web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Tregimi i së dielës/ Maraqkat...

30 Qershor 2024, 15:23, Kulturë Agim Xhafka
Tregimi i së dielës/ Maraqkat...
Gazetari Agim Xhafka

Kamomilit në Korçë i thonë maraqkë. Derisa u bëra i madh ashtu i quaja dhe unë. Me to u lidha qysh kur isha në fillore. Sa vinte qershori dhe nisnin pushimet verore merrja me vete një kavanoz bosh e ia nisja mbledhjes së maraqkave që nga fillimi i stadiumit e deri afër varrezave të francezëve. Me gjunjët në tokë, këput e fut në kavanoz dhe ec dy cm. Sërish njësoj e ec.

Koka ulur dhe gishtat mblidhnin maraqkat. Po vazoja nuk mbushej deri afër drekës. Dielli ma skuqte qafën, ma nxehte kokën, por nuk e ndieja. Se syri më rrinte te maraqkat. Një këtu, dy atje, një më tutje e gati ulërija nga gëzimi kur shihja që kavanozi mbushej. Nuk rrija më, vrap nga pazari, atje ku tani është agjencia e autobusëve.

Te dera rrinte një burrë i shkurtër, i shëndoshë. Peshonte maraqkat dhe më jepte 1 lek të ri. Më qëllonte kartëmonedhë e re, nga ato të hekurosurat. Aq çmohej ato mote kavanozi mbushur rrëckë. Merrja lekun dhe vrap në shtëpi. I fshihja te një libër në bufe. Pas një ore e shihja prapë dhe natën flija rehat. Ëndrra me lekë e buza vesh më vesh.

-Deri në mëngjes ke qeshur, - më thoshte gjyshja.

Sa më dilte gjumi, rrëmbeja bukën me vaj e kripë, kavanozin dhe vrap për të mbledhur maraqka. Ditët rrokulliseshin. Lekët shtoheshin e kur do fillonte shkolla i kisha mbledhur 87 kartëmonedha. Dukeshin shumë se qenë 87 njëshe, letër e ndritshme që më lumturonte. Një tufë e madhe që e lidhja me spango ngaqë më dukej se do më fluturonin kur nuk isha në shtëpi. Goxha para për moshën time. Mund të blija p.sh. dy palë atlete, për mua e vëllain. Ose librat e vëllait, të miat dhe dy palë çorape. Motrës mund t’i blija pallto se qe fare e vogël. Babait dy këmishë e një kollare, nënës një fustan dhe dy shaje dimri. Këto llogari më bënë çorap. Isha as 10 vjeç, u ngatërrova në shifra e dëshira dhe nisa të qaj. Gjyshja u lemeris.

-Je sëmurë mo, të dhemb gjë?

Asaj nuk i mbaja sekrete. I tregova hallin. E pashë që dhe ajo nuk po i jepte dum.

-Bli diçka për vete, - e vulosi.

Po për vete nuk doja t’i harxhoja lekët. Doja të kënaqja të gjithë. Po si? Këtë nuk po e gjeja që nuk po e gjeja.

Ikën ditë e asgjë s’po katranosja. Të pyesja babain, më vinte turp. Nënën? Ajo e kishte në majë të gjuhës, bli ore akullore, zhdëpu, do më thoshte. Vëllai? Atlete, dihej. Motra? Ajo sa kishte filluar të fliste, nuk më jepte dot mendim. Ndërkohë shkoja te libri i lekëve dy-tri herë në ditë. I numëroja dhe i numëroja. Kur po kthehesha në kuzhinë nga një numërim rutinë, sa do hapja derën dëgjoj nënën që i thoshte gjyshes:

-Këtë dimër Alajdinit, (babai im) duhet t’i blemë pallto patjetër. Vjet e kaloi dimrin me pardesy fëshfëshe, (qenë pardesy të holla si fletë cigare po shumë të përdorshme ato vite). Ai ka qenë i sëmurë nga mushkëritë e një ftohje tjetër nuk mund ta përballojë dot. Shumicën e lekëve i kam, kam qepur këto muaj plot kuverta e dyshekë. Bëra dhe dy jorganë për pajën e Gentës. Duhen dhe 80 e hop ia blejmë.

-Kismet, - foli gjyshja.

Atë ditë kuptova pse babai kollitej shpesh, edhe pse lodhej aq shpejt. Me nxit shkova te libri im i lekëve. Mora 80 lekë e vrap te mamaja.

-Të dëgjova për pallton e babit, merri!

Ajo sa më pa nuk ngurroi, i mori. Siç duket e kisha nxjerrë mbi fytyrë dashurinë e zemrës për babain. Dukesha kaq i vendosur sa nëna veproi instinktivisht. Qanim e qeshnim të tre. Nëna, gjyshja, unë. Motra gugu, gigi, nuk kuptohej në ishte mes gazit a britmës. Por nuk ndenja gjatë ashtu. Iu shkëputa nënës nga gjoksi e vrap te Jani i ëmbëltores.

-Një kuti llokume dhe të tjerat karamele, - i thashë dhe i dorëzova 7 lekët që më mbetën.

Në shtëpi hyra me kokën lart. Lashë pakon mbi tavolinë, urova familjen, për edhe veten:

-Të ketë shëndet babai!

Kur erdhi dimri im atë mbante mbi shpatulla një pallto të rëndë. Ato mote në modë qenë palltot e trasha GUB. Por babai, sa herë e pyesnin, thoshte:

-Imja quhet “Pallto Maraqka”.

Dhe shihte nga unë. Dhe qeshte. Dhe ngazëlleheshim të dy…





11:46 Kulturë Agim Xhafka

JETA SI FILM…

Romeo dhe Elvira u njohën dhe u dashuruan në kombinat,...

Lajmet e fundit nga