web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"Mjalti Morava"/ Kompania lider në Shqipëri në prodhimin e mjaltit

11 Janar 2025, 17:29, Qyteti im CNA

Kompania "Mjalti Morava" është një histori suksesi që u krijua 50 vite më parë, e vazhdon të ecë në hapa të sigurt edhe sot. Dashuria e pasioni për bletën ka bërë që nga një biznes i vogël familjar, të kthehet në një agroturizëm ku veç prodhimit të mjaltit, kjo kompani pret edhe turistë nga brenda e jashtë vendit.

Cna Tv sjell ekskluzivisht për shikuesit një reportazh të gjerë ku do të mësoni më shumë për fillesat e "Mjaltit Morava", vështirësitë e hasura gjatë rrugës, pasionin për bletën dhe dëshirën për të prodhuar mjaltin më cilësor në vend. Do të keni mundësi që nëpërmjet ekranit tonë të shihni ambjentet dhe produktet e shumëllojshme të mjaltit e nënprodukteve të tij.

Administratori Eugen Skermo priti grupin e xhirimit të Cna me shumë kënaqësi pranë këtij biznesi, duke na treguar çdo detaj të ambjenteve të brendshme e të jashtme të ndërtesës, ku edhe nëpërmjet intervistës, ka kujtuar momente shumë të bukura përgjatë viteve të fundit të suksesit që ka hasur kompania.

"Mjalti Morava"/ Kompania lider në Shqipëri në

"Mjalti Morava" është një traditë shumë e hershme familjare, që ka nisur prej gjyshit të Eugenit, më pas e ka vazhduar babai i tij Gëzimi, e sot vetë Eugeni kujdeset për këtë traditë të bukur të familjes. Ka qenë babai i tij Gëzim Skermo ai që e ka inicuar "Mjaltin Morava" si brand name, ku fillimisht e ngriti biznesin për të mbajtur familjen, duke prodhuar pak mjaltë e duke e shitur atë.

"Kjo është një traditë familjare shumë e hershme, gjyshi, babai dhe unë dhe shpresoj ta kaloj tek kalamajtë e mi. Iniciator për këtë brand name është babai im. Ai ka punuar në kohën e monizmit në shtet, ka qenë bletërritës, ka punuar prej moshës 16-17 vjeçare e deri në vitet 90-të që u privatizuan dhe u shkatërrua sistemi. Ai privatizoi parqet e Korçës që ka patur ndërmarrja e asaj kohe dhe është ky vendi këtu ku ne ngritëm biznesin tonë. Ka qenë një biznes thjesht për të mbajtur familjen, jo biznes por detyrimi për të rritur kalajmajtë e për të mbajtur familjen, me 30 koshere bletë duke prodhuar pak mjaltë e duke e shitur atë. Kjo ka qenë fillesa e biznesit tonë."

Por historia e kësaj kompanie nuk përfundon këtu! Fillimisht tregtimin e mjaltit, familja Skermo e bënte në qytetin e Korçës, por vendosën të zgjeroheshin më tej për të zhvilluar tregun e punës. Kjo kompani ka qenë e para që ka prezantuar mjaltin shqiptar në panairet e zhvilluara në Tiranë në vitet 93'-94'.

"Mjalti Morava"/ Kompania lider në Shqipëri në

Eugen Skermo tregon se fokusin e patën kryesisht tek prodhimi, paketimi e shitja, ndërsa gradualisht rritën edhe numrin e koshereve të bletëve, duke arritur në më tepër se 400 të tilla.

"Më pas gradualisht ne filluam duke parë të zgjerohemi, jo duke mbetur vetëm në tregun e Korçës sepse kemi punuar te markata me klientët e parë që këmi filluar tu shesim, e më pas donim të zgjeroheshim më tej. Kemi kaluar në Tiranë, në panairet që janë zhvilluar fillimisht në vitet 1993-1994, kemi qenë të parët në Shqipëri që kemi prezantuar mjaltin shqiptar, për konsumatorët por ka patur e të huaj nga jashtë. U fokusuam kryesisht te prodhimi, paketimi dhe shitja. Më vonë kemi tentuar edhe te prodhimi më i madh duke shtuar kosheret. Aktualisht kemi diku tek 400 e ca koshere."

