web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pse “Vargjet Satanike” të Salman Rushdi mbeten kaq të diskutueshme mbi 3 dekada pas publikimit?

16 Gusht 2022, 08:49, Blog Myriam Renaud

Pse “Vargjet Satanike” të Salman Rushdi mbeten kaq të

Shkrimtari Salman Rushdi ndodhet në spital me plagë të rënda, pasi më 12 gusht u godit me thikë nga një burrë gjatë një aktiviteti kulturor në Nju Jork. Një nga librat më të diskutueshëm në historinë e kohëve të fundit letrare, “Vargjet Satanike” të Rushdi, u botua mbi 3 dekada më parë, saktësisht në vitin 1988, duke shkaktuar menjëherë protesta në të gjithë botën myslimane, disa prej tyre të dhunshme.

Një vit më vonë, në vitin 1989, udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Khomeini, publikoi një Fetva, një vendim fetar, duke urdhëruar myslimanët që ta vrisnin Rushdi. I lindur në Indi në një familje myslimane, por në atë kohë një shtetas britanik që jetonte në Britani, Rushdi u detyrua të fshihej për pjesën më të madhe të një dekade.

Libri “Vargjet Satanike”, depërton në zemër të besimit fetar mysliman. Përmes rrëfimit të disa ëndrrave, Rushdi, sfidon dhe ndonjëherë duket se tallet me disa nga parimet më të ndjeshme të kësaj feje. Myslimanët besojnë se Profeti Muhamed u vizitua nga engjëlli Xhibrill - Gabriel për të Krishterët - që gjatë një periudhe kohore 22-vjeçare, i diktoi atij fjalët e Zotit.

Nga ana e tij, Muhamedi ua përsëriti këto fjalët ndjekësve të tij. Më pas, këto fjalë u shkruan dhe u bënë vargje dhe kapituj të Kuranit. Romani i Rushdi përfshin pikërisht këto themele të besimit islam. Një nga personazhet kryesore, Xhibril Farishta, sheh një sërë ëndrrash, në të cilat ai bëhet adashi i tij, ëngjëlli Xhibril.

Pse “Vargjet Satanike” të Salman Rushdi mbeten kaq të

Në këto ëndrra, Xhibrili ndeshet me një personazh tjetër qendror, në mënyra që i bëjnë jehonë rrëfimit tradicional të Islamit për takimet e engjëllit me Muhamedin. Rushdi zgjedh një emër provokues për Muhamedin. Në roman ai quhet Mahund, një emër alternativ për Muhamedin që është përdorur ndonjëherë gjatë Mesjetës nga të krishterët që e konsideronin atë një Djall.

Për më tepër, Mahundi i Rushdi i vendos fjalët e tij në gojën e engjëllit Xhibrilit, dhe u jep ndjekësve të tij dekrete që forcojnë me lehtësi qëllimet e tij egoiste. Edhe pse në libër, shkruesi imagjinar i Mahund, Salman Persiani, refuzon vërtetësinë e recitimeve të Zotit të tij, ai i regjistron ato sikur të ishin të Zotit.

Për shembull në librin e Rushdi, Salman i atribuon Kuranit disa pasazhe që i vendosin burrat “në krye të grave”, dhe që u japin burrave të drejtën të godasin gratë nga ata që “i frikësohen arrogancës” sipas pikëpamjeve seksiste të Mahund. Nëpërmjet Mahund, Rushdi duket se hedh dyshime mbi natyrën hyjnore të Kuranit.

Për shumë myslimanë, me ritregimin e tij imagjinar të lindjes së ngjarjeve kryesore të Islamit, Rushdi nënkupton se në vend të Zotit, profeti Muhamed është vetë burimi i të vërtetave të shpallura. Në mbrojtje të Rushdi, disa studiues kanë argumentuar se “tallja e tij e pandershme”, synon të eksplorojë nëse është i mundur të ndahet fakti nga trillimi.

Eksperti i letërsisë, Greg Rubinson, thekson se Xhibril nuk është në gjendje të vendosë se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është një ëndërr. Që nga botimi i “Vargjeve Satanike”, Rushdie ka argumentuar se tekstet fetare duhet të jenë të hapura për t'u sfiduar.

“E pse nuk mund të debatojmë mbi Islamin? Është e mundur të respektosh individët, t'i mbrosh nga intoleranca, ndërkohë që mund të jesh skeptik për idetë e tyre, madje edhe t'i kritikosh me egërsi ato”- deklaroi Rushdi në një intervistë të vitit 2015.

Megjithatë, kjo pikëpamje bie ndesh me pikëpamjen e atyre, për të cilët Kurani është fjala e Zotit. Pas vdekjes së Khomeinit, qeveria e Iranit njoftoi në vitin 1998, se nuk do ta zbatonte Fetvanë e tij, ose nuk do të inkurajonte të tjerët ta bënin këtë. Rushdi jeton aktualisht në Shtetet e Bashkuara dhe merr pjesë rregullisht në jetën publike. Megjithatë, siç e tregoi edhe atentati ndaj tij, edhe 34 vjet më vonë, jeta e tij është e kërcënuar.

Përkthyer dhe përshtatur nga CNA.al





Lajmet e fundit nga