LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Roli i gruas së Sokol Sadushit në gjyqet e konflikteve të PD-së

9 Janar 2023, 16:24, Editorial CNA
Roli i gruas së Sokol Sadushit në gjyqet e konflikteve të
Fotomontazh - Gruaja e Sokol Sadushit dhe Lulzim Basha

Në datën 11 janar pritet të zhvillohet seanca e radhës për një nga mosmarrëveshjet administrative të lindura brenda PD-së.

PD-ja e Foltores ka depozituar në regjistrin e subjekteve politike, nëpërmjet vendimit të Gjykatës, aktet dhe vendimet e Këshillit Kombëtar, të zhvilluar në Stadiumin Kombëtar “Air Albania”.

PD-ja e Vulës ka zhvilluar Këshillin e vet Kombëtar në Pallatin e Kongreseve dhe ka kërkuar më pas, si depozitimin e disa ndryshimeve statutore të vjetra, ashtu edhe vendimet e Këshillit Kombëtar të Pallatit të Kongreseve.

Roli i gruas së Sokol Sadushit në gjyqet e konflikteve të
Fotomontazh - Lulzim Basha dhe vula e PD-së

Gjyqi ka pasur shtyrje të rregullta të cilat shkaktoheshin ose nga mungesa (me radhë) e 2 prej anëtarëve të trupit gjykues, ose nga sëmundjet e papritura të përfaqësuesit ligjor të PD-së së Vulës. Nëse dikur do sigurohet një kopje e asaj dosje, gallata do vazhdonte gjatë. Kërkesa për depozitim të akteve është firmosur nga Gaz Bardhi, autorizimet për përfaqësim në seanca, fillimisht bëheshin me firmë të Lulzim Bashës, pastaj me firma të Enkeljed Alibeajt ose Gaz Bardhit. Ka midis letrave kërkesa për shtyrje për sëmundje të përfaqësuesit ligjor me firmë të Lulzim Bashës, i cili nuk ka kërkuar ndonjëherë depozitimin e dorëheqjes së tij si kryetar i PD-së së Vulës. Pas seancës së kaluar, kur u bë edhe shtyrja e fundit, në Gjykatë është depozituar edhe një kërkesë nga PD-ja e Vulës, me të cilën kërkohet përjashtimi i një anëtari të trupës gjykuese.

Çdo seancë e lidhur me çështjen shoqërohet me prezencën personale konstante, edhe në sallën e gjyqit të një gjyqtareje të Gjykatës së Apelit, e cila nuk ka asnjë lidhje me çështjen. Kjo gjyqtare është bashkëshortja e Sokol Sadushit. Prezenca e saj ka ngjallur interesin e gazetarëve që ndjekin rastin e që e shohim rregullisht në sallën e një gjyqi që nuk është i saji.

Roli i gruas së Sokol Sadushit

Kuriozitetit gjyqtarja i është përgjigjur me shpjegimin se ajo rri atje sepse mban raportet me mediat dhe duhet të bëjë raportimin për publikun. Me këtë logjikë, gruaja e Sadushit duhet të rrijë në çdo sallë gjyqi. Por zonja e Sadushit zgjedh vetëm çështjen e nxehtë që lidhet me vulën e PD, ku megjithëse prezenca e gazetarëve siguron informimin e Publikut, zonja e Sadushit duhet të monitorojë procesin.

Në gjykatën e Apelit është publik interesimi i zonjës së Sadushit për gjyqet që lidhen me vulat dhe letrat e PD-së. Nëse zonja e Sadushit nuk është militante e PD-së dhe as kurioze e sëmurë e zhvillimeve politike të opozitës, lind pyetja: çfarë dreqin e lidh zonjën e Sadushit me seancat e drejtësisë së re, për çështjet gjyqësore që duhet të zgjidhin mosmarrëveshjet e përfaqësimit të PD-së?

Roli i gruas së Sokol Sadushit në gjyqet e konflikteve të
Edlira Sadushi, gruaja e Sokol Sadushit

Dhe ndodh që tamam në mes të interesimit dhe përfshirjes emocionale të  zonjës së Sadushit në gjyqet e PD-së, Lulzim Basha bën kërkesën për përjashtimin e një anëtari të trupit gjykues të seancës që duhet të zhvillohet në datë 11 Janar.

