web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

E fundit!

x

Aventura "Rally Albania"/ Një tjetër kapitull nis në qytetin e bukur të Korçës

9 Qershor 2025, 10:18, Qyteti im CNA

Aventura "Rally Albania"/ Një tjetër kapitull nis në

Nga brigjet e Velipojës, e deri në lartësitë malore të Korçës, “Rally Albania” vijon rrugëtimin e tij të 21-të.

Më shumë se një garë me motorë, ky aktivitet sportiv është një aventurë që mbledh bashkë dhjetëra të pasionuar nga e gjithë Europa, të cilët sfidojnë terrene të vështira, mot të paparashikueshëm dhe mbi të gjitha, veten.

Pas një qëndrimi në Shkodër, gara ka ndaluar këtë herë në Korçë, ku adrenalina e motorëve takohet me mikpritjen e juglindjes shqiptare.

Njëri prej garuesve korçarë, Isert Gjatolli, me përvojë në garat me motor që nga viti 2010, na flet për sfidat dhe bukurinë e këtij sporti.

"Që i vogël e kam mësuar motorin, më pas në 2010 kam filluar me garat ndërsa tani kur kam kohë bëj stërvitje e marr pjesë nëpër gara. Rally është një sport shumë i bukur që ka specifikat e veta, nuk është të ecësh vetëm me gaz në fund sepse ka navigimin që është i vështirë. Duhet të kombinosh shpejtësinë dhe navigimin që të arrish të dalësh i pari. Kur ka shumë baltë e gurë, është shumë terren i vështirë dhe të lodh, sidomos në vapë. Garat për një të apasionuar pas motorit janë shumë kënaqësi sepse veç garave, të jep kënaqësi edhe shoqëria e apasionuar pas motorëve dhe kalohet shumë bukur."

Për shumë të tjerë, ky nuk është vetëm një aktivitet garues, por një pasion që ka lindur qysh në fëmijëri. Kështu rrëfen edhe Dario Xharo, një tjetër garues shqiptar, kampion në Moto Rally vitin e kaluar.

"Pasioni për motorët ka filluar në vitin 2004-2005, kam qenë diku te 7 vjeç kur kam parë filmat e parë me gara me motorë. Pjesëmarrja nëpër gara nuk ka qenë aq e shpeshtë por për Moto Rally që janë gara të kampionatit shqiptar, vitin e kaluar kapëm vendin e parë duke dalë kampionë ndërsa këtë vit nuk kemi pasur mundësi për pjesëmarrje aq sa duhet. Kemi pasion çdo gjë që na lejon të hipim në motor, do e përqafojmë. Është e vështirë sepse ka pjesë që s'mundemi fare të kalojmë por detyrimisht do të anashkalojmë disa rrugë për ta bërë me qejf eksperiencën në përgjithësi."

Në mesin e garuesve ka edhe emra të rinj si Jaleel Ahmad, një djalë me origjinë pakistaneze, lindur në Itali, i cili po përjeton garën e tij të parë.

"Është hera ime e parë që marr pjesë në këtë event. Është shumë fantastik. Më pëlqen shumë vendi dhe po e shijoj shumë. Unë kam vetëm tre muaj që ngas motor, jam i ri në këtë aspekt. Më pëlqen dhe shpresoj ta vazhdoj gjatë gjithë jetës. Unë kam lindur në Itali por me origjinë jam nga Pakistani. Korçën ende nuk e kam parë sepse sapo kam arritur, por Velipoja ku kemi qenë dje më ka pëlqyer shumë sepse hotelin e kishim afër detit."

Për shumë ndërkombëtarë, si Christian Thumm nga Gjermania, ky aktivitet është kthyer në një zakon të përvitshëm. Ai është 60 vjeç dhe ka 44 vite që nget motor.

"Unë vij nga Gjermania dhe është hera e tretë që vitizoj Shqipërinë. Është vend shumë i bukur, e dashuroj. Terreni i vështirë, deri tani kam bërë gati 500 km me motor. Këto evente janë shumë të rëndësishme sepse në Europë në fakt ka shumë pak vende ku lejohet të bësh këtë lloj sporti. Kam bërë edhe miq nga Shqipëria, kemi ngrënë së bashku dhe jemi një familje e madhe. E ngas motorin që në moshën 16-vjeçare, e sot jam 60 vjeç, kohë shumë e gjatë, eksperiencë e veçantë që bëhet çdo vit e më e mirë."

Jo të gjithë pjesëmarrësit janë garues. Disa prej tyre janë pjesë e stafit teknik, siç është rasti i Elia Scannapieco, nga Milano e Italisë, i cili ndihmon garuesit me anën mekanike. Ai rrëfen përshtypjet ndër më të mirat për mikpritjen shqiptare dhe ndihet shumë i lumtur që për herë të parë vjen në Shqipëri e përballet me këtë pozitivitet të pamasë.

"Është hera ime e parë që vij në Shqipëri dhe jam i lumtur që erdha sepse është një vend shumë i bukur me njerëz shumë të sjellshëm e mikpritës. Jemi një grup nga Milano i Italisë dhe unë ndihmoj çdo garues këtu për anën mekanike të motorëve. Deri më tani kanë qenë ditë të vështira por do të vazhdojmë para. Në fakt, unë për veten s'do të doja të isha një profesionist në motor, thjesht më pëlqen të ngas për qejf. Më pëlqen ambienti dhe të qenit pjesë e një grupi njerëzish për t'u kënaqur e për të mësuar gjëra të reja si edhe për të eksploruar vende kudo. Në Korçë eca për disa orë, m'u duk qytet shumë i bukur. Më pëlqen fakti që është si një qytet i vjetër që është ruajtur si i tillë, njerëzit fantastikë gjithashtu dhe po kënaqemi."

Pas qëndrimit në Korçë dhe garës që pjesëmarrësit do të zhvillojnë edhe gjatë ditës së hënë në këtë qytet, Rally Albania do të vijojë rrugëtimin e tij drejt qyteteve të tjera të vendit. Gara mbetet një kombinim unik mes sfidës sportive dhe aventurës, duke ofruar jo vetëm adrenalinë, por edhe mundësinë për të zbuluar natyrën e qyteteve shqiptare. Edicioni i 21-të i këtij aktiviteti konfirmon edhe një herë rëndësinë në rritje të Shqipërisë si destinacion për sportet ekstreme./ CNA





Lajmet e fundit nga