LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

“Marrëzi” financiare/ Qeveria merr borxh të shtrenjtë për të shlyer para kohe borxhin e lirë

7 Qershor 2023, 09:45, Aktualitet CNA
“Marrëzi” financiare/ Qeveria merr borxh të shtrenjtë
Edi Rama dhe Delina Ibrahimaj

Koha kur Shqipëria merrte borxh me interesa të ulëta në tregjet ndërkombëtare duket se ka përfunduar. Ministria e Financave mori 600 milionë euro borxh me afat maturimi 5-vjeçar të martën përmes emetimit të një eurobondi në tregjet europiane të kapitalit. Sipas Ministrisë së Financave, interesi i bondit rezultoi 6.125 për qind.

Dy vjet më parë, Shqipëria arriti të emetojë me sukses Eurobond me afat maturimi 10-vjeçar kundrejt interesit 3.75 për qind ose gati dy herë më lirë sesa borxhi 5-vjeçar i marrë këtë të martë. Në vitin 2020, eurobondi me afat 5-vjeçar u mor me interes 3.5 për qind.

Rritja e kostove të huamarrjes lidhet me situatën e re të tregjeve financiare në Europë. Për shkak të inflacionit të lartë, Banka Qendrore Europiane ka shtrënguar disa herë radhazi politikën e saj monetare duke e rritur normën bazë të euros në nivelin 3.75 për qind, kur vetëm dy vjet më parë norma bazë e euros ishte 0.

Bli qen e shit këlyshë

Në buxhetin e këtij viti qeveria shqiptare ka programuar të marrë 55 miliardë lekë ose rreth 500 milionë euro hua në total. Nga këto 200 milionë euro do të financohen nga humarrja në tregun e brendshëm përmes letrave me vlerë, ndërsa 300 milionë euro të tjera nga jashtë përmes granteve të BE-së, kredive të buta nga donatorët dhe një pjesë e borxhit të marrë me eurobond.

Por pse qeveria vendosi të marrë 600 milionë euro borxh me eurobondin, kur kufiri i programuar i huamarrjes së jashtme është 300 milionë euro? Arsyeja është se qeveria ka menduar të shlyejë para kohë një pjesë të borxhit të marrë përmes eurobondit në vitin 2020, i cili maturohet pas dy vjetësh.

“Emetimi i ri është planifikuar të shoqërohet me një transaksion të riblerjes së një pjese të eurobondit që maturohet në vitin 2025, duke ulur kështu rrezikun e rifinancimit të atij viti,” sqarohet në Planin e Humarrjes për vitin 2023.

Eurobondi i vitit 2020 u emetua me një interes 3.5 për qind. Ky borxh maturohet dhe duhet të shlyhet në vitin 2022. Tani qeveria mori borxh me 6.12 për qind për të shlyer para kohe një borxh që ka interes gati dy herë më të ulët.

Financiarisht ky është një operacion pa sens me dëm financiar dhjetëra miliona euro ndaj shtetit dhe mund të justifikohet vetëm në një skenar. Qeveria pret që pas dy vjetësh interesat të jenë edhe më të larta sesa tani, ndaj po nxiton ta marrë që tani borxhin që do duhej të merrte pas dy vitesh. 

Humbje parash dhe shansesh

Qeveria shqiptare kishte dhe alternativa të tjera për të financuar pagesat e saj në valutë. Njëra prej tyre është marrja borxh në tregun e brendshëm, qoftë përmes emetimit të bonove të brendshme në euro, qoftë përmes marrjes së borxhit në lekë dhe këmbimit pastaj me euro në tregun e brendshëm. Ky operacion mund të kishte më shumë përfitime për buxhetin, por edhe ekonominë.

Në kushtet aktuale kur në çdo dy ditë euro zhvlerësohet me 1 lek, ndërhyrja e qeverisë në tregun e brendshëm do të stabilizonte kursin e këmbimit, por do të krijonte edhe përfitime financiare direkte për buxhetin e shtetit.

Së pari qeveria do të fitonte para nga kursi i këmbimit. Së dyti, do të materializonte rënien e euros në buxhet duke ulur borxhin publik. Pra një operacion që kishte vetëm përfitime në çdo drejtim. 

Por me sa duket qeveria ka vendosur të luajë në terren të sigurtë dhe marrë euro nga jashtë në një kohë që Banka e Shqipërisë, por edhe vetë qeveria thonë se kursi i këmbimit është zhbalancuar nga oferta masive e euros në tregun e brendshëm./ Oligarkia.al

Lajmet e fundit nga