web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Normat e depresionit tek fëmijët po rriten, por fajtore nuk janë mediat sociale

14 Korrik 2023, 22:30, Shëndeti Pete Etchells

Normat e depresionit tek fëmijët po rriten, por fajtore nuk janë

Çfarë dimë në të vërtetë mbi marrëdhënien midis mediave sociale dhe shëndetit mendor të adoleshentëve? E ngre këtë pyetje sepse një ditë më parë vajza ime më pyeti nëse mund të kishte edhe ajo telefonin e saj. Ajo është 3-vjeçe e pak, ndaj kërkesa e saj më befasoi.

Ishte një bisedë që nuk prisja të bëja derisa ajo të bëhej adoleshente.

“Ti je ende shumë e vogël për të pasur një telefon. Pse e do?”. Nuk kishte ndonjë arsye të qartë, përveç faktit që në çerdhe kishte një shok 4-vjeç që kishte telefon. Dhe për shkak se ime bijë po i afrohet kësaj moshe, edhe ajo mund ta ketë një telefon. I shpjegova me qetësi se kjo është diçka për të cilën mund të flasim kur të jetë më e rritur.

Ndonëse nuk ishte shumë e kënaqur me një përgjigje që në thelb ishte një “Jo”, ajo u largua për të nisur aventurën e saj të radhës. Ajo bisedë më krijoi dy ndjesi. Njëra ishte një lloj konfuzioni:Për çfarë lloj telefoni kishim folur? Unë kisha në kokë një telefon inteligjent, dhe po vrisja mendjen për të gjetur një arsye se pse mund t’i duhet një e tillë një 4-vjeçareje.

Por ndoshta ne sapo kishim folur për një telefon lodër, që në fakt vajza ime e kishte tashmë.

Ndjenja tjetër ishte shqetësimi. Teknologjia dixhitale është një pjesë e domosdoshme e jetës sonë. Telefonat inteligjentë, mediat sociale, madje edhe video-lojërat janë mënyrat kryesore që ne ndërveprojmë dhe lidhemi me njerëzit. Dhe ndërsa është e pashmangshme që fëmijët tanë t’i bashkohen kësaj hapësire dixhitale, për shumë nga ne, këto teknologji janë një lloj Kutie e Pandorës.

Pra, përballë tyre kemi një lloj parandjenjë të keqe, dhe ofrimi i qasjes tek to të fëmijëve, edhe pse mund të ketë disa përfitime, perceptohet si një fatkeqësi që pritet të ndodhë. Këto frikëra janë të nxitura pjesërisht, nga një paradë e pamëshirshme artikujsh që nxjerrin në pah efektet e dëmshme që kanë tek ne teknologjitë dixhitale.

Por artikuj të tillë lidhen me përvojën tonë, sepse të gjithë kemi pasur ditë të këqija në internet. Është e lehtë por edhe e kuptueshme të mendosh se teknologjitë dixhitale nuk e kanë “shumë për zemër” mirëqenien tonë. Ajo që e përforcon këtë shqetësimi, është fakti se ka disa shkaqe reale për t’u shqetësuar në lidhje me shëndetin mendor, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët dhe adoleshentët.

Në një sërë studimesh të fundit shkencore, tendencat duken të qarta: gjatë dekadës së fundit, ka pasur një rritje të dukshme të problemeve të shëndetit mendor tek adoleshentët në Britaninë e Madhe dhe SHBA. Për shembull, një studim i vitit 2021 i të dhënave nga gati 2.5 milionë adoleshentë në Mbretërinë e Bashkuar, tregoi se për pothuajse çdo grupmoshë, normat e ankthit dhe depresionit janë rritur.

Rritja më e habitshme u vu re tek normat e çrregullimeve të ankthit për vajzat e moshës 13-19 vjeç, që duket se filloi rreth vitit 2012. Të dhëna të mëtejshme nga Anketa e Sjelljes së Rrezikshme tek Rinia në SHBA (YRBS) tregojnë shqetësime të ngjashme. Që nga viti ka pasur mesatarisht një rritje të qëndrueshme si të rrezikut të depresionit ashtu edhe të vetëvrasjeve, me rritje shumë më të theksuara te vajzat sesa tek djemtë.

Pra duket se diçka po shkon keq me shëndetin mendor të adoleshentëve. Kush po e shkakton krizën? Përpjekja për ta gjetur fajtorin nuk është e lehtë. Por gjatë viteve të fundit një numër psikologësh dhe gazetarësh janë fokusuar tek teknologjia dixhitale dhe në veçanti tek mediat sociale si një faktor shtytës.

