web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Edicioni i Mik Festival/ “Zbret” në teatrin e Korçës, opereta e parë shqiptare, “Agimi”

13 Korrik 2024, 10:59, Kulturë CNA

Mbrëmja e djeshme në teatrin Andon Zako Çajupi të Korçës ka sjellë kulmin e programacionit të MIK Festival. Pas 70 vitesh, në këtë skenë u luajt Opereta Agimi, e krijuar nga artistët korçarë, e që u rikthye si vepër nga orkestra e Forcave të Armatosura, grupi i korit, solistëve dhe valltarëve. Një atmosferë fantastike që ka mbërthyer për më tepër se 2 orë publikun korçar në sallën e teatrit, ku kanë shijuar operetën më të veçantë të krijuar në Korçë 70 vite më parë.

Një skenografi fantastike, e sjellë deri në detaj nga artisti 3D, Lampros Tziampasis, me skenën ku performuan artistët, e para tyre me orkestrën e mrekullueshme të dirigjuar nga mjeshtria Suzana Turku. Gjithçka dje në këtë mbrëmje ishte fantastike, ashtu si i ka hije Korçës, duke nderuar veprën e artistëve të vjetër korçarë.

Zyle Rezha, e cila prej 8 vitesh luan në instrumentin e flautit, duke qenë pjesë e orkestrës së Forcave të Armatosura, tregon emocionet e mëdha që ndjen në këtë mbrëmje. Rexha thotë se është privilegj për të që po luan një muzikë shqiptare me motive aq të bukura që nuk duhet të humbasin kurrë.

"Sot në fakt është një mbrëmje shumë e veçantë pasi pas 70 vitesh vihet në skenë Opereta Agimi. Ne kemi nderin ta luajmë sonte, bashkë me solistë, me kor dhe me balet. Ndihem shumë e privilegjuar që po luaj një muzikë shqiptare me motive aq të bukura dhe dua që këto motive mos humbasin kurrë pasi kanë shumë vlerë për Shqipërinë. Kjo orkestër është një mundësi shumë e mirë për të gjithë të rinjtë të cilët studiojnë dhe i përkushtohen kësaj pune. Bashkëpunimi me MIK Festival është viti i dytë që bëhet dhe është një mundësi shumë e mirë e ka shumë fryte pasi bashkohen shumë artistë të mëdhenj së bashku."

Rolin kryesor të kësaj vepre, Hanën, e ka patur fatin e madh ta luajë soprano Simona Karafili Demi, e cila gjithashtu e ka privilegj këtë rol. Për sopranon e njohur, kjo mbrëmje është një mbrëmje historike, me shumë rëndësi e vlera për artin, ndërsa tregon se ka patur edhe vështirësi për gjetjen e temperamentit të duhur që kërkon personazhi i Hanës.

"Ndihem e privilegjuar. Pas 70 vitesh, ndoshta mund të jem interpretja e dytë ose e tretë maksimumi, që luan në rolin e Hanës në operetën Agimi dhe është emocion i jashtëzakonshëm. Jemi mësuar të këndojmë role në gjuhë të huaj, personazhe të huaj, por në shqip ka gjithmonë një emocion të veçantë edhe për vetë faktin se sot është një mbrëmje historike. Duket e thjeshtë sepse është një rol në kontekst shqiptar, por ka vështirësitë e saj sa i përket faktit se kur është shkruar ka qenë një histori në një epokë tjetër të Shqipërisë dhe unë jam rritur në një epokë tjetër. Aq sa duket e thjeshtë për faktin që na bashkon gjuha, duket e vështirë për të gjetur temperamentin e duhur që kërkon personazhi. MIK festival është i shkëlqyer, ndoshta i vetmi në përmasa të tilla brenda territorit të Shqipërisë. Sigurisht, fakti që e bën Inva mendoj që është perla e gjithë MIK-ut."

Arben Skënderi, drejtori i Qendrës Kulturore të Forcave të Armatosura, ka treguar më tepër rreth kësaj vepre, pjesëmarrësve, artistëve, si edhe risitë e rivënies të operetës në skenën e teatrit të Korçës. Skënderi thekson se risia e kësaj operete është përfshirja e shumë të rinjve në këtë eksperiencë, duke kombinuar mes tyre një sërë përvojash, për herë të parë për një pjesë të tyre. Një punë mjaft e madhe është finalizuar me sukses, duke vazhduar traditën e duke ruajtur trashëgiminë e brezave, gjë që edhe publiku e ka përqafuar me aq emocion, nga duartrokitjet e shumta që u dhanë dje artistëve të skenës.

