web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Zeitenwende, kthesa e premtuar e Gjermanisë nuk po shihet ende gjëkundi

19 Gusht 2022, 14:40, Blog CNA
Zeitenwende, kthesa e premtuar e Gjermanisë nuk po shihet ende
Olaf Sholcmbi

Nga Angela Mehrer “European Council on Foreign Relations”

Fjalimi i kancelarit gjerman Olaf Sholc mbi mbi Zeitenwende (pikën e kthesës) më 27 shkurt në parlament, Bundestag, u përjetua si fillimi i një epoke të re për politikën gjermane në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Në fakt për shumë analistë, deklaratat e forta të asaj dite nga Sholc paralajmëruan një rishikim të plotë të politikës së jashtme gjermane.

Megjithatë 6 muaj më vonë, ka pak prova se ka nisur një proces transformimi aq radikal. Tani është pikërisht koha që Gjermania të tregojë se vetë fjalimi i kancelarit nuk ishte zgjidhja e një Zeitenwende në politikën e sigurisë, por fillimi i një procesi më koherent dhe më thelbësor.

Kur Sholc u bë kancelar, ai nuk kishte plane që të ndryshonte ndjeshëm politikën e sigurisë dhe mbrojtjes së Gjermanisë, pasi kishte bërë fushatë me një platformë të vazhdimësisë me epokën e Merkelit në këtë fushë. U desh të ndodhte pushtimi i Ukrainës nga Rusia më 24 shkurt, që ta bindte atë për nevojën për t’u përshtatur me një realitet të ri.

Pra, ai i formuloi planet e tij mbi Zeitenwende në më pak se 48 orë, dhe nën presionin në rritje të partnerëve ndërkombëtarë të Berlinit. Qeveria Merkel u zotua vazhdimisht të shpenzonte 2 për qind të PBB-së për mbrojtjen deri në vitin 2024 - në përputhje me objektivat e NATO-s.

Megjithatë, Berlini njoftoi në të njëjtën kohe me krenari se do të arrinte vetëm në nivelin 1.5 për qind të PBB-së. Për rrjedhojë, investimet tek forcat e armatosura mbetën nën potencialin e tyre. Si pjesë e planit të tij Zeitenwende, Sholc propozoi krijimin e një fondi special prej 100 miliardë eurosh për të mbyllur boshllëqet e mëdha në aftësitë ushtarake që ishin shfaqur dhe zgjeruar në dekadat e mëparshme.

Gjithashtu, ai u zotua të përmbushë objektivin e NATO-s për shpenzimet në nivelin 2 për qind të PBB-së. Megjithatë, shumë shpejt u bë e qartë se qeveria nuk do të përdorte fondin special për të plotësuar objektivin prej 2 për qind. Përkundrazi, qeveria do ta përdorte atë për të përmbushur objektivin e NATO-s në vitet e ardhshme.

Dhe qeveria kishte zhvendosur tashmë tek fondi special një pjesë të kostove ekzistuese për projektet e mbrojtjes. Prandaj, nëse inflacioni mbetet në nivelin 7.5 për qind, fondi special do të blejë vetëm pajisje ushtarake me vlerë rreth 60 miliardë euro.

Ndërsa qeveria e Merkelit mbeti e përkushtuar ndaj ndërtimit të gazsjellësit “Nord Stream 2” edhe pas aneksimit të Krimesë, përgjigja e menjëhershme e Sholc ndaj agresionit rus në Ukrainë ishte ndalimi i certifikimit të gazsjellësit.

Njoftimi i tij kryesor Zeitenwende mbi sigurinë e energjisë, përcaktoi nevojën për investime më të mëdha dhe më të shpejta tek energjia e rinovueshme. Po ashtu qeveria do të krijojë urgjentisht rezerva qymyri dhe gazi, si dhe do të ndërtojë dy terminale të gazit natyror të lëngshëm (LNG).

Sholc thotë se kjo qasje mund t’i japë fund varësisë gjermane nga karburantet fosile ruse, duke ndërprerë kësisoj fondet për luftën e presidentit Vladimir Putin. Por projekti i LNG-së nuk është ende i sigurt, dhe Gjermania mbetet në mëshirën e gazit të Putinit. Për më tepër, që nga fillimi i luftës në Ukrainë në Gjermani nuk ka pasur zhvillime të rëndësishme në sektorin e energjisë së rinovueshme.

Megjithatë, Gjermania s’mund ta transformojë në vetëm 6 muaj sektorin e saj energjitik. Vendi po ndjen efektet e varësisë së tij të madhe nga gazi rus, dhe po punon me shpejtësi për të rivendosur sa më shpejt sigurinë e tij energjetike. Për këtë qëllim, qeveria gjermane është madje e gatshme të lërë ende në funksion 3 termocentralet bërthamore që ka ende Gjermania.