Dhe "lupus in fabula", kërkesa e Lulzim Bashës i bie për shqyrtim tamam zonjës së Sadushit!

Mes një gjyqi ku PD-e vulës shkon herë me letra të firmosura nga Gazi, herë nga Luli e herë nga Enkelejdi, zonja e Sadushit do marrë në shqyrtim një kërkesë për përjashtimin e një anëtari të trupës.

Kësaj radhe prezenca e Zonjës Sadushi është e justifikuar. Por me atë rast do ketë mundësi edhe ti’ hedhë një sy dosjes së plotë meqë do i duhet të shqyrtojë ankesat e subjektit PD e Vulës ndaj anëtarit të trupës gjykuese.

Dhe ka të drejtë! Nga fundi i sallës nuk e shikon dot dosjen!

Pas shqyrtimit të kësaj kërkese, mund të rikthehet me prezencë fizike sa herë që do ketë seanca, në të cilat do shqyrtohet mali i grindjeve brenda PD-së.

Çfarë i duhet Lulzim Bashës?

Ajo që i duhet Lulzim Bashës është shtyrja e gjyqit. Lulzim Basha po synon që vendimin që beson se ja garanton gruaja e Sadushit, ta marrë sa më afër ditës kur do të duhet të depozitohen listat e kandidatëve në KQZ.

Është fakt që Lulzim Basha nuk e ka depozituar dorëheqjen në regjistrin e partive, por nga ana tjetër nuk po shihet ndonjë lëvizje e Lulit për angazhim kandidaturash, as për kryetarë bashkish, as për anëtarë këshillash bashkiakë.

Ai që po lëviz (aq sa ja pret kungulli) është Enkelejd Alibeaj. Versioni më i besueshëm është që Alibeaj po punon për kandidatët që do prezantojë Lulzim Basha në KQZ.

Roli i gruas së Sokol Sadushit në gjyqet e konflikteve të
Enkelejd Alibeaj dhe Lulzim Basha

Me sa duket Lulzim Basha ka hequr dorë nga operacioni: “marrim vulën, hapim zgjedhjet e reja”.

Sipas atij variant, pasi të merrej vula mund të hapej gara për kryetar të ri të PD-së.

Enkelejdi ashtu si Luli beson se zonja e Sadushit do garantojë vendimin në favor të PD-së së Vulës, ndaj po punon për sigurimin e kandidaturave. Edhe Luli nuk ka motiv të shpejtojë. Ai është ende kryetar për zonjën e Sadushit.

Por gjendja e Grupit Parlamentar nuk shkon pas logjikës së zonjës së Sadushit. Ndaj prej 2 javësh ka filluar lëvizjet për të shkarkuar Enkelejdin si kryetar të  Grupit Parlamentar. Edhe më parë ka patur lëvizje për zëvendësimin e Enkelejdit me Joridën sepse Enkelejdi me natyrën e vet apolitike dhe fodulle kishte shkaktuar përplasje me thuajse gjithë grupin e deputetëve.

Roli i gruas së Sokol Sadushit në gjyqet e konflikteve të
Enkelejd Alibeaj dhe Ervin Salianji

Mbledhja e firmave për shkarkimin e Alibeajt ka yshtur ata që nuk e durojnë dot më Enkelejdin dhe ka hapur orekset e më shumë se sa vetëm mbështetësve të Joridës.

Në lojë ka hyrë Ervin Salianji, i cili me një gjyq të hapur që po e shtyn drejt burgut, e ka betejë për jetë a vdekje emërimin si kryetar i Grupit Parlamentar, e që e bën automatikisht edhe nënkryetar të PD-së. Salianji nga ana e tij ka kërkuar edhe marrëveshje mbështetje me vota nga mbështetësit e PD-së së Foltores dhe personalisht të Sali Berishës.

Por këto janë gjëra që zonja e Sadushit as i di, as i kupton dot edhe nëse dikush do përpiqet t'ja shpjegojë.

E shkreta meqë ka një gjyq në datë 11 dhe meqë ka kuptuar që duhet të mbështesë Lulin, kujton se po i zgjidh hallin Lulit./ CNA.al

Lajmet e fundit nga