LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Townsend për VOA-n: Ballkani të mos mbetet larg vëmendjes së SHBA dhe BE

5 Dhjetor 2023, 20:09, Kosova & Bota CNA
Townsend për VOA-n: Ballkani të mos mbetet larg vëmendjes së
Jim Townsend

Ish Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Mbrojtjes për Evropën dhe Politikën ndaj NATO-s, Jim Townsend vlerëson se një nga zhgënjimet më të mëdha të zhvillimeve të pas Luftës së Ftohtë në Evropë janë dështimi i shteteve të Ballkanit për të arritur paqen me njëra-tjetrën.

Zoti Townsend, i cili ka luajtur një rol kritik për zgjerimin e NATO-s dhe forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me demokracitë e reja që dolën pas shpërbërjes së ish Bashkimit Sovjetik, thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se tridhjetë vjet pas “paralajmërimit të Krishtlindjes” që Presidenti Bush i bëri Serbisë për Kosovën, gjasat për shpërthimin e luftës janë të vogla, por Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe NATO-ja, duhet të vazhdojnë të përqendrohen në problemet në Ballkan dhe të sigurohen që ato nuk do të lihen jashtë vëmendjes.

Zëri i Amerikës: Zoti Townsend karriera tuaj shtrihet në më se tre dekada, gjatë së cilave ju jeni marrë me formulimin e politikave amerikane për Evropën dhe NATO-n, përfshirë kundërpërgjigjen ndaj Rusisë dhe zgjerimin e aleancës. Cili është vlerësimi juaj për situatën e sigurisë në Evropë aktualisht dhe në veçanti në raport me Ballkanin Perëndimor?

Jim Townsend: Mendoj se situata aktuale e sigurisë në Evropë është pak befasuese për të gjithë ne që punuam për rindërtimin e Evropës pas Luftës së Ftohtë në vitet ‘90-ta, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe zgjerimit të NATO me shtetet e Ballkanit. Ne u përpoqëm të parashikojmë një Evropë ku integrimi do të ndodhte përmes anëtarësimit në NATO dhe Bashkimin Evropian. Në atë kohë madje flitej që edhe Rusia mund t’i bashkohej NATO-s. Kjo, tingëllon tani si ide e çmendur, por në fillim të viteve ’90, ishte një ide që diskutohej seriozisht. Nuk e mendonim që zhvillimet do të merrnin këtë drejtim, sidomos ato që po ndodhin me Rusinë. Siç e dini, gjatë viteve ‘90 ndodhën edhe luftërat në Ballkan. Diplomacia në atë kohë, disa udhëheqës të guximshëm... bënë punë mjaft të mirë për të vendosur paqen në Ballkan, për të menaxhuar shpërbërjen e Jugosllavisë. Në fundin e asaj dekade, ne patëm një vizion për Evropën, përfshirë Ballkanin, e paramendonim një të ardhme krejtësisht ndryshe. Shumë prej atyre parashikimeve kanë ndodhur. Zgjerimi i NATO-s, zgjerimi i BE-së, shumë prej vendeve të Ballkanit janë inkuadruar në NATO. Por Rusia është befasia më e madhe, sepse shkoi në një drejtim krejtësisht tjetër nga ai që mendonim atëherë. Dhe ky është njëri prej zhgënjimeve. Zhgënjimi tjetër ishte, se sinqerisht shpresonim se vendet e Ballkanit do të arrinin paqe shpejt me njëri tjetrin dhe do të integroheshin në institucione evropiane si NATO dhe BE-ja. Kjo do të ndodhë, kam besim se do të ndodhë, por më ngadalë se sa shumë prej nesh duam.

Zëri i Amerikës: Janë bërë 30 vjet që kur Presidenti Bush bëri “paralajmërimin e Krishtlindjes” – atëherë ju ishit në qeveri dhe kontribuuat në formulimin e asaj politike, që u dha fund luftërave në Ballkan. A jeni të shqetësuar se historia mund të përsëritet?