Ndonëse prodhimi në kompani është i mjaftueshëm, Eugeni thotë se nuk mjafton për tregun që ata kanë. Në këtë mënyrë, u gjet një zgjidhje tjetër, ku në 10 vjeçarin e fundit ata grumbullojnë mjaltë në të gjithë Shqipërinë nga fermerët. Ndër të tjera, suksesi i kësaj kompanie është eksporti i mjaltit shqiptar në botë, prej 15 vitesh tashmë.

"Tentuam ta zgjeronim edhe më shumë por na mbante shumë të angazhuar koha e prodhimit dhe shitja e marketingut na linte pak pas dore. Gjetëm një të mesme tani që bëjmë prodhim mjaftueshëm por ai nuk është mjaftueshëm për tregun që ne kemi. Kompania Morava është zgjeruar shumë në 10 vjeçarin e fundit dhe ne grumbullojmë mjaltë në të gjithë Shqipërinë nga fermerët. Nuk është se tregun e mbulojmë vetëm me prodhimin tonë sepse është shumë pak në krahasim me atë që u ofrojmë klientëve tanë në tregun vendas. Ne gjithashtu edhe eksportojmë, jemi e vetmja kompani nga Shqipëria që prej gati 15 vjetësh ekspotojmë mjaltin 'Made in Albania' kudo në botë.

Eugeni ka 25 vite që administron kompaninë e "Mjaltit Morava", me një dashuri po të njëjtë si në vegjëli, kur ka qenë fëmijë e kur babai i tij e mbante kudo me vete në parqe bletësh dhe fshatra të ndryshme. Bleta është pjesë e jetës time - thotë Eugeni. Ndonëse ka provuar edhe fusha të tjera në jetë, ai nuk mund të ndahej nga tradita e familjes dhe të braktiste dashurinë për bletën.

"Me thënë të drejtën unë jam rritur, nuk është se u përballa me faktin që unë e kam këtë biznes dhe do punoj. Mbaj mend që kur kam qenë fëmijë 5-6 vjeç, sekuenca që babai më merrte me vete në parqet e bletëve nëpër Korçë dhe fshatra të ndryshme dhe unë jam rritur, e kam ndihmuar aq sa mundesha, ndoshta më shumë i kam hapur punë atëherë por jam rritur me pjesën e bletës. Bleta është pjesë e jetës time. Jam dashuruar me të që i vogël dhe kam bërë tentativa për tu marrë me gjëra të tjera, por gjithmonë jam kthyer dhe e kam gjetur veten këtu, sepse kam mbaruar edhe për elektronikë, kam punuar edhe jashtë duke provuar emigracionin por më e mira është të jetosh në vendin tënd e të bësh diçka tek vendi jot. Kam gati 25 vite që punoj dhe administroj këtë kompani."

Çelësi kyç i suksesit të kompanisë është pikërisht cilësia e mjaltit, një cilësi e pandryshuar dhe një cilësi e lartë që mban edhe klientët shumë besnike ndaj biznesit duke e preferuar dhe blerë gjithmonë këtë produkt. Falë eksperiencës 50 vjeçare në fushën e bletarisë, por edhe falë investimit të një laboratori ku mjalti analizohet deri në detaj, duket se suksesi i Mjaltit Morava është i pandalshëm.

"Ne kemi krijuar një besim te klientët që në fillesat tona për cilësinë e mjaltit sepse nuk kemi kompromis tek cilësia. Ndoshta tek çmimi mund të jemi më lart por tek cilësia nuk lëvizim. Prandaj dhe klientët janë besnikë te ne dhe na kanë marrë e preferuar gjithmonë dhe kanë konsumuar mjaltin Morava. Jo më kot ne jemi ndër kompanitë më të mëdha në Shqipëri që tregtojmë mjaltin. Kjo nuk është vetëm mjalti që prodhojmë ne por edhe ai që grumbullojmë nga fermerët të një cilësie të mirë. Kjo është falë eksperiencës tonë mbi 50 vjeçare në fushën e bletarisë, por ne prej gati 15 vitesh kemi investuar edhe në një laborator brenda kompanisë që bëjmë analiza të detajuara të mjaltit, sipas standarteve të BE. Kjo na mbron që ne të marrim produktet më të mira dhe tua ofrojmë atë konsumatorëve."