Edicioni i Mik Festival/ “Zbret” në teatrin e

"Një eksperiencë fantastike për çdo kënd që ka marrë pjesë, është një vlerë e shtuar pasi siç e patë, një vepër që vjen pas 70 viteve që është opereta e parë e vënë në skenë në Shqipëri, sot rivihet në Korçë. Ajo që mund të them është që është vërtet muzikë shqip dhe ajo që është risi tjetër, është se shumë të rinj janë të përfshirë në këtë eksperiencë duke filluar nga të rinjtë e orkestrës së FA, e cila vjen për të disatën herë, por mbi të gjitha trupat në skenë, këngëtarët, valltarët. Pra, gjithë këto kombinime eksperiencash, përvojash, për disa për herë të parë, ishte risia e vënies në skenë të kësaj vepre që është vlerë e shtuar në trashëgiminë tonë jo materiale. E them këtë sepse duheshin më tepër punime të tilla të kësaj natyre, të viheshin në skenë jo vetëm për publikun shqiptar por për trashëgiminë tonë për brezat e ardhshëm. Janë gjetur parte të vjetra të asaj periudhe, është bërë një punë shumë e madhe kërkimore për ta sjellë sa më autentike veprën. Ky qytet ku përpara se të flitej, këndohej, e meritonte një vepër të tillë."

Një rëndësi të madhe në organizimin e kësaj operete pati artisti 3D nga Greqia, Lampros Tziampasis, i cili punoi për disa muaj rrjesht për të krijuar skenografinë sipas dekoreve origjinale të Vangjush Mios. Për Tziampasis kjo ka qenë një sfidë, për arsye se duhej të ruante origjinalitetin e pjesëve që i'u dhanë për ti rikrijuar, ndërsa ka treguar se është hera e parë për të që punon për një opereta e po ashtu, viziton qytetin e bukur të Korçës.

Edicioni i Mik Festival/ “Zbret” në teatrin e

"Për mua si artist 3D ishte një sfidë sepse më kërkuan të rikrijoja pjesë arti nga ato që kanë bërë artistët e mëdhenj më parë. Jam përpjekur ta rikrijoj këtë stil në 3D, ishte shumë sfiduese por një eksperiencë e bukur, u kënaqa që i krijova. U përpoqa të isha sa më afër skicave origjinale. U deshën gati 5 muaj, mbase e pak më shumë, që prej modelimit dhe renderimit që mori pjesën më të madhe të kohës. Është hera e parë që unë punoj për një opereta, është po ashtu e para herë që jam në Korçë. Qenka qytet shumë i bukur. Është nder për mua të jem pjesë e MIK festival, më shumë për arsye se nuk kam parë festivale kaq të mëdha dhe që sjellin shumë gjëra të artit. Kam parë në qytetet e mëdha në Greqi si Selaniku dhe Athina, por të kesh diçka të tillë në Korçë është e mrekullueshme."

Opereta Agimi, ndër më të bukurat e më të veçantat që artistët e vjetër korçarë i lanë trashëgimi qytetit, u rivendos në skenën e teatrit Andon Zako Çajupi nga artistët e rinj, shoqëruar nga orkestra e Forcave të Armatosura. Një mbrëmje fantastike që publiku artdashës korçar e ka shijuar për më tepër se 2 orë, duke mbështetur e vlerësuar me duartrokitje të shumta performuesit gjatë gjithë mbrëmjes. Kjo mbrëmje ishte pika kulmore e MIK Festival në këtë edicion të 7-të të organizimit të tij, ndërsa do të vazhdojë programi edhe për 2 ditë të tjera, duke përfunduar me sukses në fshatin turistik të Voskopojës këtë të diel./ CNA





11:46 Kulturë Agim Xhafka

JETA SI FILM…

Romeo dhe Elvira u njohën dhe u dashuruan në kombinat,...

Lajmet e fundit nga