Jim Townsend: Nuk konsideroj se do të përsëritet në formën si ndodhi gjatë viteve ’90 kur luftimet ishin me të vërtetë të tmerrshme. Ishim dëshmitarë të shumë tragjedive, shumë vdekjeve të civilëve. Nuk mendoj se do të ketë një shpërthim lufte siç ndodhi atëherë. Por, të gjithë jemi të shqetësuar që ende ka mundësi konflikti atje. Gjatë muajve të fundit kemi parë rritje të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë në veçanti, dhe gjithashtu në Bosnjë ka trazira politike.

Por ajo që ndryshon tani nga vitet 90-ta është prania e Bashkimit Evropian dhe NATO-s me KFOR-in, në terren. Sot kemi mjete në dispozicion për ta menaxhuar konfliktin dhe për ta parandaluar shpërthimin e tij, që atëhere nuk i kishim. Vitet ‘90 ishin një periudhë gjatë të cilës bashkësia ndërkombëtare mësoi se çfarë lloj mjetesh na duheshin atje... Mendoj se mësuam nga ajo periudhë njësoj sikurse edhe vendet e Ballkanit. Konflikti gjithmonë ka mundësi të ndodhë, por tani kemi mjetet që të parandalojmë përsëritjen e asaj që ndodhi në vitet ‘90.

Zëri i Amerikës: Ju përmendet mjetet dhe zhgënjimin për shpejtësinë me të cilën kanë lëvizur vendet e Ballkanit. Çfarë mendoni se e ka mbajtur prapa rajonin?

Jim Townsend: Pyetje shumë e mirë, por jo e lehtë për t’iu përgjigjur. Mendoj se disa personalitetet politike që i njohim, nuk kanë pasur gatishmërinë të kenë aspiratë, apo ambicie për integrimin, janë shumë më nacionalistë, më të prirë për konflikt se diplomaci e komunikim dhe nuk janë të gatshëm të bëjnë kompromise mes aspiratave të popujve që jetojnë në Ballkan... Dhe së dyti, i tërë konflikti politik dhe ndjenjat ndaj njëri tjetrit i kanë rrënjët e thella në shumë dimensione. Do të duhet me shumë kohë se disa dekada për t’i tejkaluar ato. Do të duhet një ndërrim gjeneratash, breza të rinj që do të vinë në skenën politike në Ballkan, që të kenë pikëpamje tjetër për jetën që duan për vete dhe për fëmijët e tyre, ndryshe nga ajo e prindërve apo gjyshërve të tyre. Ndoshta një gjeneratë që do të jetë më e gatshme të bëjë kompromise dhe që e përqafon më pak nacionalizmin, që dëshiron të jetë evropiane, anëtare e komunitetit evropian e jo vetëm një komunitet lokal që vazhdimisht shikon nga brenda. Kjo do të sjellë ndryshimin më shumë se çdo gjë tjetër. Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, BE-ja dhe NATO-ja, duhet të vazhdojnë të përqendrohen në problemet e Ballkanit dhe të sigurohen që ato nuk do të injorohen ose lihen jashtë vëmendjes për shkak të luftës në Ukrainë apo Gazës. Duhet të vazhdojmë të kemi durim dhe të përballemi me problemet atje. Njëkohësisht duhet të reagojmë me forcë për personalitetet që refuzojnë të bëjnë kompromis, apo refuzojnë të dëgjojnë shqetësimet e të tjerëve dhe që bëhen pengesa për paqen. Andaj mendoj se Perëndimi, institucionet e tij dhe vendet si Shtetet e Bashkuara, duhet të jenë të prera në qëndrime dhe të thonë qartazi se do të mbështesin përparimin e vazhdueshëm në Ballkan dhe nuk do të lejojmë askënd të bëhet pengesë, të nxisë probleme... Dhe viteve të fundit, disa shtete kanë arritur ta bëjnë një gjë të tillë. Por disa të tjera kanë kaluar nëpër cikle ku përmes votimit apo mënyrave të tjera, udhëheqës autokratë kanë ardhur në pushtet dhe kanë ndërprerë rrugën e zhvillimit dhe integrimit. NATO, BE-ja, shtetet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara duhet të jenë me të vërtetë të prera dhe t’i mbajnë politikanët e rajonit të përqendruar në integrimin dhe zhvillimin dhe jo t’i kthehen nacionalizmit dhe konfliktit.