Gjëja më e veçantë e kësaj kompanie është funksionimi i saj edhe si agroturizëm, duke pritur e përcjellë vizitorë çdo vit.

Interesant mbetet fakti që vizitorët hyjnë për të qëndruar 30 minuta por përfundojnë duke shëtitur brenda ambjenteve të kompanisë në më tepër se 2 orë.

Kjo kompani është një mrekulli më vete, në çdo cep të saj gjen detaje të bukura të bletës, foto të ndryshme nga gjithë këto vite të historisë 50 vjeçare, gjë që të bën kurioz për ta vizituar edhe më gjatë.

"Mjalti Morava"/ Kompania lider në Shqipëri në

Eugeni na tregon se numri i të huajve që kanë vizituar vitin e kaluar "Mjaltin Morava" ka arritur në thuajse 3 mijë turistë, të cilët kanë qenë europianë kryesisht, por edhe nga vende si Izraeli.

Në këtë kompani, turistët kanë mundësi të shohin nga afër etapat se si funksionon një fermë bletësh ose një kompani mjalti, gjë që i ka mahnitur dhe iu ka lënë përshtypjet më të mira nga Korça e Shqipëria.

"Mjalti Morava nuk është thjesht që prodhon, ambalazhon dhe tregton mjaltin, ne funksionojmë edhe si agroturizëm. Vit pas viti jemi rritur shumë tek vizitat që bëhen sepse është e hapur për vizitorët që të shohin se si funksionon një fermë bletësh që realisht s'mund ta shohësh në vende të tjera. Unë kam vizituar vendet e Rajonit, Ballkanit e më gjerë por smund ta gjesh që në një kompani mjalti të shohësh dhe prodhimin, dhe ambalazhimin dhe historikun që ka shumë rëndësi nga ke ardhur. Këtë kemi mundësi që gjithë turistëve të huaj tua tregojmë e të shohin me rradhë të gjitha etapat se si funksionon një fermë bletësh ose një kompani mjalti. Vit pas viti është rritur shumë fluksi i turistëve, kemi patur diku te 2400-3000 vizitorë të huaj europianë kryesisht, dhe nga Izraeli vitin e fundit. Këtu nuk llogarisim pjesën e vizitorëve brenda vendit ose nga vendet fqinjë. Besoj vitin tjetër do të kemi më shumë pasi planet janë bërë që këtë vit me agjencitë që ne bashkëpunojmë."

Vazhdimësia e një biznesi dhe plotësimi i të gjitha kërkesave të konsumatorit është më e rëndësishmja momentalisht në planet afatshkurta të kompanisë, duke synuar vazhdimësi në mbulimin e tregut dhe ofrimin e produkteve sa më të mira e të larmishme tek konsumatorët.

Këtu Eugeni ndalet tek një fakt shumë interesant, duke treguar për Cna se Shqipëria ka një mjaltë shumë cilësor për shkak të klimës mesdhetare e kontinentale, një mjaltë që quhet shumëlulesh dhe i egër nga natyra.

"Çdo kompani ka plane afatshkurta dhe afatgjata. Planet afatshkurta janë ato që duhet të mbulojmë tregun, tu ofrojmë konsumatorëve produkte sa më të mira, një larmishmëri të madhe të mjaltit nga zona të ndryshme. Shqipëria ka një mjaltë super cilësor, klima që ne kemi është shumë e veçantë, klimë mesdhetare dhe kontinentale. Nuk kemi fusha të gjera siç kanë vendet e tjera që prodhojnë një lloj mjalti, kurse ne kemi kryesisht mjaltë shumëlulesh që mund të quhet i egër nga natyra sepse aty ku shkon bleta nuk ka shumë pemë, lule apo fruta monoflor. Kryesisht e kemi shumëlulesh e shumë cilësor."

Sa i përket planit afatgjatë, zhvillimi në eksport është pikësynimi kryesor i "Mjaltit Morava".

