web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

"Lumina Electronic", eventi i magjishëm me muzikë elektronike që solli risi në Korçë

22 Korrik 2024, 15:06, Kulturë CNA
"Lumina Electronic", eventi i magjishëm me muzikë
Eventi "Lumina Electronic"

Për herë të parë në Shqipëri, me përzgjedhje qytetin e Korçës, u zhvillua festivali i muzikës elektronike për të gjithë të rinjtë e apasionuar pas saj. Parku "Rinia" u bë për dy net radhazi epiqendra e korçarëve dhe turistëve, të cilët janë bërë bashkë për të shijuar e kërcyer nën ritmet e këngëve elektronike. Një pamje fantastike me vendndodhjen e veçantë mes ajrit të pastër dhe pishave, të ndriçuara nga dritat shumëngjyrëshe, duke i sjellë një pamje të rrallë kësaj zone.

Të rinjtë korçarë dhe shumë të rinj nga qytetet e Shqipërisë, por edhe jashtë saj, kanë mbushur parkun plot e përplot, duke mbështetur e duke u kënaqur me muzikën që ata preferojnë më së shumti, atë elektronike. DJ nga Shqipëria dhe më gjerë janë bërë pjesë e festivalit, me performancat e tyre të veçanta, ndërsa kulmi i këtij eventi ishte pikërisht DJ i mirënjohur turk, Burak Yeter.

Burak Yeter është një nga DJ më të njohur në mbarë botën, e Korça e pati fatin ta kishte për herë të disatë pjesë të eventeve të saj. Yeter tregon se është mjaft i kënaqur për këtë pjesëmarrje të madhe të të rinjve, të cilët i kanë shkruar mijëra mesazhe në rrjete sociale. Ai e konsideron këtë natyrë si magji, i ndodhur mes pyllit dhe me ngjyrën jeshile që e ka të preferuarën e tij.

"Lumina Electronic", eventi i magjishëm me muzikë

"Jam shumë i lumtur që jam këtu sidomos kur ka kaq shumë të rinj dhe sot më kanë shkruar me mijëra mesazhe në 'Instagram'. Nga kjo e kuptoj që nata e sotme do të jetë fantastike, me shumë energji, me këtë vendndodhje kaq të bukur mes pyllit dhe jam me të vërtet shumë i lumtur që jam këtu. Kam ardhur edhe herë të tjera në Korçë për aktivitete, por si ky i sotmi është hera e parë. Çfarë magjie! Jam shumë i emocionuar. Zgjedhja e vendndodhjes është diçka 'e çmendur', mua më pëlqen shumë pylli, ngjyra jeshile është e preferuara ime dhe do të luaj për herë të parë brenda 'jeshiles'. Kam një përzgjedhje muzikore shumë të bukur për ju sot."

DJ Erta është një vajzë me origjinë nga Korça, e cila akoma më shumë e ka bërë më të veçantë pjesëmarrjen e saj në "Lumina Electronic". Prej tri vitesh ajo ka marrë profesionin e DJ, duke thënë se ka nisur si një pasion që në fëmijëri, ndërsa shprehet se ky event dhe kjo lloj muzike është një risi për të rinjtë që eksplorojnë në rryma të ndryshme muzikore.

"Më pëlqen shumë që ka evente të tilla që mundësojnë të mblidhen kaq shumë njerëz dhe të kënaqen. Dhe mbi të gjitha që po rritet dëshira për muzikën elektronike në Shqipëri. Unë po bëj rreth 3 vite me këtë profesion, faktikisht muzikën e kam pasur pasion që e vogël. Më pëlqen shumë të shoh që njerëzit kënaqen dhe kërcejnë. Është një risi e re sepse dhe njerëzit eksplorojnë në rryma të ndryshme muzikore dhe jo ato që janë mësuar të dëgjojnë në përditshmëri. Shumë e kënaqur, shumë buzëqeshje, shumë njerëz të bukur e të mirë. Mendoj se Korça mund të bëjë edhe serenatat edhe muzikën elektronike."