Zëri i Amerikës: NATO po shqyrton mundësinë e rritjes së pranisë në Kosovë dhe Bosnjë shumë vite pas përfundimit të luftës në këto vende. Bashkimi Evropian ka marrë një nismë për të kushtëzuar anëtarësimin e Serbisë në BE me marrëveshjet që Serbia i ka nënshkruar me Kosovën, që çojnë në njohjen de facto të saj. A mendoni se një qasje e tillë do të jetë e dobishme për t’i dhënë fund këtij konflikti?

Jim Townsend: Mendoj se ja vlen të provohet. Unë i mbështes përpjekjet e Bashkimit Evropian. E di se me vite të tëra kanë qenë të angazhuar me NATO-n dhe me SHBA-të në përpjekje për të dalë me qasje politike që mund të funksionojnë, dhe jo të gjitha kanë funksionuar, por disa po...

Por konsideroj se nëse BE-ja tregohet këmbëngulëse, ndoshta ndërkohë do të ketë ndryshim politik në Serbi. Nuk duhet hequr dorë, duhet të provojmë mjete të ndryshme dhe mënyra të ndryshme që mund të ndikojnë për të sjellë ndryshime politike apo të ndryshojnë qëndrimet politike, të dalim me kompromis. Duhet të ulemi në tryezë dhe të diskutojmë ide të ndryshme për të arritur kompromis. I mbështes përpjekjet e BE-së. E di që do të jetë vështirë, por duhet të provojmë, njësoj siç duhet të shtojmë forcat e KFOR-it dhe misionet e tjera kur konflikti përshkallëzohet. Duhet ta tregojmë seriozitetin tonë duke shtuar forcat për të ruajtur stabilitetin.

Zëri i Amerikës: Si e shihni zhvillimin e mëtejshëm të situatës dhe cila do të ishte këshilla juaj për hartuesit e politikave në Uashington dhe në kryeqytetet evropiane?

Jim Townsend: Këshilla ime e parë është të vazhdojnë trysninë, të vazhdojnë të punojnë atje dhe të mos e largojmë vëmendjen nga Ballkani për shkak të zhvillimeve në vende të tjera. Rreziqet janë të mëdha në Ballkan dhe shumë gjëra të mira mund të ndodhin aty nëse punojmë bashkërisht. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s ishte atje së fundmi, gjithashtu edhe Sekretari Blinken ishte në rajon për takimin e OSBE-së, të gjitha zhvillime të mira, por duhet të kemi durim. Do të duhet një gjeneratë, apo dy për të ndryshuar dhe është detyra jonë të ndihmojmë ata politikanë që duan të mirën. Duhet të jemi aty për të ndihmuar t’i japim formë atij zhvillimi. Dhe për ta bërë një gjë të tillë, duhet të jemi aty sepse nuk është diçka që mund të bëhet nga Uashingtoni apo Brukseli...

Duhet të jemi gjithmonë në kërkim të qasjeve të reja dhe duhet të jemi të ashpër kur na duhet të jemi të ashpër me ata udhëheqës ballkanik që i kryqëzojnë duart dhe thonë ‘nuk do të lëvizim, kemi një të ardhme ndryshe në mendje.’ Duhet të jemi të ashpër me ta edhe në rast se na duhet të dërgojmë më shumë forca në KFOR apo EUFOR, edhe nëse nënkupton sanksione, apo shtyrje të anëtarësimit në BE dhe në NATO. Duhet të kemi durim, por duhet të jemi të vendosur. Dhe duhet gjithmonë t’i përkrahim ata njerëz në rajon që aspirojnë për më mirë se kemi parë në të kaluarën./ VOA

Lajmet e fundit nga