Prej vitesh ata bëjnë eksport në Amerikë, Kinë, Japoni e më gjerë, por fokusi është arritja e një marrëveshje me ministrinë e bujqësisë dhe BE për tu liçensuar në futjen e mjaltit shqiptar në vendet e BE.

"Plani afatgjatë që synojmë ne si kompani është zhvillimi më shumë në eksport. Kemi goxha vite që bëjmë eksport në Amerikë, Kinë, Japoni, Singapor, Angli por po mundohemi të bëjmë marrëveshje me ministrinë e bujqësisë dhe BE për ta hapur, sepse nuk lejohet mjalti shqiptar dhe produktet me origjinë shtazore të shkojnë në BE. Nëse kalojmë këtë fazën e liçensimit, e lejimit të mjaltit në BE normalisht që tregu jonë kryesor do të jetë BE."

Thuajse në të gjitha ambjentet e këtij biznesit do të haseni me çertifikata, çmime, medalje, trofe, të vendosura përreth korridoreve të tij. Një pafundësi medaljesh që tregojnë më së miri suksesin e madh të "Mjaltit Morava" në vendin tonë dhe më gjerë.

Pjesëmarrja në panaire ka nisur që prej vitit 1993, e deri më sot, ku çdo vit kompania merr pjesë deri në 6 panaire.

Krahas pjesëmarrjes në organizimet brenda Shqipërisë, Eugeni tregon se kanë marrë pjesë rdhe në vendet e Ballkanit e më gjerë, duke arritur deri në Kinë, Japoni e Amerikë. Ajo që veçon si kujtim më të bukur është pjesëmarrja në Serbi dy vite më parë, ku fituan 2 medalje ari për mjaltin shqiptar.

"Starti jonë ka qenë në panairet e para që janë zhvilluar në Korçë në vitin 93' e në Tiranë në 94', por kjo nuk ka ndaluar me aq. Ne kemi patur fluks shumë të lartë pjesëmarrje në panaire çdo vit, mund të them 5-6 panaire duke u takuar drejtpërdrejt me klientelën tonë. Në Shqipëri po e po, por dhe në vendet e Ballkanit ne kemi marrë pjesë me panaire, 2-3 herë në vit marrim pjesë në Kinë, në Japoni, në Amerikë. Gjithashtu edhe në konkurse ku kemi marrë pjesë, lidhur me cilësinë e mjaltit, kemi marrë edhe medalje, vend të parë me medalje ari, vend të dytë në shumë vende. Dy vite më parë kemi marrë pjesë në Serbi dhe kemi fituar dy medalje ari për mjaltin shqiptar. Edhe në Greqi kemi marrë pjesë, edhe në Kosovë, edhe në Gjermani me konkurset e mjaltit dhe kemi fituar çmime goxha të mira."

Në përfundim të kësaj interviste, administratori shfrytëzon rastin e një apeli kundrejt njerëzve, duke u këshilluar që mjaltin ta përdorin çdo ditë si një ushqim, pasi të mbron nga alergjitë apo sëmundjet e ndryshme që mund të na prekin.

"Mjalti Morava"/ Kompania lider në Shqipëri në

"Mjalti është ushqim i mirë që duhet përdorur çdo ditë, nuk është ilaç që ti kur sëmuresh duhet ta përdorësh, jo. Duhet ta përdorësh çdo ditë që të ndihesh i mbrojtur nga alergjitë, nga sëmundjet. Kështu që mjaltin konsumojeni si ushqim të përditshëm. Konsiderojeni si ushqim, jo si ilaç."

Familja Skermo është shembulli më i mirë i një pune të palodhur shumëvjeçare, me një dashuri e pasion të pashtershëm për të qenë pranë konsumatorëve me mjaltin më cilësor që mund të gjeni në Shqipëri.

"Mjalti Morava" është ferma e bletëve dhe kompania e mjaltit që qëndron e para në vend, duke çuar suksesin e saj edhe më tej, me eksportin në vende të ndryshme të botës. Kjo kompani nëpërmjet agroturizmit, ka dyert e hapura për çdo vizitor që kërkon të mësojë më tepër rreth prodhimit të mjaltit dhe pse jo, për të shijuar të gjitha llojet e prodhuara pranë këtij biznesi./ CNA





Lajmet e fundit nga