web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Pusteci hap sezonin turistik me investime të reja dhe pritshmëri të larta

31 Maj 2025, 13:57, Qyteti im CNA

Pusteci hap sezonin turistik me investime të reja dhe pritshmëri

Sezoni turistik në Pustec ka nisur zyrtarisht, për të dytin vit me radhë, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në zhvillimin e turizmit në këtë zonë me potencial të lartë natyror dhe kulturor. Sipas kryebashkiakut Pali Kolefski, ky institucion ka ndërmarrë një sërë masash për të lehtësuar përgatitjet e banorëve dhe bizneseve lokale, me qëllim që kjo verë të sjellë më shumë vizitorë, më shumë ekonomi dhe më shumë mundësi për komunitetin.

"Ky është viti i dytë që ne zyrtarisht bëjmë çeljen e sezonit turistik. Besoj se do të jetë një vit shumë i mbarë për të gjithë banorët e zonës, bizneset që operojnë këtu. Bashkia ka marrë masat brenda mundësive të saj për të lehtësuar sadopak punën e bizneseve dhe të banorëve për këtë sezon turistik. Ky vit do të jetë më i mbarë sepse kemi bërë edhe disa ndërhyrje, ku përmend këtu plazhin e financuar nga Fondi i Zhvillimit që të jetë një destination i mirë me fasilitetet për të gjithë turistët që do të zgjedhin Bashkinë e Pustecit. Këtë vit mendojmë që numri i turistëve do të jetë shumë i madh duke parë që në fillim të majit kishim të regjistruar 18 mijë turistë kryesisht të huaj nga Europa, kryesisht gjermanë të cilët vijnë me rulota. Shumë turistë zgjedhin të qëndrojnë për një ose 2 net te banorët e zonës të cilët kanë 'guest house'", tha kryebashkiaku.

Krahas angazhimit të bashkisë për përmirësimin e infrastrukturës, këtë vit është realizuar edhe një investim i rëndësishëm në krijimin e plazhit, i konceptuar në atë mënyrë që ofron kushte dhe lehtësi për pushime në Pustec, jo vetëm të qeta dhe natyrore, por edhe komode dhe të sigurta. Interesi i vizitorëve për këtë zonë ka ardhur në rritje. Që në fillim të muajit maj, janë regjistruar rreth 18 mijë turistë, shumica prej tyre të huaj, të ardhur kryesisht nga vendet europiane si Gjermania, Franca dhe Italia.

Një nga pikat më të forta të ofertës turistike në Pustec është padyshim gastronomia. Kuzhina tradicionale e zonës është e pasur me ushqime të freskëta dhe produkte të zonës, ku spikasin gatimet e peshkut, si tava e krapit dhe krapi në skarë, por edhe pjata të tjera si lakrori në saç, petullat e fshira dhe mishrat karakteristikë të malësisë.

Angele Demiraj, administrator i Hotel Restorant "Aleksandër", tregon se këto përgatiten me mjeshtëri nga gratë e zonës, të cilat kontribuojnë jo vetëm në ruajtjen e traditës, por edhe në përmirësimin e cilësisë së shërbimit turistik.

"Gatimet tradicionale janë gatimet e peshkut, më pas mishrat e zonës, lakrori në saç, petullat e fshira. Pusteci njihet më shumë për bukuritë natyrore, për peshkun, tavën e krapit, krapi në skarë, cironat, mërenat. Janë zonjat e zonës që punojnë me përkushtim, me dashuri që edhe klientët të mbeten të kënaqur. Klientët janë mëse të kënaqur, nuk kemi ankesa. Turistët janë më shumë të huaj, kemi edhe turistë vendas, por për hotelin janë të huaj nga Europa, Franca, Italia, Gjermania dhe turizmi sa vjen e po zhvillohet më shumë. Ka shumë kërkesa nga turistët e huaj për bukuritë natyrore dhe për ushqimet tradicionale të zonës", tha Demiraj.

Martin Heusinger nga Gjermania shprehet i mahnitur nga bukuritë natyrore të Pustecit dhe nga mikpritja që gjen në këtë zonë. Ndërthurja mes liqenit, maleve, historisë dhe traditës e bën këtë zonë gjithnjë e më tërheqëse për turistët që kërkojnë qetësi, autenticitet dhe përjetime unike larg zhurmës së qyteteve të mëdha.

"Unë jam nga Gjermania dhe është hera e parë që unë vij këtu në Pustec. Nuk kam parë shumë për momentin, por jam shumë i entuziazmuar. Një mikut tim ju çua një ftesë dhe mendova po shkoj edhe unë. Shumë e bukur, pamja fantastike, natyrë e mrekullueshme. Kam lexuar për Pustecin dhe prandaj jam këtu sepse jam shumë kurioz ta eksploroj. Shqipëria është një vend shumë i veçantë, njerëzit janë shumë miqësorë dhe duhet të vini në Shqipëri sepse është një vend shumë i këndshëm". tha turisti gjerman.

Me investimet e realizuara dhe me rritjen e interesit nga tregjet ndërkombëtare, Pusteci po shndërrohet në një destinacion gjithnjë e më të kërkuar, duke dëshmuar se turizmi në juglindje të vendit ka potencial real për zhvillim të qëndrueshëm dhe afatgjatë./ CNA





Lajmet e fundit nga