web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Simultane shahu në Pogradec/ 15 të apasionuar pas kësaj loje bëhen pjesë e kampionatit

20 Korrik 2025, 15:00, Qyteti im CNA

Simultane shahu në Pogradec/ 15 të apasionuar pas kësaj loje

Pogradeci ka qenë sot mikpritës i një eventi të veçantë kushtuar shahut, ku pjesëmarrës u bënë 15 të apasionuar pas kësaj loje, të rinj e të vjetër në moshë. Ky aktivitet tërhoqi vëmendjen e tyre, duke krijuar një atmosferë përqendrimi por edhe sfide. Ndër pjesëmarrësit kishte të rinj që kishin filluar ta mësonin lojën që në fëmijëri, shpesh në mënyrë autodidakte ose të udhëhequr nga gjyshërit, si dhe emra që tashmë janë të njohur për komunitetin lokal të shahut.

Për Kleo Ismailin, kjo ishte hera e dytë që merr pjesë në këtë lloj eventi, ndërsa arriti të fitojë përballjen, duke treguar jo vetëm aftësi teknike, por edhe qetësi dhe durim në lojë.

"Jam shumë i emocionuar. Është hera ime e dytë në këtë kampionat, isha edhe vjet ku fitova vendin e katërt, ndërsa këtë vit luajta me një mjeshtër të shahut dhe dola fitues. Shahun e kam mësuar që i vogël nga gjyshi. Gjithmonë e kam patur me qejf shahun dhe jam rritur dalëngadalë."

Veç përballjeve individuale, qëllimi i këtij aktiviteti është edhe nxitja e shahut si një sport me vlera të larta edukative, i cili ndihmon në zhvillimin e të menduarit logjik dhe strategjik, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë. Pogradeci ka një traditë të pasur në këtë drejtim. Breza të tërë janë rritur me pasionin për lojën e shahut, ashtu si Niko Basho, ish kampion i kësaj fushe. Ai tregon se nuk mungojnë shembujt e lojtarëve që kanë fituar tituj të rëndësishëm, si Kampion Republike apo Mjeshtër Ndërkombëtar, dhe që janë formuar pikërisht në këtë qytet.

Simultane shahu në Pogradec/ 15 të apasionuar pas kësaj loje

"Në gjimnaz dola kampion i rrethit, e më pas vazhdova më tej duke marrë tituj si mjeshtër. Më vonë krijova ekipin e vajzave dhe të rinjve. Ekipi i vajzave ka dalë Kampion Republike, si individ ka dalë kampione Tereza Basho në Durrës. Altin Çela ka dalë kampion, ku edhe jashtë shtetit mori titullin "mjeshtër ndërkombëtar i shahut". Kjo tregon se shahu në Pogradec nuk vjen vetëm nga puna që kemi bërë ne, por vetë natyra pogradecare është e çuditshme. E duan shahun. Është bërë si traditë familjare. Duhet të krijohen ekipe siç janë këto paralelet në basketboll, futboll."

Këtë vit, aktiviteti mori edhe një ngjyrim ndërkombëtar. Një pjesëmarrës i ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili prej pak kohësh jeton në Pogradec, vendosi të marrë pjesë në këtë event pasi mësoi për të përmes rrjeteve sociale. Edhe pse kishte vite pa luajtur shah, ai e përjetoi aktivitetin si një rikthim emocional te një pasion i hershëm, duke e vlerësuar lart organizimin dhe mikpritjen e qytetit.

"Nuk ka shumë kohë që kam ardhur këtu në Pogradec, nga Amerika. Është hera ime e parë në një kampionat shahu dhe e mësova që po zhvillohej nëpërmjet facebook. Një eksperiencë e veçantë për mua, nuk kisha luajtur për më tepër se 20 vite shah dhe kam kënaqësi që rikthehem tek kjo lojë."

Simultania e shahut në Pogradec tregon se kjo lojë nuk njeh moshë, kombësi apo kufij. Është një gjuhë universale që bashkon njerëzit përmes mendimit dhe sfidës. Ajo që dikur shihej si një lojë e heshtur në shtëpi, sot po kthehet në një aktivitet komunitar, që vlerëson pasionin, përkushtimin dhe trashëgiminë intelektuale të një qyteti që e ka pasur gjithmonë shahun në zemër./CNA

 

 

 

 

 





Lajmet e fundit nga