Shembulli më i spikatur ishte në vitin 2017, kur në një artikull në “The Atlantic”, psikologu Zhan Tueng tha se rritja më e ndjeshme e problemeve përkon me shfaqjen në treg të iPhone rreth vitit 2007. Disa studime të mëvonshme kanë gjetur lidhje të qarta, të tjerat jo.

Një pjesë e arsyes është se shumica e studimeve në këtë fushë janë domosdoshmërisht të natyrës korrelative. Ato analizojnë grupe të dhënash të mëdha afatgjata, dhe përpiqen të shohin nëse ka ndonjë lidhje statistikisht domethënëse midis zgjerimit të mediave sociale
dhe problemeve të ndryshme të shëndetit mendor.

Në fakt ato nuk na lejojnë të afrohemi më shumë për të kuptuar nëse ato marrëdhënie janë të natyrës shkakësore. Është e vështirë të mos joshesh nga shifrat e publikuara në artikullin e 2017-ës apo në Financial Times në fillim të këtij viti. Rreth viteve 2007-2010, vërehet një ndryshim aq i madh në problemet e shëndetit mendor, sa duket sikur ka një lidhje shkakësore me ardhjen e telefonat inteligjentë.

Por ne duhet të jemi të kujdesshëm ndaj rastësive. Sepse në vitin 2007 nisi gjithashtu një krize financiare globale, dhe doli në treg albumi i ri FooFighters “Echoes, Silence, Patience & Grace”. Prandaj duhet të jemi të vetëdijshëm, se problemet e shëndetit mendor janë komplekse dhe të nuancuara dhe nuk shpjegohen asnjëherë nga një faktor i vetëm.

Krahas shtimit të përdorimit të mediave sociale, faktorë të tjerë të mundshëm përfshijnë: shtimin e problemeve të shëndetit mendor të prindërve; reduktime të sjelljeve stigmatizuese ndaj shëndetit mendor; një rritje të ndërgjegjësimit për ekzistencën e tyre; ndryshime në kriteret diagnostikuese; vështirësi financiare; faktorë edukativë etj.

Pra në vend se të pyesni:”A shkakton përdorimi i mediave sociale probleme të shëndetit mendor?” ndoshta një pyetje më e mirë mund të jetë:pse disa përparojnë në internet ndërsa të tjerët hasin vështirësi reale? Ka prova studimore në rritje, që sugjerojnë se jetët tona në internet pasqyrojnë jetën tonë jashtë linje, dhe kjo në mënyra të rëndësishme dhe ndonjëherë të padukshme.

Pra gjërat që po ndodhin në jetën tonë jashtë linje mund të ndikojnë dhe të ndikohen nga bota jonë në internet. Për shembull, një numër studimesh kanë treguar se rrjetet sociale online dhe offline të adoleshentëve janë shumë të ngjashme. Ato i përdorin mediat sociale dhe aplikacionet e mesazheve kryesisht për të mbajtur marrëdhëniet e tyre ekzistuese, dhe jo për të krijuar të reja.

Për më tepër, një linjë kërkimesh në zhvillim sugjeron se llojet e problemeve mendore, fizike dhe sociale që ekzistojnë në jetën e fëmijëve, mund të parashikojnë edhe llojet e problemeve që ata hasin në internet. Për shembull, një studim i 2018-ës, tregoi se fëmijët me aftësi të kufizuara fizike ose vështirësi në komunikim, kishin më shumë gjasa të përfshiheshin në sjellje të rrezikshme (për shembull, duke vizituar faqet e internetit të lojërave të fatit).

Ndërsa adoleshentët me probleme familjare ose sociale, kishin më shumë gjasa të binin viktimë e mashtrimeve në internet. Pra nuk ka kuptim të konsiderohen mediat sociale dhe teknologjia dixhitale si shkaku kryesor i çështjeve të shëndetit mendor. Është më e dobishme t’i cilësojmë ato si një “lente” përmes së cilës problem para-ekzistuese ose zbehen ose intensifikohen.

Marrë me shkurtime nga “Science Focus” - Pershtatur nga CNA

Shënim: Dr.Pete Etchells, profesor i psikologjisë në Universitetin Bath Spa në Britaninë e Madhe. Hulumtimi i tij fokusohet tek ndikimi që ka luajtja e video-lojërave në gjendjen psikologjike dhe sjelljen tonë./ 





Lajmet e fundit nga