Njoftimet e Scholc për Zeitenwende ishin befasuese. Por qeveria gjermane po i përgjigjet kryesisht kritikave ndërkombëtare, teksa i mungon iniciativa për t’u bërë Führungsmacht (një fuqi udhëheqëse), siç kërkoi kohët e fundit bashkëdrejtuesi i Partisë Socialdemokrate (SPD) Lars Klingbeil në një konferencë të Fondacionit Friedrich Ebert.

Pra, aty ku Sholc ka lënë një boshllëk, Klingbeil ka filluar të mendojë sesi ta mbushë atë me një strategji të qartë për reformën e politikës së mbrojtjes dhe energjisë. Dhe ai do të kishte mbështetjen e publikut gjerman. Për shembull, një sondazh i fundit zbuloi se 67 për qind e gjermanëve janë dakord me fondin special prej 100 miliardë eurosh për ushtrinë.

Anëtarët e vjetër të Bundestagut ngurrojnë të rrisin shpenzimet ushtarake. Kjo për faktin se të Gjelbrit dhe SPD kanë në ADN-në e tyre antimilitarizëm. Gjithsesi të Gjelbrit janë përshtatur shumë shpejt me situatën e re. Ndërkohë, s’mund të thuhet e njëjta gjë për të gjithë anëtarët e SPD-së.

Disa anëtarë të gardës së vjetër të Partisë Socialdemokrate e kanë të vështirë t’i shpëtojnë të kaluarës së tyre të marrëdhënieve të ngrohta me Rusinë. Për shembull, presidenti gjerman Frank-Valter Shtajnmajer nuk mori ftesë për të vizituar Kievin për shkak të qëndrimeve të tij të mëparshme ndaj Rusisë.

Ndërkohë ish-kancelari Gerhard Shrëder bën vazhdimisht bujë në media për shkak të marrëdhënies së tij personale me Putinin. Dhe drejtuesja rajonale e SPD, Manuela Shvesig është nën kritika të forta për rolin e saj në projektin e gazsjellësit “Nord Stream 2”.

Në të ardhmen, liderët gjermanë do të detyrohen ta riorganizojnë politikën e tyre ndaj lindjes për të provuar besueshmërinë e tyre si ndaj publikut gjerman, po ashtu edhe ndaj partnerëve të tyre në Bashkimin Evropian dhe NATO. Ata duhet të shmangin përfshirjen në polemika që lidhen me çështje të tilla si mosrespektimi i marrëveshjeve, si në rastin e propozimit për furnizimin e Poloninë me tanket gjermane, teksa tanket e veta t’i dërgojë në Ukrainë.

Po ashtu, Gjermania duhet të përmbushë objektivin prej 2 për qind për shpenzimet e mbrojtjes çdo vit, sidomos duke pasur parasysh faktin se aktualisht vlerësohet të arrijë në vetëm 1.7 për qind të PBB në vitin 2023.

Së fundmi, fondi special nuk duhet të jetë i vetmi element i politikës së sigurisë së Zeitenwende. Qeveria duhet të garantojë investime të mjaftueshme për ta bërë Gjermaninë një lojtare të vlefshme në mbrojtjen territoriale dhe kolektive të Evropës.

Por sfida më e madhe është të ndodhë një ndryshim në mentalitet. Sholc duhet ta ripozicionojë vendin e tij si një lojtar me peshë në politikën e sigurisë dhe mbrojtjes. Dhe ai do të duhet të bindë votuesit gjermanë, jo vetëm që të pranojnë investime më të mëdha në këto fusha në planin afatgjatë, por edhe për të ndryshuar mënyrën se si mendojnë për ushtrinë si një mjet të politikës.

Dhe kjo do të kërkojë lidership të fortë dhe një vullnet të qartë politik. Do të varet nga politikanët e mirënjohur nëse ky ndryshim do të vijë nga ata apo nga udhëheqësit më të rinj që vazhdojnë t’i ngjitin në skenë. Gjashtë muaj pas fjalimit të Sholcit mbi Zeitenwende, zbatimi i planeve të tij nuk është ende ajo që shpresonin shumica e audiencës.

Por duke pasur parasysh sfidat e Zeitenwende, Ministria e Jashtme gjermane po formulon aktualisht strategjinë e parë të sigurisë kombëtare të Gjermanisë. Kjo mund të jetë pikërisht strategjia afatgjatë që i duhet vendit për t’u bërë një partner i besueshëm i vendeve të tjera të BE-së dhe NATO-s.

Nëse mesazhet në fjalimin e tij përfshihen në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare dhe vazhdojnë ta ndryshojnë sjelljen e qeverisë, fjalimi i Sholc mund të sjellë vërtet një epokë të re në politikën gjermane të sigurisë./Pershtati ne shqip CNA.al

 





Lajmet e fundit nga