Përfaqësuesi i organizatës "Tourism for Albania", Bledar Leka, ka treguar më shumë detaje lidhur me këtë ide dhe organizim të "Lumina Electronic". Leka thotë se ky është një projekt i organizuar për herë të parë në Korçë dhe në Shqipëri, ndërsa ka si synim të tërheqë turistë të shumtë në qytet. Ndër të tjera ai ka zbuluar edhe eventin tjetër të radhës, që do të jetë një nga më të rëndësishmit në Korçë, festivali i serenatave që do të zhvillohet në muajin shtator e do të jetë një tjetër event madhështor për qytetin.

"Lumina Electronic", eventi i magjishëm me muzikë

"Festivali i këtij lloji është i pari që organizohet në Shqipëri, një koncept i veçantë që e sollëm për herë të parë edhe në Korçë. 'Lumina Electronic' është një ndërthurje midis muzikës elektronike dhe efekteve vizuale me ndriçim. Ky është një projekt në kuadër të projektit për turizmin që ne po implementojmë në Bashkinë e Korçës, i financuar nga Banka Evropiane për Zhvillim, Komuniteti Evropian dhe implementohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Ky projekt synon të zhvillojë turizmin në Bashkinë e Korçës nëpërmjet eventeve turistike. Ne menduam që Korçës i mungonte një event rinor, e nëpërmjet këtoj eventi synojmë të sjellim të rinj jo vetëm nga rajoni, por edhe nga jashtë Shqipërisë. Nuk është i vetmi event që do të organizohet, në shtator po përgatisim bashkë me bashkinë edhe një event tjetër shumë tradicional me serenatat e Korçës. Të gjithë e njohim Korçën për serenatat, por menduam që ta kthejmë në një brand me koncert komplet të ri që do të promovojë Korçën brenda dhe jashtë territorit."

Bashkia e Korçës, në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, edhe në këtë sezon veror po kujdeset më së miri për të sjellë në qytet aktivitete të veçanta që pëlqehen jo vetëm nga korçarët, por edhe nga turistët. Për nënkryetaren e bashkisë, Benila Themeli, "Lumina Electronic" ka arritur një sukses të madh, tej parashikimeve dhe do të jetë çdo vit pjesë e kalendarit të aktiviteteve në verë, duke e kthyer në një traditë për të rinjtë. Themeli ka treguar se hotelet e Korçës këto dy net të festivalit kanë qenë të rezervuara nga të rinjtë të ardhur nga çdo cep i Shqipërisë pikërisht për "Lumina Electronic".

"Lumina Electronic", eventi i magjishëm me muzikë

"Bashkia i ka shtuar një event të ri Korçës me organizimin e 'Lumina Electronic', festivali, i cili këtë vit është në edicionin e parë dhe do të kthehet në një traditë të përvitshme. Duke qenë se Korça u bë modeli i parë në Shqipëri që krijoi turizmin e eventeve, me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Bashkia Korçë ka krijuar dy festivale të reja për verën, 'Lumina Electronic' që ka arritur një sukses tej parashikimeve tona e do të jetë në kalendarin e aktiviteteve verore, dhe në shtator do të vijë 'Korça Serenades', festivali ndërkombëtar i serenatës që do të jetë atraksioni tjetër i madh i Korçës për vizitorët. Festivali është pritur shumë mirë, nata e parë ka pasur kuriozitetin e korçarëve, dita e sotme shënon hotele të rezervuara nga të rinjtë që kanë ardhur nga çdo cep i Shqipërisë për të ndjekur festivalin."

Prej mbrëmjes së djeshme e deri në orët e para të mëngjesit të rinj e qytetarë korçarë, së bashku me vizitorë vendas e të huaj, kanë shijuar muzikën elektronike të luajtur nga DJ të ndryshëm, si edhe natyrën me pishat rreth e rrotull, me ajrin e pastër, e me temperaturat që kanë qenë normale gjatë këtyre dy netëve për shkak edhe të vendndodhjes strategjike të eventit në parkun "Rinia". DJ turk, Burak Yeter, ka mbajtur gjallë emocionet e publikut të cilët e kanë duartrokitur e mbështetur gjatë gjithë performancës së tij. "Lumina Electronic" do të jetë tashmë një traditë e qytetit juglindor, për të gjithë të apasionuarit pas muzikës elektronike, me pikënisje në këtë vit, e me pritshmëri akoma më të larta për vitet e tjera./ CNA





Lajmet e fundit nga