësinë në formën e një banditi të pandalshëm.

Më pas Sali Berisha i cili çfarë nuk ka thënë për drejtësinë.

Ka shkuar deri të kreu i SPAK Altin Dumani duke i ekspozuar bashkëshroten, familjen në mënyrën më kriminale. Pse? Sepse ishte marrë nën hetim. Nuk shkoi atje të përballej burrërisht me drejtësinë.

As i pari as i dyti, por e sulmuan. Do të ishte më burrërore dhe më dinjitoze, për të dy si shtetarë, të dy ish-kryeministra dhe ish-presidentë, të përballeshin me drejtësinë me argumente dhe jo me akuza, jo të sulmonin prokurorë e gjyqtarë me helmet e mendjes së tyre të sëmurë politike.

I treti është Erion Veliaj, nga sulmet më të pështira që nga koha kur e trajtonte SPAK-un si pronë të tij, se kishte b*lehekuri deri te manipulimet për prokurorë që kërkon 2 milionë euro dhe për këtë ai kishte dëshmitarë apo deri te sulmet personale te fëmijët ndaj prokurorit të SPAK Ols Dado, përtej mashtrimeve të tij.

Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama e ka sulmuar drejtësinë në mënyrë të pandalshme, diku ka bërë pas por është përballur dhe ai frontalisht me prokurorë dhe gjyqtarë.

Është përballur me SPAK duke akuzuar se kishte arrestuar pa të drejtë dhe së fundi në intervistë me Ogerta Manastirliun tha se, Erion Veliaj ishte dërguar në burg pa vendim gjykate.

Të jetë budalla kryeministri ynë vallë?

Erion Veliaj në fakt ka kaluar jo një por të gjitha nivelet e gjykatave që nga masa e sigurisë, në fakt te vlerësimi i masës së sigurisë, te ankimimi në Apel, deri në Gjykatën e Lartë, te kjo e fundit dy herë.

Prokurorët u shanë, u sulmuan, u anatemuan, u mblodh dhe grupi parlamentar i PS-së. Na qante me lot Klotilda Bushka se çfarë do tu thoshte fëmijëve kur kishte kryer një krim kishte shkuar të prishte provat që faktonin se Erion Veliaj ishte pjesë e një skeme korruptive dhe sot është me të paktën 13 akuza.

Na merrej një rektor dhe na mbante ison për drejtësinë na sulmohen gjyqtarë dhe prokurorë për vendimet që japin.

Por a e ka parë ndonjëherë çfarë juristësh ka qeveria si sillen ata?

Janë të aftë apo të paaftë zyrtarët e shtetit që merren me këto letra që duhet të përballen në gjykatë?

Ndaj dhe sot të gjithë këta po bërtasin, e dënojmë ashpër këtë krim dhe kërkojmë që agresori të marrë ndëshkimin e merituar.

Në fakt, agresori është vetë viktimë në këtë histori. Dikush e ka trimëruar, dikush e ka detyruar. E ka trimëruar sulmi i politikës që sillet si grupi i strukturuar kriminal ndaj drejtësisë. Mund të ketë edhe drejtësia pafund probleme.

Gjyqtarë mund të jenë të korruptuar, mund të kenë kaluar vettingun në mënyrë ndoshta edhe të padrejtë por shteti i përdor instrumentet ligjorë për t’i rregulluar jo për t’i sulmuar dhe anatemuar jo për të ngritur fyrmë urrejtje që më pas i kthen ata në viktimë.

 

E kanë detyruar ndoshta hallet e pronave, faji i këtij shteti që për 35 vjet nuk i dha pronat pronarit por vlerësoi falsifikatorin dhe të korruptuarin.

Edhe kjo si pjellë e një drejtësie që sot fatkeqësisht ka një viktimë që ndoshta s’duhet të ketë kurrë të tillë, ndaj dhe përgjëgjesi nuk është thjesht dhe vetëm autori i cili duhet të marrë ndëshkimin e merituar.

Ndëshkimin e merituar duhet ta marrë i gjithë sistemi dhe shtetit shqiptar që me krimin e çështjes së pronave deri te krimet e pandalshme që vijnë nga sulmet e politikës ndaj njerëzve të drejtësisë.

Kur ka nisur ky konflikt prone autori nuk kishte lindur, por shteti ynë, politika jonë i futi në konflikt. Përfundimi është një nga më tragjikët ka dhe të tjerë plot.

Fajtori nuk është vetëm autori i krimit i cili sipas kastës sonë politike duhet të marrë ndëshkimin e merituar, por fajtori i dytë ndoshta dhe më kryesori është vetë shtetit shqiptar, strukturat e tij nga presidentët te kryeministrat, te parlamenti e deri te zyrtarët e vegjël që kanë shkaktuar plagën e pronave dhe ngrejnë frymën e sulmit ndaj drejtësisë./ CNA





17:26 Opinione Ardi Stefa

Opozita estradë

Që të mos them që opozita nuk ka figura potenciale për kandi...

Lajmet e fundit nga